Mentor Serjani: HEROINA MARO (METE) KONDI E ÇORRAJIT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 28
- 3 min read

Mentor Serjani.
Sipas materialit folklorik që disponon Instituti i Kulturës Popullore (ish-Instituti i Folklorit). Marua është e njohur edhe me emrin Mete por edhe Meteja. Ishte e bija e Kondi Dukës, e martuar në fisin Kolekaj. Ajo lindi në fshatin malor, Çorraj të Kurveleshit. Nga bashkëfshatarët e kesaj trimëreshe kanë dalë një serë luftetarësh, si: Dukë Kondi, Malo Duka, Foto Kopali, Mëhill Qirjaqi, etj. të cilët gjatë gjithë jetës luftuan me armë në dorë kundër turqve. Në vitin 1847 vala e kryengritjes u shtri që nga Mallakastra deri në Çamëri. Së bashku me bijtë e tjerë të Kurveleshit, edhe trimat e Çorrajit u hodhën në luftë kundër pushtuesit. Lufta ishte e ashpër Numri i pushtuesve që erdhën në vendet tona, s'kishte te sosur. Nga tymi i dufeqeve, malet mjegullonin, nga gjaku i ushtarëve skuqeshin lumenjtë. Të ashpra u zhvilluan luftimet gjatë lumit Shushicë. Atje trimat e Çorrajt e derdhën gjakun, së bashku me luftëtarët e Kuçit, Kallaratit e Bolenës. Dimri i egër i vitit 1847, i gjeti krerët e kryengritjes të fshehur nëpër gërxhet e grykat e thepisura te maleve të Labërisë. Pushtuesit përpiqeshin me çdo kusht te shtinin në dorë Zenel Gjolekën me shokë, por më kot, ata i mbronte populli. Dimrin e vitit 1847, Gjoleka e kaloi në fshatin Çorraj, në vendin e quajtur Harapi. Turqit kishin informacion për këtë. Ata dërguan forca te shumta nga dy drejtime: nga Borshi i vjetër dhe nga Rrëza e Vake. Banorët e fshatit u shpërngulën në mal, kurse luftëtarët u rreshtuan në pozicione luftimi, duke u shtrirë që nga lumi deri në Katafigj. Turqit zunë të gjitha rrugët dhe vendburimet nga furnizohej mali me ujë, për t’i shtrënguar trimat shqiptarë të dorëzoheshin nga etja. Por këto u kapërxyen nga vëndësit, pasi vetë ata gjetën rrugë te reja kalimi, për t’u furnizuar me ujë, pa u diktuar nga hordhitë osmane. Në një pasdite të vonë, turqit mundën të kapnin në befasi, duke mbushur ujë, bijën luftëtare të fshatit Çorraj, trimëreshën Maro Kondi, që kishte zbritur fshehtas nga mali për të furnizuar luftëtarët me ujë Turqit në fillim e morën me të mirë Maron, që t’u tregonte shtigjet e reja, por nga goja e saj, nuk dilte asnjë fjalë. Atëherë, në pamundësi për t’ia arritur qëllimit me te mirë, filluan ta torturonin. Ata e detyruan me kamxhik te ecte në gjurmët e këmbëve te saj, andej nga kishte ardhur. Por shtegu për në vendstrehim (Katafigj), ishte shumë i ngushtë dhe i rrezikshëm. Nga pakujdesia më e vogël, mund të bjerje në humnerë pa asnjë shpresë shpëtimi. Ushtarët turq, që ecnin këmbadoras, të lidhur me litarë njëri pas tjetrit, shikonin të tmerruar humnerën e pa fund që shtrihej poshtë këmbëve të tyre, kurse Maro Kondi, megjithëse e torturuar, ecte krenare në ballë të kolonës armike, me fëmijën e saj në duar dhe mendohej se si t’i shfaroste turqit. Kur arriti në kthesën e faqes tjetër te malit, në një vend tepër të rrezikshëm, ku mund të kalohej, vetem brinjazi, duke u mbajtur me zorr pas shkëmbinjve të thepisur, Maro Kondi që ecte në krye, u kthye mbrapsht dhe me rrëmbim hodhi ushtarin e parë turk në humnesë, që vinte pas saj, i cili mori me vete të gjithë ushtarët që qenë të lidhur me të. Britmat e lemerishme të turqve që ranë në humnesë, u dëgjuan anëmbanë vëndit. Ushtarët e tjerë u vërsulën mbi këtë bijë heroinë shqiptare e cila pasi tërhoqi pas vetes edhe një nga ushtarët që e kishte mbërthyer, u hodh në humnerë së bashku me fëmijën e saj. Në këtë kohë, luftëtarët shqiptarë, që sapo kishin dëgjuar e mbërritur, ua mbyllën shtegun e kalimit turqve të mbetur në qafë të malit. Kështu që, edhe keta përfunduan në fund të humnerës, te coptuar pas shkëmbinjve dhe gurëve që u binin si breshër mbi kokat nga lart. Ditën e nesërme, forca të tjera turke e sulmuan atë vend të thepisur malor. Lufta u zhvillua e ashpër. Thuhet se shkëmbinjtë e Katafigjit u skuqën nga gjaku i të vrarëve dhe të plagosurve. Rreth nëndëdhjetë ushtarë e oficerë turq u gjëndën të coptuar nëpër shkëmbinjtë. Heroinën Maro Kondi, së bashku me fëmijën e saj, luftetarët shqiptarë e varrosën poshtë Katafigjit, në rrezë të Harapës, te Guri i Gjatë. Një vepër të tillë, një heroizëm të tillë nuk e ka bërë asnjë luftëtar, qofte grua, qoftë edhe burrë, në të gjithë botën, veçse një Maro Kondi shqiptare.









Comments