top of page

Mentor Serjani: UNIVERSI I NJË BOTE TË VOGËL…



Nga Mentor Serjani


EsseNjeriu lind në këtë botë, si të gjitha qëniet e tjera të gjalla. Dhe kur lind quhet NJERI! Të gjitha qënieve të tjera njeriu u vuri nga një emër origjine, por emrin NJERI, ende nuk dihet se kush e ka  vënë. Çdo njëri që lind, rritet, ushqehet, edukohet nga njerëzit e tjerë. Dhe kështu kjo trashegohet brez pas brezi. Bëhen shpenzime të mëdha për shkollimin dhe edukimin e njeriut, por prapëseprapë në përgjithësi njeriu nuk bëhet NJERI. Shumë pak njerëz e justifikojnë këtë shpenzim kolosal të njerëzimit. Shumica shndërrohen në shërbëtorë kafshësh, por edhe të njerëzve kafshë. Kthesa e njerëzimit nuk bëhet në kohën e duhur për së mbari, por për së prapthi. Këta lloj njerëzish nuk janë nën pushtetin e llogjikës, por nën pushtetin e instikteve. Vitet e shkollimit janë shumë të pakta, nga mosha tre vjeç e deri në njëzet e tre vjeç. Në qoftë se një njëri jeton fjala vjen tetëdhjetë vjeç, vetëm një e katërta e jetës së tij kalon në shkollë. Por, nga këto vite të shkollës, nuk janë të gjitha të ndërgjegjshme. Në arsimin parashkollor, shkollor deri në mbarim të shkollës 9-vjeçare sapo fillon ndërgjegjësimi, pra fillon të njohë veten se kush është, por ende nuk e di se përse mëson. Vetëm se, kur është në një shkollë të mesme profesionale, informohet se do të bëhet mësues, infermier, teknik ndërtimi, mekanik etj., por ende i turbullt. Me mbarimin e shkollës së mesme dhe asaj të lartë fillon gati të «kristalizohet» ndërgjegjia e kulturuar e admiruar qytetare. Thuhet se në këtë moshë njëriu del në jetë. Mirëpo jeta nuk është si shkolla. Jetën e ka krijuar një fuqi e mbinatyrshme dhe nuk dihet se kur e nga se e krijoi kurse shkollat i krijuan e i krijojnë njerëzit, sipas interesave të tyre. Bota është krijuar dhe zhvillohet në bazë të disa ligjeve që formojnë të gjitha një LIGJËSI. Ligjet e natyrës nuk mund të ndryshohen sepse krijohen çrregullime të mëdha. Mirëpo ja që njëriu ndërhyn në mjedisin e tij përreth dhe natyra të ndëshkon për pak kohë ose për një afat të gjatë. Korrupsioni, krimi, prostitucioni në pamje të jashtme duken si veprime logjike, për logjikën e një dritëshkurtëri ndaj arsyes, por janë edhe forca të verbëra, pa ndijime dhe perceptime. Të tillë njerëz janë qënie biologjike të xhunglave, pa shqisa. Pra, në qoftë se do besojmë se përsosmërinë e figurës morale, estetike dhe njerëzore të njeriut, do t’ia arrijë vetëm shkolla, atëherë kemi humbur edhe ato vlera që i kemi mësuar dhe ndjerë sado pak në shkollë. Pas mbarimit të shkollës, quhet gjithçka e përfunduar dhe thuhet se '’filani’’ doli në jetë! Por në fakt ai sapo ka hyrë në jetë në jetën e pavarur. Në qoftë se ky njeri do të futet në jetën aktive, do të mësojë shumë gjëra, të cilat pas dekadash, do ti duket sikur njohuritë shkollore, i ka marrë jo për njëzet vjet, por për njëzet muaj. Shkolla, sado e avancuar të jetë, nuk është e barabartë me jetën. Shkolla është një pjesë shumë e vogël e jetës. Ndërsa e gjithë jeta është shkollë. Jeta është e pafund dhe nuk është aq sa i jepet njeriut. Njeriut i jepet një jetë e shkurtër. Pas mbarimit të shkollës, njeriu fillon një punë për t’u ushqyer. Dhe bëhet skllav-i kësaj pune, duke përsëritur çdo ditë një ritual monoton. Kështu ai gradualisht shndërrohet në një skllav të një guacke me mbulesë kitinore, pra pa shpirt. Kështu njeriu dalëngadalë rreshket, zvogëlohet thahet, mbetet dhe më në fund flaket nga natyra, nga ajo natyrë që e dha, si të jetë hakmarrë me të, si të jetë bërë pishmënd për të. Pra ky është Universi i një njeriu të rëndomtë, një Univers (po ta quajmë kështu) pa vlerë, i një njëriu të vogël…hiç! Por si duhet ta jetojë jetën një njëri me aspirata dhe a kanë vdekje të tillë njerëz? Kurrën e kurrës. Jeta është një kujtesë. Disa njerëz kujtohen vetëm nga emri që kanë, disa e lënë prapa me vepra. Shoqëria e sotme ka shumë probleme. Këto probleme duan një zgjidhje. Zgjidhjet i japin njerëzit e avancuar, të përparuar, ata që sfidojnë të tashmen, por edhe të ardhmen… Dhe e ardhmja është një botë më e madhe, një Univers më i madh…

44 views0 comments

Komentar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page