MIGJENIT


NGA SAKIP CAMI



MIGJENIT

(Në 110 vjetorin e lindjes)


Dibranët të dhanë grupin e gjakut

ADN- ën e shqiptarisë

Shkodranët të pritën krahëhapur

Siç pritet njeriu i shtëpisë

Pukjanët të besuan fëmijët

Dritën e syrit,

Vështrimin drejt pafundësisë.


Ti u dhe shqiptarëve

Kangët e Rinisë, botën e rinisë

Ti u dhe shqiptarëve

Kangët e pakëndueme

Dhe ata janë përjetësisht në kërkim

Ti i grishe shqiptarët që të thonë ndal ! mjerim

Ti u ndeshe me malin që nuk bëzante

Dhe e shkunde.

Ti ishe zgalemi që njoftonte furtunën

Ti ishe dallëndyshja prirëse e demokracisë

Ti kapërceve detin dhe takove kastriotët

Ti u tregove shqiptarëve të gjitha botët.


Ti na le një bllok me vjersha dhe ike

Ti na le një bllok me protesta dhe ike

Ti na le mijëra mesazhe,

Mijëra pikëpyetje dhe ike.

Përse ike ?

Çfarë more me vehte ?

Çfarë le pa thënë ?

Ti e shtrove rrugën drejt së ardhmes

Ne do të ecim në gjurmët migjeniane

Në rrugën që na shtroi Gjeniu me patjetër

Nuk ka rrugë tjetër.