MENDIM NDRYSHE SE E KEQJA E SHQIPTARËVE U VJEN NGA VETË SHQIPTARËT!.
- Dec 12, 2023
- 3 min read

MENDIM NDRYSHE SE E KEQJA E SHQIPTARËVE U VJEN NGA VETË SHQIPTARËT!.
Nuk mendoj se çdo e keqe, apo pengesë vjen si produkt i gjithë shoqërisë. Nuk duhet të absolutizohet mendimi që ka shtrirje kohore mbi një shekullore se: “E keqja e shqiptarëve u vjen nga vetë shqiptarët”
Arësyeja pse mendoj ndryshe:
I ndjek portalet e pas nëntëdhjetës, mundohem të ndikoj me komente aty ku mendoj se ka çalime. Lexoj artikujt dhe pastaj komentet e ndryshme. I dalloj shumë shpejt si autorët e shkrimeve (artikujve) dhe ata të komenteve. Nga analiza e bërë për të dy rastet, kam dalluar se artikujt seriozë dhe të kuptimtë, realë, kohor dhe të përgjegjshëm, përballen me dy lloj komentuesish. Komentuesit seriozë, jo vetëm mbështesin mendimet e autorit, por japin dhe mendime shtesë dhe të vlefshme; ndryshe komentuesit e tjerë, me komentet e tyre tregojnë mos njohje të jetës që i duhet shoqërisë dhe kapërcejnë degë më degë. Në shumë raste as që lidhen me temën që shtron artikulli. E njëjtë ndodh edhe me artikujt jo seriozë, jashtë realitetit.
Në këtë analizë, u arrit të kuptohen pa vështirësi, si artikujt dhe komentet e niveleve të larta kulturore dhe arsimore të autorëve të përgaditur në shkollat e para nëntëdhjetave dhe autorët e artikujve e komenteve të niveleve të ulta (pa taban) të shkollave të pas viteve të nëntëdhjetës. Dallimi ësht tepër i dukshëm, jo vetëm në këtë sektor të arësimimit, por kudo, tepër i theksuar qëndron tek politikanët. Krijimi i partive politike me organizatorë të dalë nga një shoqëri e detyruar për tu përfshirë në "luftën e klasave", mbarti tek ata urrejtjen, hakmarrjen ndaj gjithçkaje, pa përjashtim, të arritjeve në të shkuarën. Kjo po ndodh dhe për ata të shkolluar në vitet e para të tranzicionit. Nuk harrohen recetat: terapia e shokut; ta nisim gjithçka nga zero; çeku i bardhë; etj. Nuk u arrit të kuptohej (ose nuk donin të kuptonin) se arritjet në të gjithë sektorët jetikë, kishin djersën, punën dhe dijet e popullit, të bijëve e bijave të tij të devotshëm. Nuk u arrit të ndahej nga e kaluara ideologjia partiake nga djersa e bujkut, nga rropatja e punëtorit që punonin me tërë forcat fizike e mendore për të siguruar jetën e familjeve dhe dobinë për zhvillimin e vendit. Pasojat, ishin katastrofike, gjithçka u dogj, u shkatërrua, vërtet shkuam tek zeroja. Veprime që jo vetëm nuk u korigjuan por vazhdojnë dhe sot të ndikojnë rëndshëm në jetën e të gjithë shoqërisë. Fryma partiake e krijuar vetëm mbi urrejtjen e së shkuarës, pa u seleksionuar, e njëjtë si nga të djathtët dhe të majtët, është në veprim edhe sot e 33 vjet me radhë, si në arsim, drejtësi, ekonomi, në fushat sociale, etj. që të gjitha sëbashku krijuan, forcuan dhe kurorëzuan "Mbretërinë e korrupsionit”.
Ç'fardo ndryshime të sjellin vitet, epokat, në këndvështrimin tim, duhet të mos guxohet të preken konceptet e ruajtjes së familjes dhe të arsimimit nëpër shkolla.
Familja dhe shkolla kanë qenë dhe mbeten shtyllat e ndërtimit dhe zhvillimit të çdo shoqërie njerëzore.
Mbasi i kemi kaluar këto ngjarje jo të përshtatshme ndër vite e dekada, mendoj se del vetvetiu konkluzioni se si para nëntëdhjetës dhe pas saj, nuk është i pranishëm faktori negativ si produkt i gjithë shoqërisë shqiptare, përkundrazi janë ideologjitë e huaja që importohen nga politikanët shqiptarë duke i marrë shabllon (derr në thes-thotë populli) dhe i vënë në zbatim, pa u studjuar mundsitë e përshtatjes së traditave, karakterit të shoqërisë shqiptare. Veprime këto që rrëzojnë dhe mendimin, apo tezën se: “Çdo popull meriton qeverisjen që i takon”.
Jo! Për mua absolutisht jo!.
Në të dyja rendet ekonomiko-politike dhe qeverisjet e tyre gjatë një shekulli, në të cilat jemi bashkëudhëtarë, ka predominuar i njëjti fenomen shoqëror. Në asnjë rast nuk ka funksionuar elementi demokratik për të zgjedhurit në drejtim, në udhëheqje të vendit dhe shoqërisë nga populli, por janë diktuar nga kupolat partiake, madje edhe më arbitrarisht kemi fenomene zgjedhore ku votimet bëhen për partitë dhe më pas partitë, më saktë kryetarët e partive emërojnë personat për deputetë. Në këto kushte, personalisht nuk e shoh se populli meriton qeverisjen që i takon. E keqja është importimi “bruto’ dhe anashkalimi i traditave mijëvjeçare të shoqërisë shqiptare ku zotëronte “pleqësia”, e cila fillonte me kryepleqtë e fshatrave e deri tek i “Maadhi” i shoqërisë. Nëse nuk do ndodh kjo, nuk ka demokraci, por autokraci mesjetare dhe kjo e importuar.
Por ç’farë nuk na dëgjojnë veshët edhe në ditët apo orët e sotme. Janë disa persona, që duke u krekosut, deklarojnë nëpër portale me plot entuziazëm: “Shqiptarët janë populli më koti!”. Mesa duket vetëm këto mostra qenkan plot?!.
Dhe justifikohen me lirinë e fjalës. Kur edhe liria e fjalës ka një kufi deri tek mos fyerja, apo dëmtimi i tjetrit, jo më të fyesh dhe të baltosësh një popull të tërë. Ku është forca shtytëse dhe mbrojtëse e këtyre bukë shkelësave? Po them njërën forcë, atë të mos funksionimit të Kushtetutës. Ka dhe të tjera që, i sigurtë i dinë të gjithë lexuesit.
Studjues, Fahri Dahri. 12 /Dhjetor/ 2023.-









Comments