top of page

Mentor Serjani: Për detin mbeta një fëmijë kureshtar

( i motivuar nga kënga perlë e Zija Saraçit)



Sot, më 9 qershor, në ditën e Frymës së Shenjtë, çelëm sezonin e plazhit. Filluam banjën e parë këtu në Athinë, buzë Detit Egje, aty ku vala përkëdhel bregun me një dashuri të heshtur dhe të pandryshueshme.Deti, për ne që u rritëm pranë tij, nuk është thjesht ujë e horizont i pafund — është një ndjesi që na rrjedh në gjak, një copëz e shenjtë e shpirtit tonë. E quajmë “deti ynë”, jo për pronësi, por për përkatësi emocionale. Kjo ndjesi na lind vetvetiu, jo vetëm për Jonin dhe Egjeun, por për çdo det të kësaj bote që na është bërë si vëlla — si një forcë që të jep jetë dhe kujtime në të njëjtën kohë.Në këto çaste, më vjen ndërmend “Kënga e Marinarit” e Zija Saraçit, një perlë që përshkon brezat. Më ngjallet kujtimi i këngës së Luan Zhegut, “Pranë Detit”, dhe po ashtu tingulli epik i këngës labe “O ju djemë që çatë detin”, një himn për ata që sfidojnë thellësitë.Deti flet gjithmonë. Ai flet me zhurmën e tij: me shushurimën e butë mbi rërë, me përplasjen në guvat e fshehta, me jehonën që del nga shpellat e tij, me valën që puth tokën dhe me stërkalat që, si gishta të padukshëm, masazhojnë shpirtin tonë. Kjo ndjesi është më shumë se freski — është një gjendje përhumbjeje, që të fut ëmbëlsisht e magjishëm në thellësinë e tij, në misteret që ruan, në botën e gjallesave, në njerzit që jetojnë me të dhe mjetet që e çajnë ,me zhurmën e tyre të vazhdueshmeNëpër autostradat e tij ujore lëvizin anije e trupa, duke ndjekur rrugët e ndriçuara nga faret, shenjat, simbolet e detit — të gjitha mbartëse të historive, të bukura e të dhimbshme, që ndonjëherë nuk janë shkruar askund tjetër përveçse në kujtesën e valëve.E megjithatë, deti nuk është vetëm mister e muzikë — ai është jetë. Të fal jod, të ushqen, të forcon trupin dhe të relakson shpirtin. Të kujdeset në mënyrën më natyrore që ekziston, pa kërkuar asgjë në këmbim.Sa i madh është deti! Dhe sa i madh, i thellë e i ditur duhet të jesh për të folur me të, për të kuptuar heshtjen dhe zërin e tij, për t’i lexuar valët si faqe libri të shenjtë.Unë, sa herë ndodhem pranë tij, mbetem një fëmijë — kureshtar, i mahnitur, me sy që ndjekin horizontin dhe me zemër që rreh si për herë të parë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page