
Sot mbushi shtatë muajsh nipi e s’fjeta,
Me frymën e mallit gjumin e trëmba,
Sa qejf që Maresit i duket vetja
Princ i kaltër i ëndrrave të ëmbla.
Mes lodrave si zotërues i botës,
I ka të tijat të gjitha gjërat,
Nuk është trazovaç, edhe pse gojës
I paduruar kërkon t’ia hedhë të tëra.
Edhe pse gjithçka e fut në gojë:
Kukulla, celular a pult televizori,
Ngaqë ka liri të bëjë çfarë të dojë,
Rri serioz e mban qëndrim perandori.
Mares bukuroshi është trimosh i babës,
Më duket si dragua me shtatë zemra,
Si Mbreti Luan në botën e përrallës,
Si ketër këmbëshpejti në rrethoren brenda...
Aty qesh, aty qan, sipas situatës,
Një sekondë nuk do të rrijë vetëm,
Përzien lodrat, i ha veshin xhirafës,
Një lodër flak tutje, zgjat dorën për një tjetër.
Shtatë mrekullitë e botës së lashtë
S’janë gjë para Syrit me shtatë drita,
Maresit nuk i intereson bota jashtë,
Kapedani e ka aty botën, me të gjitha!...
Tek ajo rrethore, (sinonim i djepit)
Kur bën mëkatet e vockla fëminore
Më ngjan si estetikë e universit,
Ç’lirikë me shtatë notat muzikore!
Përqafim digjital nga Gjyshi dhe Gjyshja

03.05.2020, 23:55’
[Ujë i Ftohtë, Vlorë, karantinë shtëpie]
Comments