Midis Qenies dhe Asgjësë
Nga Fatmir Terziu
E përcolli zyra e Kuadrit CV-në e tij
pak shënime në shtysë,
një emër i fryrë
nga vetë Organi më i Lartë i ekipit të Tepsisë,
vetëm një tjetër punonjës i politikës eksperimentale
një lustrues më shumë i qeverisë.
Shëtitja e tij mujore një shënim me të kuq: i privilegjuar
një milionë të ngjeshura në xhepat e tij
shqip
ndonjë tips
që vjen e flet edhe në anglisht.
Asnjë ndryshim.
Asnjë vartës në departamentin e tij
përgjegjës vetëm për xhaketën e re,
kollaren e fryrë
e ndan suksesin e tij me ata që i quan miq.
E padukshme bota që e ndërlidh
brenda dhe jashtë,
lëviz ende në një labirinth
që me Organin më të Lartë i bën bashkë.
E ky është tashmë në një mjedis të ndritshëm
i kapur nga e keqja, i dorovitur nga e mira,
aspak i talentuar, krejtësisht i mërzitshëm,
xhepat i mban gjithnjë të fryra,
sigurisht me djersën e vetë
ky tashmë është zotëri, madje është edhe profet.
Ky është me Tjetrin gojëëmbël
flet si në kuti,
lloji që do të habiteshe ta shihje në ëndërr,
ka pamje, ka forcë, ka fuqi.
Ai u shfaq në filmin e suksesit,
duke qëndruar në vijën e hollë midis Qenies dhe Asgjësë,
sytë e tij hapen si gryka e thesit,
duke ecur në rrugën e mbushur me pluhur,
këmbët e tij nuk lënë asnjë gjurmë
sikur të mos kishte ndikim në tokë -
sikur koha nuk do të ecte me të
ai ishte ende në gjumë.
Dhe ndërsa ai ecte, ne mbetëm të trazuar.
Pastaj mjegulla e përpiu ngadalë
si një hero legjendar
kush nuk bëri asgjë të rëndësishme,
veç të qëndrojë aty me këmbë të mbarë
është nga raca e sotshme e padobishme
është … Parlamentar.
Commentaires