Mihal Gjergji: BALADË PËR VETE
- May 5, 2025
- 2 min read

Jam kthyer përsëri tek djepi
Atje ku bëja gjumë mbreti
Përkundur në një shtrat prej lisi
Me zëra malli fliste fisi
E sot një ëndërr nanuriset
Në ç'hon harrese do vithiset?
Se ëndrra-ëndrrën e mban zgjuar
Nëna më mban’ si foshnjë në duar!
Rrënuar trolli, ara, udha…
Brazduar balli im me rrudha
Si mërgimtar, ndjehem i huaj
Kam mbjellë, por s’di se çfarë të bluaj!
Shikoj një shkëmb të plasaritur
Si buzë njeriu e zhuritur
Mbi shpinë ka mbajtur mijëra dimra
Mbi ball ka plagë nga vetëtima
Pikoj një lot, vallë do ta pijë?
Të mbjell një lule, vallë do mbijë?
Nuk di se ç'dhimbje e ka çarë
Mua vetmia më ka vrarë
Gjithkush e vret atë që do
Me fjalë të hidhur, domosdo
S’gjakos veç plumbi apo shpata

Është dashuria që merr flatra
Dhe bëhemi për të therror
Dhe digjemi si meteor
E hanë vetveten dashuritë
Siç ndodh të grinden perënditë
Dremit dhe nata, prehet era
Korija, mali dhe humnera
Këtu bën dimër, të pret ngrica
Si kal i grivër Këndrevica
Andaj s'bëj gjumë në sy të natës
Dhe eci lehtë mbi teh të shpatës
Desha të zgjoja kordhëtarët
Kam frikë, mos kthehen prapë barbarët
Ja behin Gotët edhe Hunët
Askush s’e di si rrjedhin punët
Prandaj trokas, baladat zgjohen
I ndjej martirët tek qafohen
Hej, Kurvelesh, të ndanë në copa
"Me thika prerë, djegur me topa!"
T'i shembën kullat, të bënë rrëmujë
Tek shtrydhje dhimbjen dilte ujë
Tek grisje retë të dukej pragu
Në shalë të kalit vajti gjaku
E sot ke mbetur si Sahára
Harresë e terr, shkretim përpara
Gjithë këtë bregë e mbaj me vete
Si trëndelinën në sepete...
Këndojnë qyqet brinjë më brinjë
Era vajton me ulërimë
Ndaj s'mund të tretet Hodo Beu
Kur plagë në shpirt i rri Atdheu!
Pret treqind krushq të vinë kaluar
Të derdhen trimat e harbuar
Mbi kuaj ere, si veriu
T'u prijë Gjolek mandileziu
*
Çdo mal mbështetur pas një burri
Çdo zemër-strrall, që del nga guri
Në gjoksin tim shtrëngoj dy yje
Me dritë e nur prej perëndie
Kujtimi s'dua që të tretet
E brenda zjarrit prush të mbetet
Çdo maj, në pritë vritet Tafili
S'dëgjohet më një këngë bilbili
Veç ndjej ca zëra nga Osumi
Atje ku trimi jetën humbi
Pas tij Samiu rend nxitur
E dyta plagë në kraharuar
Lastar i njomë, s'mundi të plakej
Dhe s'donte jeta ti përgjakej
Tek lum' i lotëve që derdh nëna
Pikon e pikëlluar hëna...
Në një baladë të shuajnë mallin
Vetëm atje s'kanë punë me varrin
Të kthehen prapë te fëmijëria
Të mbushet jetë, të ndrijē shtëpia
Të shkoj dhe unē në atë vragë
T'u fshij’ një rrudhë, t'u prek një plagë
Se gjaku-gjakun e do pranë
Paçka se kohërat keq na ndanë!
Tiranë, Maj 2020









Rralle kemi lexuar poezi te tille , qe shkelqen ne mendime , zgjidhje , te fuitura ne rryme dhe ritem . I. Foto