top of page

Midis kohës dhe diskursit tek „Koha në mes“




Midis kohës dhe diskursit tek „Koha në mes“

Nga Fatmir Terziu


Teksa shkojmë të ndajmë shënimet e pasleximit me atë që ndjesia e thek pos shkrimit në romanin „Koha në mes“ (2022) të shkrimtares Raimonda Belli Gjençaj, natyrshëm forma diskursive të sjell faktin e njohur se letërsia, e cila ka formuar konceptin tonë të ligjërimit, mund të shërbejë si një dokumentacion letrar i historisë së ligjërimit. Në këtë pikë enkas kuptojmë se gjithmonë është shumë interesante forma diskursive, se si letërsia përshtatet në narrativin e tillë. Shpesh rezultatet janë shumë befasuese për lexuesit e ndryshëm, pasi koha, vetë ajo koha e këputur në mes, apo dhe rrjedha e mbetur në kohën e tyre, krijon një kohë të turbullt, që hera-herës ngjall kthim, ndalesë, ose edhe turbulencë duke e quajtur realizëm. Dhe, kjo ndoshta nga fakti, që imazhet personale, të cilat njeriu krijon kur lexon romanin „Koha në mes“ të ndodh sikur nuk përputhen me ato të ngjeshura në memorje e në shënime. Për shembull, perceptimi me trajtesën e personazheve, stigmën perceptuese të kohës, hapësirës dhe ambientit, nëntekstin e kodifikuar të komunikimit, si tek Stela, Nina, Valentin apo Mersin Sinori etj., ndodh që ta shohim ndryshe nga sa e kemi njohur kur gjejmë emrat konkretë të diskursit të tillë historik si protagonistë dhe interpretues të vetë këtij diskursi, si në rastin e leximit që vë theks tek Musine Kokalari, Vehbi Skënderi e Natasha Lako.

Ndërsa në rastin e parë pyetjet janë tek perceptimi, tek rasti i dytë ngrihen pyetje, sikur të jemi pranë ndonjë filmi, se ndodh që me atë grup kemi ndoshta memorje të tjera 'realiste', ndoshta kemi shtjellime, mendime, kapje, apo momente të derivatshme, e ndoshta ngrihen pyetje që mund të shkojnë në detaje personazhesh.


Lexuesit duke lexuar këtë narrativ duken se kanë thjesht një arsye më shumë të ndalen në vetë formalitetin 'realist' të këputjes në kohë dhe të perceptojnë shije të ndryshme dhe gjithçka, por që në fakt janë të njëjtat ide, që autorja i ka trajtuar me një stil fin, të ndjeshëm, rrjedha-rrjedhës, diskursiv, të qartë e të lexueshëm për të gjithë. Në fakt, nuk duhet keqkuptuar, por duhet thënë se kjo është ajo që e bën jetën kaq të ndryshme dhe pse mund të ekzistojnë shumë këndvështrime të ndryshëm për të njëjtën temë, e cila mund të shihet nga kënde të ndryshme. Çdo përshtatje e tillë me një qasje historike, dhe që vjen në shërbimin e duhur, në shërbimin e letërsisë është një interpretim personal i shkrimtarëve, po aq dhe i lexuesve, aq më shumë dhe të atyre profesionistë në të shprehur. Ajo që mbetet pozitive, duhet thënë se të gjithë në fakt, si ata që kanë kohën më pas, dhe ata që e shohin kohën në këndin tjetër duhet të mendojnë se si ta përkthejnë romanin në gjuhën e tij domethënëse, pasi çdo mendim ka karakteristikat e veta.

Ky shkrim do të përmbledhë disa nga veçoritë e romanit „Koha në mes“ të shkrimtares Raimonda Belli Gjençaj, që vjen për lexuesin pas tre romaneve të tjera të saj “Epitafi i fundit”, “Butonat prej platini”, “Shtatë shpirtërat e Terezës” dhe të ndjesisë aestetike-artistike, veçanërisht në aspektin kohor dhe ndryshimet që kërkon transformimi. Dua të vë në dukje lidhjen e historisë-kohës dhe diskursit-kohë dhe me cilat probleme shihen format më të reja e evoluese të këtij narrativi, që pa ndjesinë emocionuese të ngërthen në struktura të thukëta kohore. Burimi im në fakt ka qenë një shkrim i Profesorit të nderuar Ilinden Spasse, që në fakt pasi ma solli në Londër për botim tek „Fjala e Lirë“, vetë mënyra se si e kishte shkruar më ngacmoi, po aq sa u ndjeva kurreshtar dhe për trajtesën fiktion të mbiemrit tim rastësor, „Terziu“ në këtë roman. Dhe kështu pas marrjes së romanit, me përfundimin e leximit të tij të shpejtë, ajo që më ngacmoi më tej ishte forma e ligjërimit në këtë strukturë narrativi. Kjo formë ligjërimi, dua ta theksoj, se përveç kuptimit të zakonshëm të ligjërimit në trajtesën bashkëkohore, më jepte arsyen të ndjeja se aty, pra në narrativ, çdo person i interesuar për këtë temë do të arrinte mjaft shpejtë të gjente kufijtë e të kuptuarit të ligjërimit si subjekt, kur të arrinte tek format e ndryshme që trajtohen historikisht si strukturë e ndjeshme të vetë ligjërimit (diskursit). Ndërsa dihet në të vërtetë, se ligjërimi ka historinë e vet dhe një histori e tillë ligjërimi është pjesë e këtij narrativi, norma diskursive e tij na jep mundësinë të shtjellojmë më tej termat „histori“ dhe „diskurs“ ku midis vetë kohës në mes ka dhe vetë mes-lënie, të individit, fatit të tij, karakterit të tij dhe sidomos atë që e ndërlidh me femrën, gruan që sillet si pikë e lëvizshme në këtë roman.

Koha në mes“ na shpie kështu tek dy pyetje që shtjellojnë dhe kërsherojnë hulumtimin, dhe që janë dy çështje në fakt, çështja se çfarë tregohet (histori) dhe pyetja se si tregohet (diskursi). Prandaj, termi 'histori' mund të përkufizohet si përmbajtja e një shprehjeje narrative e cila është bazë për të gjithë narracionin, dhe termi 'diskurs' mund të formulohet si forma/mënyra në të cilën shfaqet dhe shkruhet kjo përmbajtje. Ky është fakt, kur shënimet e leximit na sqarojnë se përmbajtja e „Koha në mes“ u referohet ngjarjeve, personave, vendeve, sikurse është ndjerë. Mënyra se si është rregulluar dhe organizuar stilistikisht kjo përmbajtje në këtë roman natyrisht flet dhe tregon lidhjen e ngjarjeve, renditjen e kohës dhe vendit të disa pjesëve të veprimit që në formën më të mirë diskursive na japin mesazh të qartë për kohëzgjatjen, perspektivën dhe shpeshtësinë e rrëfimit. Faqja 216 e këtij romani natyrisht është një shembull. Leoni flet si ushtarak dhe shkurt, që rreket të stigmatizojë 'disiplinën ushtarake', dhe më tej mënyra se koha është ulur në këtë disiplinë të vetë asaj kohe të bëjë karakteristikën „Vajzë nga familje e mirë, prindërit anëtar partie, i ati kuadër, kryetar kooperative, e ëma, llogaritare, dy vëllezër me shkollë të mesme profesionale dhe vajza vetë kandidate për universitet“ (Gjençaj, 216).

Këtu shihet qartë, sikurse do të ndjehen më tej forma të tilla të theksuara e të ndjeshme në narrativ si „vetëm sekretin tjetër nuk ua zbuloi“; „do të martohem“; „Davidi tundi kokën me mosbesim“; „na leverdis që të martohemi…“; „Nera Darova hyri si nuse në vilë“; „duket si një film i kthyer mbrapsht“, „britma e nuses kishte bërë leskra edhe gëlqeren e mureve“; „oktapodi i biografisë“ e të tjera, natyrshëm mbesin një arsye më shumë tek marrëdhënia mes tregimit dhe ligjërimit (diskursit shtjellues). Kur analizojmë këtë fakt, kuptojmë se marrëdhënia ndërmjet tregimit dhe ligjërimit prek dhe sjell parasysh dy aspekte, së pari, raportin e ndryshëm ndërmjet kohës së rrëfyer (koha e tregimit) dhe kohës së rrëfimit (koha e diskursit), dhe së dyti, mes kësaj kuptohet vetë rregullimi i kohës në veprim, që janë përdorimi i kthesave të prapambetura dhe të ndjesive të shpejta. Këto dy aspekte janë baza për qasjen tipologjike tek „Koha në mes“, prandaj me një ndalesë të përciptë, pa një përshkrim të hollësishëm të tyre, nuk mund të kuptohet e të pritet me thikë forma realiste, që e cila në fakt mbetet larg e shumë larg shtjellës së saj narrative, pasi koha që e formësoi realizmin në Francën e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe zgjati deri në fillim të shekullit të njëzetë, ishte vërtetë një kohë në mes për vetë letërsinë shqiptare, që në atë kohë kishte arstet e saj. Nëse kuptojmë se realismi përshkruan njerëz, vende dhe histori të njohura, kryesisht për shtresat e mesme dhe të ulëta të shoqërisë dhe kërkon të tregojë një histori sa më vërtetë të jetë e mundur në vend që ta dramatizojë, apo romantizojë atë, kthesa e vetë këtij formati është një arsye më shumë subtekstuale në roman.

Sidoqoftë, romani „Koha në mes“, nuk është thjesht një narrativ voluminoz me mbi pesëqind faqe, por një roman me një gjuhë të bukur, të rrjedhshme, të diktuar mjaft mirë në aspektin e rrëfimit, të plotë e mjaft tërheqës. Është një roman që shkon në kohë, hapësirë e vend të shtjhellojë preambulën e tillë filozofike, që të na bëjë të shënojmë atë që gjithkujt i duhet për vëmendje e rrugëtim të mbarë, gjë që vjen nga vetë autorja në faqen 526 kur këshillon „Zgjidh të keqen më të vogël, bir…“

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page