top of page

MEMORIALI I EKSODIT TË DIBRANËVE


MEMORIALI I EKSODIT TË DIBRANËVE

Halil RAMA- Mjeshtër i Madh

  • Njëqindedhjetë vjet më parë, mijëra familje të Dibrës së Madhe, për tí shpëtuar genocidit të pashembullt dhe të dëbuar nga shovinistët serbë, pasi ecën për ditë e netë të tëra në këmbë, u vendosën në kryeqytetin shqiptar, të mikëpritur bujarisht nga tiranasit

Për shumicën e banorëve të kryeqytetit shqiptar janë të njohura: “Rruga e Dibrës”, “Mëhalla e dibranëve”, “Komuniteti dibran i Tiranës” (që për nga numri i banorëve është ndër të parët në rang metropoli)….Të parët e tyre, të dëbuar me dhunë nga shovinistët serbë erdhën para 110 viteve dhe gjetën strehë në Tiranë, të mirëpritur nga banorët e këtushëm autoktonë.

Njëqindedhjetë vjet më pas, pinjollët e tyre, të grupuar në Shoqatën “Bashkësia Dibranë” e përjetësuan këtë eksod në memorialin që u përuurua të shtunën me praninë e qindra dibranëve e tiranasve…dhe pse jo, edhe me të ardhur nga diasposra, nga Kosova e Ulqini…

Ndërsa përshëndeti i emocionuar në këtë eveniment historik të inaugurimit të Memorialit me titull "Në nderim të dibranëve të dëbuar, që u pritën zemer hapur nga tiranasit”, kreu i Shoqatës "Bashkesia Dibrane", pjesë përbërëse e një prej komuniteteve më të vjetra tradicionale në Tiranë, Prof.Bujar Kapexhiu-Nderi i Kombit, ndër të tjera bëri të ditur se «Nderojmë sot të ardhurit para 110 vjetësh në Tiranë, nga genocidi i përsëritur servo-sllav mbi trojet tona si dhe mbi qytetarët e trevës së Dibrës, që do të përjetonin masakrat më të pashoqa ndonjëherë” . Kapexhiu vlerësoi punën e shkëlqyer për të realizuar këtë monument nga arkitekti i njohur Afrim Shatku, dibran 24 karat, që jeton ne Shkup si dhe nga skulptori, Ardian Pepa, pedagog në Universitetin e Arteve të Tiranës. Kreu i «Bshkësisë Dibrane» falenderoj dhe familjen e z.Abdurahim Buza i cili dha dhe lejen e autorësisë për të përfaqësuar në Monumental temën e eksodit pasi në të njejtën periudhë kohore 1913 është vit i tmerrit dhe i kasaphanës, jo vetëm për dibranët dhe kosovarët por për të gjithë kombin shqiptar.

PËRJETËSIMI I EKSODIT MASIV TË VITIT 1913

“Memorial historik”, e ka vlerësua Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja këtë monument që përjetëson eksodin masiv të 1913. Duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë event mbresëlënës, ministri Manja tha se « Nuk duhet harruar kurrsesi fakti se, mbas konferencës së Londrës së 1913, trojet Shqiptare por dhe në veçanti treva e Dibrës së Madhe, e njohur ndryshe si Sh’ehri i Dibrës, pësuan humbje në njerëz dhe pushtim të territorit të saj padrejtësisht ». Kjo sipas tij për fajtin se Dibra nga një qëndër e rëndësishme ekonomiko-sociale, politike dhe kulturore, si një Prefekturë, e humbi rëndësinë e saj të dikurshme. Gjithsesi kreu i dikasterit të Drejtësisë vlerëson faktin që në Tiranë, qytetarët dhe paria e saj, me në krye kryetarin e Bashkisë së parë të Tiranës, bamirësin Zyber Hallulli dhe mjaft personalitete të kohës dolën dhe pritën të dëbuarit dibran nga eksodi masiv i vitit 1913, pikërisht këtu nga ku nis Rruga e Arbërit.

Pikërisht mu në këtë shtatore që u inagurua të shtunën në shehin para Fondacionit « Fundjave ndryshe », ato u pritën me zemër, me fisnikëri dhe me ç’të mundnin nga rrethanat e vështira të kohës.

«Nga një eksod masiv, prej popullsisë së Dibrës së Madhe, më 20 shtator të vitit 1913 do të shkëputen përmes genocidit, prej kësaj treve duke ecur ditë dhe natë në këmbë, të cilët ne i njohim me emërtimin si muhaxhirët dibran. Do të ishte kryetari i parë i Tiranës, Zyber Hallulli i cili sëbashku me prainë tiranase, do të dilte në Shkallën e Tujanit, me lot në sy, bukë, ujë dhe zemët të priste dibranët e sfilitur nga genocidi sllav », tha ndër të tjera ministri Manja. Si një nga përfaqësuesit më në zë të komunietit dibran në Tiranë, ministri më i suksseshëm i Drejtësisë i këtyre viteve vlerëson këtë forcë të vecantë, të mikëpritjes që karakterizon zakonet dhe traditën tonë shqiptare, e në veçanti Tiranën tonë, e cila na pranoi, por dhe na vlerësoj.

Gjatë viteve 1920 deri në 1945 e në vazhdim ka patur disa drejtues të rëndësishëm dibran të Insitucioneve kushtetuese, si dhe në jetën legjilslative, ekzekutive dhe vendore apo lokale.

Ministri Manja bëri të ditur se nga komuniteti dibran kanë dalë disa kryetarë Bashkie dhe Prefekët, duke filluar nga prefekti i parë i saj më 1920 si: Qamil Pepa, dhe Kryetari i parë i Bashkisë së Tiranës, Izet Shatku Dibra.

« Dibranët e Tiranës, mbi 110 vjet në Tiranë, nuk e kanë harruar kurrë mikëpritjen bujare dhe bamirëse të tiranësve, e cila shkon më tej duke shkëmbyer dhe lidhje famijare me njëri tjetritn.

Ashtu siç kemi në Kushtetutë tonë të Republikës së Shqipërisë, harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, si pjesë e panteonit të vlerave universale dhe lirive themelore të njeriut, po kjo natyrshmëri karakterizon edhe sot kombin tonë », vlersoi ministri i Drejtësisë. Ai tha se nuk duhet harruar pritja madhështore që kryeqyteti ynë Tirana, bëri jo vetëm për dibranët e eksodit genocidial të 1913, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe komunitetin Çam të 1945.

“Ne dibranët sot, jemi të nderuar me besim dhe dashuri, ndaj komunitetit tiranas i cili na hapi dyert, jo vetëm një herë por disa herë, jo vetëm për ne komunitetin dibran të Tiranës por edhe eksodit çam, toskë e më në fund edhe gegëve.

E ndjejmë si një princip moral por dhe komunitar, ashtu siç t’i përulemi Perëndisë, t’i përulemi me respekt dhe emocion këtij komunitetit të nderuar, që nuk kurseu asgjë, nga kjo golgotë Shqiptare », përfundoi fjalën e tij ministri Manja i cili u duartrokit fuqishëm nga pjesëmarrësit.

NJË VËSHTRIM HISTORIK

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Bashkesia Dibrane, Prof.Saimir Shatku, ndërsa ka falenderuar pjesëmarrsit në këtë event festiv, ka bërë një vështrim historik të ngjarjeve që çuan tek eksodi i dibranëve i vitit 1913. Ndër të tjera ai evidentoi krijimim 115 vjet më parë të Shoqërisë Patriotike dhe Kombëtare “Bashkimi Dibran”, e dalë nga nevoja për liri dhe pavarësi kombëtare, me në krye disa personalitete të kohës si Said Najdeni apo Hoxhë Vokrri, Hafiz Sherif Langu, Josif Bagleri, Ibrahim Jegeni, Jusuf Dibra Dohoshishti, e te tjerë. Z.Shatku vlerësoi gjithashtu kryengritjen e shtatorit 1913, si të parën kryengritje që i bashkoi shqiptarët kundër padrejtësisë që bëri Konferenca lajkatare e Londrës, me 22 mars të 1913 në dëm të viseve shqiptare

Me 27 nëntor 1913 armatat serbe sulmuan trevën e Dibrës. Popullata e Dibrës kaloi në gjendje gadishmërie, duke përballuar një situatë të rëndë politike, ushtarake, ekonomike dhe humanitare e cila arriti kulmin në verën e 1913.

Referuar burimeve historike vendase dhe ë huaja, Z.Shatku bëri të ditur se me 8 tetor 913 janë kryer këto operacione:

-Ushtria serbe bombardoi, plaçkiti, dhe dogji qytetin Administrativ të Dibrës së Madhe…. -U nis pararoja ushtarake drejt Pogradecit. Shqiptarët, me forcat e tyre, sulmuan dhe çliruan Dibrën e Poshtme, Peshkopinë, duke patur 1200 luftëtarë shqiptarë.

Në Dibër të Madhe po përgatitej një kasaphane gjaku dhe genocidi i pashembullt.

Në këto kushte, plani dhe strategjia e luftës kundër ushtrive serbe, u përgatit nga disa patriotë dhe personalitete të kohës si: Shaqir beg Jegeni, Sefedin Pustina, Sedulla Strazimiri, Qamil Daci, Selim Rusi dhe Komandant Shefki Shatku, ndërsa në krye, duke hyrë në Dibër me 22 shtator ishin Elez Isuf Ndreu, Dine Maqellara dhe Mersin Dema. Kryengritja ishte e sukseshsme, pasi zgjoj kombin shqiptar nga identiteti për ruajtjen e trojeve kombëtare, dhe kjo levizje pati karakter ndërkrahinor dhe ndërshtetëror.

Prishja e Dibrës së Madhe !

Me 22 Nëntor 1913 koloneli Von Laffer, i cili ishte dhe kryetari i Komisionit Ndërkombëtar të Kufinjve lindor, nga Struga deri në Kukës raporton se:

“Dibra e cila pak para pushtimit ishte një qytet me rreth 45.000 mijë banorë, e që llogaritej qyteti i katërt mbas Shkodrës, Prizrenit, Janinës dhe Korçës, sot është krejt e pabanueshme (ajo sot është vetëm një lagje maqedonase). Shtëpitë nuk janë rrënuar por janë zhveshur nga të gjitha. Serbët përfituan shumë nga kjo kryengritje e shqiptarëve duke i deklaruar të gjithë shqiptarët pa përjashtim si kryengritës, dhe duke i vrarë. Në rrethet e Dibrës, gati çdo katund është një vend i djegur dhe i shkatërruar. Në mesin e tyre gjinden disa katunde serbe që kanë mbirë si kërpurdha e shumë të pasur. Banoret e tyre punojnë, papushim për mbledhjen e të korrurave të shqiptarëve të mbetura nëpër arra”.

Kjo, tha Z.Saimir Shatku ishte golgota Shqiptare.

DYERT E DIBRANËVE TË HAPURA, ASHTU SI I MIKPRITËN TIRANASIT

Prof. Ismail Varoshi, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Tirana”, pasi u shpreh për marrëdhëniet e mira me Shoqatën “Bashkësia Dibrane”, ndër të tjera vlerësoi memorialin që përjetëson eksodin masiv te popullsise se Dibrës së Madhe, e cila la trevën e saj nga okupacioni dhe genocidi sllavo-malazez, duke u strehuar nga bujaria dhe fisnikëria e parisë së Tiranes.

“Do te ishin personalitetet si: Kryetari i Bashkise se Tiranes, Zyber Hallulli, dhe mjaft të tjerë si Mutesim Këlliçi, Efendi Ismail Ndroqi, Rauf Fico etj që dolën për t’i pritur dhe strehur dibranët. Në fillim ato u strehuan pranë Namazgjasë së Tiranës, e me pas u vendosën në lagjen apo Mëhallen e dibranëve, sot Njësia Administrative nr.3 e Tiranës » -tha z. Varoshi. Ai vlersoi faktin që familjet dibrane u integruan me shoqërinë e kohës dhe dalloheshin për përkushtimin ndaj familjes së tyre dhe punës. Kjo gjë i bëri ata që të tejkalonin me shpejtësi vuajtjet e atij eksodi të tmerrshëm.

« Dyert e shtëpive dibrane rrinin të hapura dhe ashtu si i mikpritën tiranasit ata iu përgjigjën atyre me të njëjtën monedhë bujarie. Madje shumë shpejt filluan martesat ndërmjet tiranasve dhe dibranve, saqë 80% e familjeve të hershme dibrane, pasardhësit e tyre, njërin prind e kanë dibran e tjetrin tiranas.

Ne sot duhet të nderojmë tiranasit që mirëpritën dhe hapën dyert e bujarisë per vellezërit dibranë. Dibranët janë mirënjohës dhe kjo është shprehur vazhdimisht edhe nga pasardhesit e familjeve të dëbuara. Mirenjohja pasuron shpirtërshit personin që është mirënjohës”,-vlerëson avokat.Varoshi.

Pjesëmarrësit në këtë event mirëpritën gjithashtu fjalët përshëndetëse nga Presidenti i Fondacionit « Fundjave ndryshe » Aber Hajdari, nga kryetari i këshillit të Komunës së Dibrës së Madhe Fuat Spahiu, nga znj. Mirela Bogdani, Kryetare e shoqatës “Tirona Intellektum” dhe nga z. Faik Nika, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi.

MEMORIALI YNË!


E mirënjohura Suzana Varvarica Kuka, me të drejtë do ta quante “Memoriali Ynë” këtë vepër monumentale “Në nderim të dibranëve të dëbuar që u pritën me zemër të hapur nga tiranasit’,’ që është një shenjë historike dhe artistike.

« Historikisht ai do t`i kujtojë të gjithë brezave të familjeve dibrane se trojet e tyre të origjinës, të parët e tyre u detyruan me forcë, dhunë dhe genocid t`i lënë prej politikave të mbrapshta sllave-europiane, në shillim të shek. XX. Si dhe të gjithë sëbashku nuk duhet askurrë të harrojmë mikëpritjen e dyerve dhe zemrave të hapura të familjeve autoktone dhe të nderuara të Tiranës së asaj kohe.

Artistikisht « Memoriali ynë » u ndërtua me këmbënguljen dhe iniciativën e përshëndetur të shoqatës “Bashkësia dibrane’’, në Tiranë e drejtuar në zemër, mendje dhe respekt kah nderimi për çdo dibran të Tiranës.

Memoriali Ynë mori formën e tij origjinale prej idesë së arkitekit Afrim Shatku, prej Shkupi dhe skulptorit Ardian Pepa, pedagog në Universitetit të Arteve në Tiranë, si dhe përpjekjeve të gjithanëshme të zotrinjve Bujar Kapexhiu dhe Saimir Shatku, të cilët drejtojnë kryesinë e Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, në Tiranë.”, tha Znj.Varvarica-Kuka në fjalën saj përshndetëse. Ajo vlerësoi zgjidhjen artistike të Memorialit të frymëzuar nga fakte historike tashmë të shkruara në Historinë e Shqipërisë dhe të Dibres.

Duke u ndalur në detaje të veprës, ajo tha se imazhi i këtij memoriali është frymëzuar nga arkitektura dhe urbanistika e asaj kohe të qytetit të Dibrës së Madhje, gjë e cila është harmonizuar me modelimin e imazhit të pikturës me titull “Refugjatët” e piktorit të shquar Abdurrahim Buza. Kjo zgjidhje monumentale ka përmbushur situatën historike të ngjarjes e cila përkujtohet sot në 110 vjetorin e saj.

Kjo shenjë monumentale, sipas Znj. Suzana Varvarica Kuka, në ditët e sotme ka përmbushur kujtimin e dibranëve, që u masakruan rrugës për në Shqipëri, prindërve dhe gjyshërve tanë që mbërritën të vinin në Tiranë, si dhe detyrës sonë për t’ua treguar brezave arsyet e banimit dhe jetës së dibranëve në gjirin e Tiranës.

Në këtë linjë e vlerësoi këtë memorial të sponsorizuar nga Firma EHV me drejtues Z.Luan leka dhe Znj.Meliha Leka, edhe Prof. Aferdita Tonuzi. Ajo u ndal veçanërisht në pasurinë shpirtërore e artistike të dibranëve, të reflektuara këto në pastrëtinë, bujarinë, vlerat e trashëginisë kulturore, të traditës etj.

Po ashtu, Presidenti i Unionit të të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politikë, Besim Ndregjoni-Mjeshtër i Madh, vlerësoi këtë memorial si përjetësim të një historie sa të trishtueshme aq dhe madhore njerëzore. Trishtimi, sipas tij, se si dibraët përziheshin nga trojet e tyre shekullore nga pushtuesi serb, dhe njerzore madhore, pritja, hapja e dyerve nga vëllezrit tiranas që i priitën dhe i bënë bashkëvëllezërit e tyre, vëllezër të jetës. “Doku shekullor i shqiptarëve ka qenë besa, besa në përkrahje të vellajt, mikut dhe prandaj ka ngelur në historinë botërore se ‘shpia e shqiptarit është e mikut dhe Zotit”,-tha z.Ndregjoni. Ndaj dhe ky memorial percjll ndër breza historinë se si tiranasit e urtë e të mirë pritën dibranë e dëbuar nga sllavoserbët para 110 vitesh.

Paspëurimi këtij memoriali historik u shoqërua me një drekë festive në ambientet e Fondacionit “Fundjave Ndryshe”, ku përveçse fjalës përshëndetëse të Kreut të të Urtëve të Shoqatës “Bashkësia Dibrane” Tefik Jegeni, pjesëmarrësit ndoqën me interes dhe duartrokitën fuqishëm interpretimin me mjeshtri atritike nga artisti i mirënjohur kosovar Enver Petrovski, nga këngëtaret e shumëtalentuara Liri Rasha e Shqipe Zani, si dhe nga valltarët e Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” - Nderi i Kombit.



33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page