top of page

Mihal Gjergji: NJË VIT MË SHUMË 

Ja dhe ky vit, një grusht me thinja

Një brazdë të re më shton në ball’

Më gris' një thikë, e ndjej te brinja

S'më bindet zemra, bën të dalë

 

Një këmbë ma mban gërmadha ime

Tjetra eshte zgjatur për matanë

Më kot humbas në perëndime

Ndjej brenda shpirtit një piskamë

 

Kam kohë që pres shaminë e kaltër

Tunde nga larg, o lundërtar!

Nëse një ditë do vij i vdekur

Në shtrat të vdekjes jam i gjallë

 

Mbështjell me hi thëngjijtë e vatrës

Se udha s'di me kë më pjek

Një dallandyshe hapi flatrat

E vetme endet shteg më shteg

 

Ndjehem fëmijë në pikë të lotit

Në psherëtimë, si murgu plak

Zhgënjimin tim që kam prej zotit

E mbaj në gji, por nuk e flak

 

Ju mē uroni për ditëlindje...

Sa pak gëzime sjell kjo jetë (!)

Shuplakë e rëndë nga dorë e fatit

Më shtyn' ta shkruaj fatin vetë!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page