top of page

Mes mikpritësish




(Mbresa)

Në fillimvitin 1990, kur po mbusheshin 29 vjet nga largimi im prej Bukureshtit, ish-kolegu im rumun i fakultetit, doktor inxhinieri Aurel Jonel, bashkë me një letër të ngrohtë e plot mall, më dërgoi edhe ftesa për të katër pjesëtarët e familjes sime që të qëndronim në shtëpinë e tij një muaj. Bujarinë menduam ta „përgjysmonim”.

Pra, do të shkonim vetëm unë dhe im bir, Ardiani. U paraqita në Ambasadën Rumune në Tiranë, ku, pasi na bënë disa pyetje formale, na e dhanë vizën. Ishte vërtet një gëzim i madh, sidomos për mua. Pas disa ditësh ia hipëm avionit, - asokohe kish linjë direkte për në Bukuresht dhe biletat ishin të lira, - e, në më pak se tri orë, mbërritëm në kryeqytetin rumun.

Në aeroport na priste vetë Aureli. Hipëm në makinë dhe, pa kaluar as treçerek ore, u gjendëm në qytetin Targovishte, në të cilin mikpritësi ynë ish lindur e vazhdonte të banonte. Aureli, me të cilin kisha ndenjur në konvikt në të njëjtën dhomë, ishte fenomen i vërtetë. Në një kohë që neve të tjerëve na duhej të qëndronim pingul mbi libra, Aureli i thithte të gjitha njohuritë me një të lexuar të shpejtë.

Një revistë e njohur e matematikës së lartë i jepte vazhdimisht çmimin e parë për zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara. Titullin doktor i shkencave e ka marrë me një temë që sjell ndihmesë të ndjeshme në metodat e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës e të gazit. Në revista rumune e të huaja, kryesisht angleze, franceze dhe amerikane, Aureli boton dendur artikuj shkencorë, që lidhen, në radhë të parë, me përdorimin e aparatit matematikor në kërkim-zbulimin e mineraleve të dobishme. Megjithatë, ishte dhe ka mbetur modest e i dashur me të gjithë. Edhe familjen e ka të mrekullueshme.

E shoqja, Elena, gjithashtu inxhiniere nafte, që ndrroi jetë para disa muajsh, ishte zonjë e vërtetë, njëlloj bujare dhe korrekte, si i shoqi. Vajzat, Daniela dhe Kristina, të edukuara me kujdes e përkushtim, kurdoherë kanë shkëlqyer në mësime e në sjellje. Njohëm edhe prindërit e të afërmit e çiftit Jonel - të gjithë njerëz të ndershëm e të sjellshëm.

Javën e fundit u ndamë nga familja Jonel dhe, sëbashku me njërën nga vajzat e Lasgush Poradecit, kaluam disa ditë në gjirin e familjes së të ndjerit Tanas Bora, nip i Lasgushit. Shtëpia e Tanasit atëhere ndodhej në skajin verior të Bukureshtit. Burrë e grua na pritën krahëhapur e s’dinin si të na kënaqnin, megjithëse mundësitë ekonomike i kishin të pakta. Maria, e shoqja e Tanasit, përditë gatuante gjellë shqiptare, të cilat Tanasi nuk i harronte, pavarësisht se nga vendlindja ish larguar në moshë fare të njomë. Edhe shqipen e fliste qartë e bukur. Mjerisht, nuk pat mundur t’ua mësonte edhe tre fëmijëve të vet. „As kjo vllahinka ime nuk ma di gjuhën e nënës” thosh Tanasi, njëherazi me shaka e me dhembje, për Marien. Gjatë bisedave, zumë shpesh në gojë Lasgushin, por edhe të vëllain, gjeneralin e artilerisë rumune, Vangjel Gusho, me të cilin kisha pasur letërkëmbim e, kur erdhi në Shqipëri në vitet '70, më dhuroi gramatikën e gjuhës rumune, botuar në dy vëllime nga Akademia Rumanisë, dhe fjalorin enciklopedik të saj. Vangjeli nuk ishte shpërthyes si Lasgushi, fliste pak e dëgjonte me durim cilindo. Kur mbërrita në Rumani më 1990, për fat të keq nuk jetonte më.

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page