Xhepat më janë grisur për të futur gjërat e pathëna. Kjo më bën nervoz dhe më shtynë të grindem me veten, si dikur në rininë time. Dashamirës të shumtë më urojnë për ditëlindje. Më vjen mirë dhe i falenderoj përzemërsisht. Shtrenjtë i kam paguar gjërat që kam dashur, por më besoni, s’kam mundur të jetoj, sepse kjo që bëj s’është jeta që dua. Ndoshta dhe ju, sikurse unë, s’keni mundur të shihni atë që ndodh dhe s’thuhet, ndryshe s’do dëshironim ato që s’na përkasin (sepse s'mundemi ti përjetojmë), p.sh ëndrra e lirisë apo lumturia që është një shpikje djallëzore enkas për të joshur të tjerët. Unë e kam parë Zotin të vdekur, shtrirë mbi një vig druri; pa qefin, pa njerëz rreth vetes, pa keqardhje nga krijesat e tij. Dhe kam pyetur; cili ka qënë gabimi i parë i Zotit, po i dyti, po i treti..? Për ata që s’kanë mundur të jetojnë, cila duhet të jetë koha e vdekjes? As për këtë s’kam marrë përgjigje, veçse kam parë “të pikëlluarit” që përcjellin njeriun e dashur në banesën e fundit dhe sa kalojnë pak ditë, qeshin e argalisen, tymosin purro dhe kthejnë nga një gotë. Kjo më shtynë të besoj se janë të tjerë ata që gëzojnë për njeriun e sapondarë nga jeta, janë pikërisht ata që e presin; nëna (gjithmonë me plagë në zemër), babai, motrat, vëllezërit, xhaxhallarët, dajot…Dhe në mungesë të të gjallëve (humbur udhëve të botës), pikërisht ata që e presin do bëjnë ceremoninë mortore të fatkeqit, d.m.th të vdekurit e hershëm do vajtojnë të vdekurin rishtas. S’jam duke predikuar shëntologjinë, por më pëlqen ta besoj një gjë të tillë. Kam rastisur të shikoj njerëz të dëshpëruar me vështimin në raftet e marketeve ku vendosen mallra që i dëshirojnë po s’munden ti blejnë. Duan të kryejnë një shërbim apo të bëjnë një dhuratë, por s’kanë me se. E përsëri mbijetojnë brenda varfërisë së tyre, por s'guxojnë të ngrejnë grushtet. A keni njohur ndonjë lypsar të ketë provuar ngopjen dhe kënaqësinë qoftë dhe njëherë të vetme? Vetëm një gjë e kemi në dorë, të zgjedhim vendin e varrit. Ta lëmë amanet. Të gjithë jemi të dënuar ta duam vendlindjen, doemos edhe unë. Dhe sa herë që shkoj, ndaloj disa çaste dhe bie në mendime. P.sh, hamendësoj për një zbarkim të mundshëm të andartëve të rinj grekë në lartësitë e Kurveleshit. Mjafton të pushtojnë malin e Këndrevicës dhe Labëria mbetet nën bajonetat e tyre. Pastaj dinë ata se ç’bëjnë, si në 1914. Kam frikë se mund të shkretojnë dhe varret, të marrin eshtrat dhe të thonë që janë të ushtarëve të tyre të rënë në luftën italo-greke. E ndërkohë kthjellohem kur kujtoj që jemi anëtarë të Natos. Kësaj të fundit s’besoj se do ti duhet një bazë e sigurt në vendlindjen time, ndryshe dhe ajo mund të rrafshojë gjithçka kur e lyp paqja e gadishullit tonë. Po ju mos u shqetësoni, ne duhet të jetojmë, s’kemi kohë për të vdekur.
Tiranë, Qershor 2024.
Comments