top of page

MIKU I MADH I SHQIPTARËVE


Ambasadori, Mal Berisha

MIKU I MADH I SHQIPTARËVE, DIPLOMATI I NDERSHËM DHE I DREJTË HERMAN BERNSTEIN


Rreth librit monografik të autorit Mal Berisha


Nga Shpendi Topollaj


E lexoja librin e diplomatit Mal Berisha për një tjetër diplomat, madje edhe të një tjetër kohe, Herman Bernstein, dhe më sillej nëpër mendje ajo shakaja e Henri Kizingerit, kur thosh se: “Më telefonoi ministri i Punëve të Jashtme të Amerikës Heig dhe më ngarkoi me misionin t`u shpjegoj politikën e jashtme të qeverisë sonë kinezëve, secilit më vete”. Natyrisht që ky nobelist që afroi politikisht vendin e tij me Kinën dhe Vietnamin e dinte më mirë se kushdo, se detyra e një diplomati, e ca më shumë ajo e një ambasadori, është nga më të vështirat dhe më seriozet. Është njëkohësisht një detyrë që përveç ndershmërisë, kërkon edhe vlera të veçanta intelektuale dhe sidomos përkushtim. Duke i pasur këto cilësi si rrallë kush, brenda frakut të tij diplomatik, ish konsulli ynë i Përgjithshëm në Stamboll dhe më pas si ambasador në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe në Irlandë, Mal Berisha, në morinë e librave të tij mjaft të mirëpritur, kësaj here ka zgjedhur të trajtojë një figurë emblematike, por paradoksalisht, pak të njohur, si ajo e amerikano - hebreut Bernsteinit, i cili nga periudha 1930 deri në vitin 1933 kreu detyrën e ambasadorit të SH.B.A. - ës në Shqipërinë e mbretërimit të A. Zogut. Shekspiri diku ka thënë se: “Jeta është e shkurtër, por e vërteta rron shumë dhe arrin larg”. Dhe ja tek e kemi kaq pranë dhe kaq të qelibartë (siç e thotë ky mbiemër), veprën e një miku të shquar si ky njeri, i cili kur u largua nga vendi ynë meritoi dekoratën më të lartë “Kordoni i Madh i Urdhrit të Skënderbeut” dhe cilësimin nga shtypi i kohës si “…një prej pionierëve të botës së re.”


Është shumë domethënëse e vërteta historike se gati të gjithë vizitorët që kanë ardhur në Shqipëri, jo vetëm janë mrekulluar nga bukuritë natyrore dhe mikpritja e popullit tonë tejet të varfër, por dhe janë dashuruar me Shqipërinë dhe janë bërë apologjetë të çështjes tonë kombëtare. Ne u detyrohemi shumë atyre. Dhe këtë bën edhe autori Mal Berisha me librin e tij, i cili nuk përqendrohet vetëm te vitet e protagonistit në Tiranë, por rrok gati gjithë veprimtarinë e tij si poet, prozator, publicist, përkthyes, gazetar, politikan, atdhetar e mik influent i shumë e shumë personaliteteve që ndikuan në historinë botërore, duke na e dhënë të plotë portetin e tij. Vetëm kështu mund të kuptohet sesa rëndësi i vinin vendit tonë, dhe sa respekt kishin për popullin tonë, presidentët e nderuar të Amerikës si Roosevelt, Wilson dhe Hoover, për të vazhduar deri në ditët tona. Janë disa momente që do të shërbejnë përjetësisht si gur themeli në miqësinë me SH.B.A. - në, si ajo deklarata e Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 - tën, për moslejimin e coptimit të vendit tonë, vendosja e marrëdhënieve diplomatike, ndihma për çeljen e shkollave emërmëdha, përkrahja e luftës nacional - çlirimtare, trajtimi mëse njerëzor i emigrantëve tanë në Amerikë, ndriçimi i mendjeve të shqiptarëve për rrezikun komunist, ardhja e zotit Bejker pas shembjes së diktaturës, më 23 qershor të vitit 1991, vizita e presidentit George W. Bush, pas të cilës u anëtarësuam në NATO, ndërhyrja ushtarake për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe e Millosheviçit etj. etj. Kur Bernsteini mbërriti në Shqipëri, situata ekonomike, politike e sociale ishte aspak e mirë. Por ai ishte i prirur ta gjente të mirën dhe të bukurën edhe duke parë nga dritarja e selisë së tij. E përshkruan atë me një romantizëm të ëmbël, e quan atë pamje magjepsëse dhe të çuditshme, tek e cila sheh një peizazh të jetës shqiptare me tërë format dhe ngjyrat e saj të larmishme. Ai ua përshkruan lexuesve amerikanë, që s`kanë asnjë dijeni për këtë vend e këta njerëz, me shumë ngrohtësi dhe me besim se shumë shpejt do të bëhet i zhvilluar si tërë popujt e qytetëruar të Evropës.


Shpendi Topollaj, shkrimtar, publicist, kritik

Ai i fton ata ta vizitojnë këtë vend pa konflikte fetare, se po u vonuan, do humbasin shumë. Duhet ta njohin mikpritjen proverbiale dhe kostumet e bukura e të habitshme. U thotë atyre që të shpejtojnë se shumë nga magjia e këtij vendi po zhduket, pasi po hyn e reja e jetës moderne. Dhe është po ky mik i yni që teksa kërkon nga qeveria e tij ndihmë për arsimin dhe bujqësinë tonë, me shumë dashuri i drejtohet në një relacion presidentit të tij me këto fjalë: “Shqiptarët janë njerëz të tillë që më mirë vdesin, sesa të kërkojnë, më mirë mbarojnë në dëshpërimin e vet, sesa të qahen… Ata janë popull tragjik, por një racë heroike…” Dua të besoj se edhe vetë udhëheqësit shqiptarë, nuk mund të flisnin më me entuziazëm për popullin e tyre. Ky ambasador i njihte mirë dhe kurrë nuk i kapërcente detyrat e tij. Mal Berisha, ky shqiptar i kulluar, dhe me kulturë superiore, ka hulumtuar gjatë rreth kësaj figure kaq interesante dhe ka gjetur mjaft materiale nëpër arkiva që tregojnë se Herman Bernsteini ishte një mbrojtës i palëkundur i aspiratave tona për liri e pavarësi. Vlen të theksohet qëndrimi i tij ndaj çdo lloj synimi për ta pushtuar, shfrytëzuar apo për të përfituar nga mundësitë që Shqipëria kishte.

Ai, mban qëndrim tepër të drejtë dhe demaskues, veçanërisht ndaj planeve djallëzore të Musolinit. Ai në tërësi, e shpall dyshimin e tij për tendencat aneksioniste të fashizmit dhe të Hitlerit, aventurat e të cilëve do ta çojnë botën në një luftë tjetër botërore. Mesa duket të çmendurit e Evropës, ende nuk kanë nxjerrë mësime nga kasaphana e Luftës së Parë Botërore. Edhe diplomatët italianë e ndjekin si hije çdo lëvizje dhe çdo qëndrim të tijin. Mali, na i ka dhënë në ligjeratë të drejtë, raportimet e tyre për këtë ambasador që ata e quajnë të shqiptarizuar dukshëm në çdo veprim të tijin. Madje, aq sa i gëzohen largimit të tij, aq edhe i tremben faktit se ai duke qenë me ato talente, pra me botime librash, artikujsh, novelash dhe mundësi politike, do të vazhdojë të përkrahë këtë vend dhe të mbështesë me këshillat e tij si shpëtimtar mbretin Zog. E për më tepër, sipas tyre, ky njeri që hapi shkollën teknike dhe atë të Golemit e Kavajës, ka mundësi të sjellë edhe ndihma të qenësishme ekonomike. Kapitull më vete në libër, autori i kushton marrëdhënieve të sinqerta dhe mjaft të përzemërta me vetë mbretin. Për më tepër, ai nuk mjaftohet me vlerësimet dhe largpamësinë e këtij burri shteti, por edhe i kërkon dhe shkruan të parën biografi të tij. Sa baltë e helm është hedhur mbi figurën e A. Zogut nga komunistët. Por si ka mundësi që një burrë kaq inteligjent, një njohës i shkëlqyer i historisë, një diplomat me përvojë, një njeri i lirë në mendime, një njeri që nuk i kursen kritikat për askënd, flet për të me aq konsideratë? Mbi të gjitha, ai vëren një mprehtësi mjaft të hollë në vështrimin e problemeve si me fqinjët, ashtu edhe kur diskutohen farsa ndërkombëtare. Është me mjaft domethënie vetëm analiza që A. Zogu i bën propozimit Briand për parandalimin e militarizimit dhe për pasojë edhe të vetë Luftës së Dytë Botërore. Ja si shprehet Zogu në bisedë me ambasadorin: “Unë kam vënë re se në këto konferenca problemet më të vështira janë ato që mbeten për t`u zgjidhur në mbledhjen e ardhshme e kështu me radhë dhe pastaj fillon akumulimi i problemeve dhe brengave më të vështira, të cilat nuk mund të zgjidhen dhe as të rregullohen, pasi vërtetë që aty nuk ka dëshira për t`i zgjidhur ato dhe për shkak se secili prej burrështetasve që shkojnë në ato konferenca është i përkushtuar t`i zgjidhë këto probleme sipas interesave të tij dhe jo nga pozicioni i mbarëvajtjes së përgjithshme. Kjo është arsyeja përse unë mendoj se shtetet e Bashkuara të Evropës, siç i propozon Briandi, do të mbeten vetëm një ëndërr boshe, një gjest madhështor, i ndërmarrë me qëllim që Franca, kur të vijë ajo ditë, të realizojë përpjekjet e saj për të bashkuar Evropën, me qëllim që të sjellë paqen.”

Asnjëherë H. Bernstein nuk harron të theksojë se shqiptarët janë pasardhës të Skënderbeut, dhe që edhe sot e kësaj dite ata vishen me të zeza për vdekjen e këtij heroi të papërsëritshëm. Ai thekson se për të, në vitin 1873 ka shkruar edhe vetë poeti amerikan, pedagogu i Harvardit Henri Uodsuërth Longfellou, e më vonë i ardhuri në vitin 1908 - të në Shqipëri, Charles Telford Ericksoni i cili e niste kështu poemën e tij: “Ti dorën nuk e zgjate drejt skeptrit njollagjak, / As i trishtë nuk kërkove të shprishurën kurorë, / Përballë i dole që vetë të merrje hak, / Ndaj atij tirani djemrrëmbyes e idhnak, / Që dheun tënd kishte shtënë në dorë.” Mal Berisha vë në dukje se qëllimi i shkruarjes së këtij libri ka qenë të ndërthurrë tri shtete, pra tre popuj, që kupton veç atij shqiptar dhe amerikan edhe popullin hebre që aso kohe kishte mjaft probleme, pasi jo vetëm luftohej paturpësisht, por edhe bënte përpjekje të jashtëzakonshme për t`u organizuar si gjithë shtetet e popujt e tjerë të botës. Kjo popullsi semitike me Abrahamin në krye, ishte vendosur në Palestinë tetëmbëdhjetë shekuj para lindje së Krishtit dhe ende persekutohej e përndiqej. Kishte ardhur koha që vepra e Mojsiut për bashkimin dhe organizimin e tyre të përsëritej.

Herman Bernstein vërtetë ka lindur më 21 shtator të vitit 1876 në Vladislavov të Lituanisë dhe ka gjetur atdheun e tij të dytë qysh nga mosha gjashtë vjeçare në Amerikë, por e di mirë fatin e trishtë të popullit të tij, dhe bën çmos të japë ndihmesën e vet. Dhe ka të drejtë që ndihet krenar se është pasardhës i atij populli sa të zgjuar aq edhe trim. Lexoja pasazhet e këtij libri, kushtuar si mbrojtjes nga shqiptarët dhe qeveria e tij kur nazistët me shokë i terrorizonin, ashtu edhe veprës së Bernsteinit në favor të tyre dhe më kujtohej ajo që na sjell historiani Jozef, kur tregon për ngjarjen e Masadës. Konsulli romak Flaviusi në krye të 8 - 9.000 mijë ushtarëve e rrethon kështjellën në kodër ku ishin 960 banorë hebrej, nga të cilët vetëm 200 ishin ushtarë. Duke e ditur se ata do të luftonin deri në fund, romakët ngritën dheun gjashtëdhjetë metra me qëllim që të mundësonin përdorimin e dashit për të shpartalluan portën e kështjellës. Kur e panë se nuk kishin shpëtim, për të mos u turpëruar duke u dorëzuar, hebrejtë vendosën të vdisnin; ndaj dhjetë prej tyre i vranë ushtarët e shtrirë para grave dhe fëmijëve, pastaj si shtinë shortin, njëri vrau nëntë të tjerët dhe veten e tij.

Thuhet se vetëm dy gra shpëtuan gjallë, duke ikur me gjithë fëmijë, nëpër kanalet e ujësjellësit poshtë pallatit, si për të treguar heroizmin që kishte ndodhur. Edhe ne shqiptarër duhet të ndihemi mirë për gjithë sa bëmë për ta, dhe që kjo vepër u njoh dhe u propagandua nga vetë Bernsteini. Siç e përmenda më sipër, mendoj se ka qenë një zgjidhje mjaft e mirë që autori M. Berisha ka përfshirë diçka nga krijimtaria, intervista dhe korrespondenca e Bernsteinit, pasi kjo e plotëson rëndesën që figura e tij kishte.

Ndofta nuk është vendi të ndalemi posaçërisht në të, por duhet theksuar se ai qe një shkrimtar i mirëfilltë, që nuk e ndau detyrën si diplomat nga taleni letrar e gazetarsk, por duhet vënë në dukje se gjithçka ai shkroi që nga Ajnshtaini, Drajzeri, Weizmani, Cecili, Trocki, Papa Benedikti XV - të, Moisiu, Andrejevi, Rodeni, Ellisi, Bergsoni, Meçnikovi, Show, e deri te Leon Tolstoi, pa folur për të tjerë, më kujtojnë atë që dikush thosh për markezin e akuzuar si zhirondin Mari Zhan Antuan Kondorse: “Dashuria për njerëzimin gjallon dhe zbukuron çdo faqe të shkrimeve të tij”. Dhe jam i lumtur që këtë e konstatoj edhe te diplomati dhe njeriu i mrekullueshëm dhe tepër i ditur, modesti Mal Berisha, që jep shembullin sesi duhen nderuar të gjithë ata që bënë sa mundën për Shqipërinë dhe shqiptarët.

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page