top of page

MEMISHA  GJONZENELI: Lamtumirë Vlorë! Lamtumirë, Skela ime!..



 

         Këtë shkrim lamtumire e bëra nga dhembja që më shkaktoi mendimi se për moshën dhe problemet shendetësore që kam, nuk do të kisha më mundësi rikthimi në qytetin tim të dashur. Ua dërgova miqve të mi, me të cilët jam rritur dhe kam ndarë të mirat dhe të këqijat e një jete të vështirë, po dhe me plot kënaqësi pas kapërcimit të vështirësive. Jeta në emigracion më ka berë  më të malluar, dhe kur mendoj pamundësine e ardhjes edhe një herë, sytë me tradhëtojnë, sepse përlotem dhe shkruaj ndoshta dhe gjëra që s’duhej as t’i mendoja. “Lamtumirë!… Si ta zë goja        këtë fjalë, më shkruajtën dhjetra miq e shokë. Ndërroje shpejt dhe bëje ;“Mirupafshim!”. Kjo është fjala që presim nga ti, sa herë që do të nisesh për në Amerikë , se që do të vish as që e vemë në dyshim miku ynë, që me shëmbujt e tu të shumtë na ke bërë edhe ne më të fortë”.

Dhe unë bëra si më thanë ata. Gjithsesi, shkrimin, ndonëse me disa ndryshime të diktuara nga vullneti i shokëve, s’mund të mos e shperndaj ,sepse është balsam lehtësues edhe për shumë lë larguar e të djegur nga malli për vendin ku lindën dhe u rritën.

 

                                                                       ***

 

     Mëngjes vere në Vlorë. U bënë shumë ditë që kam mbërritur nga Amerika në vendin tim te lindjes , po mua më duket sikur erdha dje.  Sot u ngrita më vonë se ditët e tjera. Nuk më bëhej të dilja nga shtëpia. Mendoj ikjen dhe mundohem ta largoj dhëmbjenj. Po nuk e kam të mundur. Përgatita kafen e mëngjesit dhe dola në ballkon. Sa e bukur ishte pamja! Sa kujtime m’u shfaqën në ato çaste. Kafen e harrova fare. Kur u përmenda ajo ishte  ftohur dhe s’pihej më.

     Kthej kokën mbrapa në kohë më shumë se zakonisht. Kur isha katër ose pesë vjeç, i veshur me palaçeta, që motra e madhe i kishte punuar me shtiza, dilja anës detit dhe kërkoja se mos deti kishte nxjerrë ndonjë dru ose ndonjë kuckë që të ndiznim zjarrin dhe të ngroheshim. Kështu kaloi gjithë fëminia ime, duke kërkuar. Që fëmijë e doja shumë detin. Po me sa kisha vënë re edhe ai më donte, sepse asnjëherë nuk më linte duarbosh.

    Në vitin 1956 shkova me vëllanë në Ulzë, në hidrocentralin që ndërtohej atje. Vëllai kishte shkuar vullnetar. Kur erdhi me leje, më mori me vete. Ne Ulzë bënte shumë ftohtë. Nga që isha me pantallona të shkurtëra e ndieja edhe më shumë të ftohtin dhe nuk po mësohesha dot me të. U sëmura. Shpesh zija ndonjë qoshe dhe qaja me shpirt. Nuk po më kujtohet pse qaja, ndofta për ato që kisha lënë, sidomos për detin dhe Skelën time të dashur. Një ditë vëllai më pa duke qarë.

     -Çfarë ke, -më pyeti, -përse po qan?

      Unë ngrita kokën dhe i thashë:

     -Për gjithçka që kam lënë. Për Skelën time të dashur.

     Ai qeshi i nervozuar dhe ma ktheu:

    -Po për nënën, për motrat dhe për vëllezërit nuk të ka marrë malli?

    -Edhe për ata më ka marrë, -i thashë, - po për detin dhe Skelën time më ka marrë më shumë, më dalin gjithnjë në gjumë.

    -Edhe mua, -tha duke qeshur, tashmë ndryshe, -Skela më del gjithnjë në gjumë. Pastaj u ul pranë meje, më hodhi dorën në qafë dhe më tha: “Si ti dhe unë, vëlla, kam mall, bile shumë, po tani çohu të shkojmë në punë”.

     Kaluan vite. Unë u bëra saldator, profesion që më ka ushqyer gjatë jetës. Erdhi një ditë dhe jeta m’u errësua sepse më futën në burg, ashtu si dhe shumë të tjerë, që diktatura i kishte në shënjestër. Isha shumë i ri, nuk kisha mbushur as 17 vjeç. Po jeta është  e çuditshme,  sepse në mes të dhimbjeve dhe torturave , njeriu shpesh gjen edhe rrugën  ku  do të eci në të ardhmen. Mbas pesë viteve dola nga ajo skëterrë që quhej burg. Bëra lloj lloj punërash, por  në më të shumtën e kohës mbeta gjithnjë saldator. Kalova nga një vepër te tjetra dhe kudo u nderova, sepse pasioni për punën, dashuria për profesionin si dhe mbeshtetja te shoqeria, bënë që të jem dikushi: u bëra montator i talentuar dhe saldator i shumëkërkuar; shpika një metodë të re për ngritjen e rezervuarëve 500 dhe 1000 metër kub, duke eleminuar makineritë e shtrenjta, thjesht me mjete të zakonshme, po të përdorura ndryshe nga më parë, duke fituar kohë dhe cilësi. Nga puna më Vlorë më kanë mbetur në mendje disa vepra, si: ulja e oxhakut metalik tek fabrika e çimentos, që kishte filluar të kalbej. Po ashtu edhe riparimi i oxhakut të T.E.C., që e kishte goditur rrufeja. Ngrita dhe montova oxhakun e fabrikës së llampave neon dhe bëra plot punë të tjera speciale. I lodhur  nga goditjet e vazhdushme të diktatuës, si shumë të tjerë , shkova në Amerikë, por dhe atje s’shte fushë me lule. Luftova shumë,derisa ia dola mbanë. Fëmijët mbaruan shkollat e larta me nota të shkëlqyera, ndërsa unë punoja rëndshëm dhe, kur kisha kohë, shkoja  edhe në mbledhjet për të krijuar “Komunitetin shqiptar” në Çikago, i cili në kohën e duhur dha një kontribut të çmuar për vëllezërit tanë shqiptarë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

     Për të gjitha këto  me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë Presidenti Republikës  më dekoroi me medaljen e artë “Naim Frashëri”.

     I lodhur nga rruga e gjatë dhe plot vështirësi  si dhe i sëmurë, erdha përsëri, ndofta për të fundit herë, në këtë Skelë dhe Vlorë, që më rriti si birin e saj. Mjeku dhe familja nuk donin që unë të vija, por ja, jam në Vlorë, te të afërmit e mi, këtu buzë detit. Shtëpia nuk është më shumë se 200 metra larg nga deti, që më dha jetë dhe dashuri të pafund. Më vjen shumë keq, që këtë kënaqësi nuk e arritën edhe dy vëllezërit e mi, pasi edhe ata kishin këto ëndrra që kam realizuar unë. Fati nuk qe me ta.  

     Dhe ja ku mendimi u rikthye përsëri te familja që më pret  atje larg, përtej oqeanit. Po afron dita e ikjes jo pa dhëmbje, po dhe i qetë, teksa kujtohem që i dhashë vendit dhe shoqërisë gjithçka që munda të bëj pa kërkuar asgjë në këmbim. Po iki  duke e kthyer kokën pas, se po lë shumë gjëra që për mua janë të shenjta dhe të dashura. Po iki larg me shpresën që ma rikthyen shokët, duke mos pranuar t’u them “Lamtumirë! sepse besojnë që pas një viti do të shihemi pëesëri.

    U falenderoj të gjithëve: shokë, miq, dashamirës,  që më keni shoqëruar në rrugën e gjatë të jetës. U falenderoj të gjithëve edhe që më dhatë mundësinë që të shkruaja rrëfimet e sinqerta, në të cilat ishit personazhe të tregimeve të mia ku kam vënë shpirtin dhe dashurinë për ju.

     Më i madhi falënderim ju takon për rindezjen e besimit për të marrë përsëri rrugën  dhe për t’ju përqafuar . Nuk ka “Lamtumirë!”, ka vetëm :

    “Mirupafshim, vëllezër e motra, mirupafshim vendi im i bukur, mirupafshim Vlora dhe Skela ime!”

 

20 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page