Mesazhi pas një “enigme”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 28, 2020
- 3 min read

Nga e majta në të djathtë: Im Atë, Dail Terziu, ditën kur ai ishte i dekoruar me “Medaljen e Punës” viti 1969 me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë. I dyti xhaxhai im, Rexhep Terziu, i vetmi vëlla i babait, dhe unë në moshën 5 vjeçare. Dalë në Poliçan të Skraparit.
Fatmir Terziu
Ku është Shtegu? Këtë pyetje nuk e kam për veten. As për Ju. As … për fëmijët tuaj. Këtë pyetje nuk e kam për të gjithë. Këtë pyetje nuk e kam pyetje. Edhe pse Ju do t’i vendosni me gramatikë, me rregulla drejtshkrimore pikëpyetje, Unë ende mendohem se kë shenjë pikësimi do të duhet të vendosja në fund të kësaj enigme, enigme disi shqetësuese. E fundja nuk e kam për notën që duhet të më vihet nga korrektonjësi, as nga ajo që do të zgjojë leximi i kësaj note shqetësuese. Fundja…
Ku është Shtegu? Një shteg që këndon me hijeshi me dihamën tënde, me aromën e trupit tënd të gjallë, me lëvizjen e flokut të mbetur në suprinën e kokës mbi ballë. Në lartësitë e Parajsës Më të Lartë? Kam dëgjuar, prej teje i shtrenjti Baba, se si e quajnë këtë vend. E di me emër, me vendndodhje, me shenjat e së shkuarës, me faktet e të shkruarës, me rrëfimet e së djeshmes, me udhëzimet e të ndjeshmes.
Nga miti më i lartë, drita e gjatë dhe retushimi i ndjeshëm i një dore të padukshme, mbi një mahijë të mbushur me aromë, nën një réfryrje të shkurtër syri udhëton i qetë për në qytetin antik të Jetës. Qyteti i Jetës është një qytet me antikitet të madh në Botën e Madhe dhe të Vogël, që i përket vetë Udhës, ku Njeriu lind, ngrihet, shtrihet dhe … pyet për këtë emigmë: Ku është Shtegu?
Ishte një shenjtor dhe një shenjtërore e padukshme në ditët e kësaj fryme shqetësuese, që doli nga e padukshmja dhe që kërkoi në bekimin profetik të regjistruar në Librat e Shenjtë zgjidhjen e vërtetë. Kur fjalët u mundën nga Fjala, kur mbeti vetëm enigma, të gjitha kurreshtjet përnjëmend, gjetën strehë në këtë vend. Sot, kjo strehë është e njohur për një hartë të madhe që rritet përditë dhe që ende nuk është votuar të hyjë në sinorin profetik të Tokave të Shenjta.
Kjo strehë nuk është as në ndonjë hartë. Edhe pse strehëza të tilla janë harta më e vjetër e njohur e Tokave të Shenjta. Detajet janë befasuese dhe streha është e bukur. Në fakt, kjo strehë është aq e saktë sa të mëtejshmit, vazhduesit e Qytetit të Jetës e kanë përdorur atë për t’i ndihmuar të zbulojnë vendet e mëtejshme mistike, kur nuk ishin të sigurt për vendndodhjen e tyre në errësirën e ikjes. A nuk është e bukur?
Na duhej të prisnim jashtë Fjalëve të përcjelljes, derisa fjalët e shtruara ishin në udhën e tyre … në udhët e tyre. Ndërsa prisnim dihatjet, udhëzuesi ynë, Fati i Njeriut, shpjegonte në heshtje atë që do të shihnim dhe na dihaste nga padukshmëria, se çfarë të kërkojmë një herë brenda enigmës. Isha duke qëndruar në këmbë (duke u përpjekur të isha në pikën e duhur) mu nën një pemë ulliri. Ndërsa ndiqja me sy dhe ripërsërisja “Ku është Shtegu?”, më dukej sikur kurrë më parë nuk kam qenë kaq afër një dege ulliri!
Ku është Shtegu? Qielli i shtatë, i shtatë qiejve.
Ku fjalët, përshpirtjet, dhimbjet dhe lamtumirjet … dhe të gjithë Fëmijët e Shpirtit, vallëzojnë.
Rreth e rrotull në livadh, aty ku rriten lulet, ku i Përjetshmi sheh dhe vegjeton se si lulëzon Pema e Jetës.

Ku është Shtegu? Qëndro i qetë, pëshpërit Kumuria, qëndro i qetë reagon Pëllumbi. Ju keni një çelës! Është fryma. Ajo më pëshpërit. “Ndiqni frymën tuaj”. Për ku pyes veten, për ku? A duhet të marr frymë? Synimi i mendjes sime, qëllimi i zemrës sime, i lidhur nga një unazë e artë, rrymat e frymëmarrjes, në frymëra rrethohen. Kjo nuk është më enigma!
A e keni ndjerë atë? Ai moment qetësie. Pas hyrjes dhe para daljes ..., drejt hyrjes dhe ndaljes. Unë heshta dhe tunda kokën. Ku është Shtegu?
I dashur Baba, buzëqeshja filloi të mbulojë horizontin. Duke shtruar e shkundur me shkëlqim grimin e Ditës, ndjeja arsyen e kësaj enigme. Përgjigja është mesazhi i çdo dite. Nuk është thjesht një …Është Dashuria që duhet të rritet!
“Po!!” “Po!!” “Po!!”
Elbasan, e hënë 21 Shtator 2020 ora 16:00.

Comments