Mihal Gjergji: PREHRI I PERËNDIVE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 27
- 1 min read

PREHRI I PERËNDIVE
Pikturë me ngjyra ylberi
E varur në qiellin gri
Si s’mundi t’a shihte Homeri
Të derdhte në vargje magji!
Me male, që flasin me zotat
Të sertë e të thinjur qyshkur
Lumenjtë që fryhen nga lloha
Korije me lisat gjithë nur’
Gëlltisin e s’ngopen humnerat
Dhe jetë, dhe shira pa fund
Oh, ç'tinguj violine bën era
Kur vjeshtës argjendin ja shkund!
Ca varre të strukur ndanë udhës
Më presin të çmallem me ta
Të bëjnë pak vend brenda muzës
Se jeta dhe dhimbjet i ka
S’ndjej zëra fëmijësh. Ç'ka ngjarë?
Ç’burime zhgënjimi kanë pirë?
Jo vdekja, harresa ka vrarë
Dhe ende po vret pa mëshirë!
(Kurvelesh, Qershor 2018)
Comments