top of page

Mehmet Elezi: SINTAKSA E KRYEMINISTRIT NË NJË SESION PËR GJUHËN SHQIPE


ree

“Ky është një aspekt i procesit që është i lidhur me konfidencialitetin e gjithë procesit, gjë e cila ata që mezi presin që Shqipëria të dëmtohet nuk kanë pse ta ruajnë si konfidencialitet, është e drejta e tyre por detyra ime është të ruaj konfidencialitetin e procesit”.

Kjo është përgjigjja e Edi Ramës për pyetjen nëse janë bllokuar llogaritë e Albcontrol-it në Bruksel, për ta dëmshpërblyer me 110 milionë euro ish-pronarin e televizionit Agon Channel, të mbyllur arbitrarisht nga kryeministri.

Mund ta merrnim si përdredhje të qëllimshme të gjuhës, me iu shmangë një pyetjeje të nxehtë. Por teksti i fjalimit të tij në pesëdhjetëvjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, në sesionin e Akademisë së Shkencave (10 nëntor 2022), institucioni më i lartë ku gjuha pritet me pasë tërë shkëlqimin e vet, përgënjeshtron pa mëshirë.

Fjali të përbëra, tepër të gjata, ndërtuar pa logjikë gjuhësore. Sintaksë e kapërthurur, që përplaset me rregullat elementare të shqipes: këmbët e fjalisë në nënkresë, kryet e fjalisë te këmbët. Fjalë që ua ngatërron kuptimin, i përdor tjetër për tjetër. Emra që lakohen dhe shkruhen gabim në rasën përkatëse.

Thotë:

“…mbase, mbas pavarësisë në 1912 e mbas ndonjë ngjarje tjetër është arritja më e madhe e shqiptarëve, gjuha e njehsuar shqipe”.

Një rresht e gjysmë, shkruar në një shqipe jo shqip, duke filluar nga ndërtimi i përmbysur i fjalisë (me gabimet drejtshkrimore që piskatin nuk po merremi këtu). Në gjuhën shqipe kryefjala si rregull vihet në krye, para kallëzuesit dhe jo e kundërta. Pa ndërhyrë ashpër në të dhe pa pyetur cila është ajo ngjarja tjetër, kjo fjali mund të ndërtohej thjesht: “…mbase, mbas pavarësisë në 1912 e mbas ndonjë ngjarjeje tjetër, gjuha e njehsuar shqipe është arritja më e madhe e shqiptarëve”.

Thotë:


ree

“Kongresi i Drejtshkrimit ka të veçantë dhe madje edhe te paarritshme, provoni ta bëni sot një kongres, provoni ta bëni se është e vetmja shpresë që Eqrem Çabej të ngrihet nga varri bashkë më gjithë këta nënshkruesit që kanë ikur në botën e përtejme, mbasi i kanë lënë kësaj bote një thesar që është një pasuri kombëtare me te cilën nuk mund të lejojmë dot të luhet hajgare që është gjuha e njehsuar” (nënvizimi - m. e.).

Për t’u bërë e kuptueshme, kjo fjali ka nevojë të ndërtohet nga e para.

Për të dytën herë thotë “…gjuha e njehsuar shqipe”.

Ky togfjalësh s’ka asnjë kuptim. Duhet thënë "gjuha e njësuar shqipe". Folja me (u) njehsue, prej ku mbiemri "i njehsuar", është krejt tjetër nga folja me (u) njësue, prej ku mbiemri i/e njësuar. Njehsmi është term i matematikës, nënkupton një veprim me numra për të gjetur një sipërfaqe, një vëllim, një peshë etj. S’ka të bëjë me gjuhën, me njësimin (jo njehsimin!) e saj.

Thotë në mënyrë të përsëritur se është “dashnor i paepur i gjuhës shqipe”.

Nuk duket aq e nevojshme me i mëshue një deklarate të tillë për gjuhën e vendit tënd, ku je kryeministër, por më e rëndësishmja nuk është kjo. Në gjuhën shqipe fjala dashnor ka kuptim jo aq të fisëm. Më shumë se një dashuri të thellë, të brendshme, të qëndrueshme, nënkupton flirte. Fjalori i gjuhës shqipe, i hartuar nga Akademia e Shkencave e kohës së Kongresit të Drejtshkrimit, nga ajo Akademi, së cilës Rama i falet e i blaton shumë mirënjohje në fjalën e tij, e përkufizon kështu: dashnor, “ai që ka marrëdhënie dashurie me një grua a me një vajzë, pa qenë i martuar me të, ai që bën dashuri me një femër; i dashuri (zakon. keq.)”. Siç shihet, nënvizon se dashnor zakonisht përdoret me ngarkesë të keqe. I njëjti përkufizim është ruajtur edhe në botimet e mëvonshme të Fjalorit, gjithnjë vepra të Akademisë. Çdo herë pa harruar të shtohet “(zakon. keq.)”, pra zakonisht përdoret me ngarkesë të keqe. Në rastin më të pafajshëm, dikush që e shpall veten dashnor të gjuhës shqipe, nuk mund të lavdërohet se e njeh mirë këtë gjuhë.

Gjatë këtij fjalimi për gjuhën shqipe, ndeshim të paktën edhe katër raste të tjera, kur autori ngatërron kuptimin e fjalës në gjuhën shqipe.

“…me gjithë respektin që mund të jetë në krye të atij instituti, nuk besoj që kushdo qoftë ai i garanton Eqerem Çabejt dhe atyre të tjerëve një gjumë të qetë në varrezën në dalje të Tiranës në raport me standardin”!

Sintaksë e rrenuar. Në gjuhën shqipe kjo fjali mund të ishte ndërtuar në shumë mënyra të tjera për t’u bërë e kuptueshme, vetëm kështu jo. Edhe emri i Çabejt, Eqrem, është shkruar gabim, Eqerem!

 Do të mjaftonte edhe një shkak si ky, që Eqrem Çabej “të ngrihet nga varri”!

(Nga libri “Kongresi i Drejtshkrimit, një fëmijë i plakur”, ALSAR, 2023. Për arsye teknike ketu mungojnë referencat, që janë në libër).

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page