MEHMET ÇELIKU (1936-2020) (Pjesë nga kumtesa ime mbajtur në konferencën mbarëkombëtare «Mehmet Çeliku – Personalitet i gjuhësisë shqiptare», Elbasan, 30-31 tetor 2015).
Prof Dr Aristotle Spiro
Mehmet Çelikun e kam përjetuar përmes një përvoje vetjake dhe një perceptimi kolektiv. Të dyja këto perceptime përputhen më së shumti, por fati i lumë që të jem student i tij dhe më pas koleg e mik, më ka lejuar ta njoh disi më shumë. Modeli i parë që na ka lënë Mehmet Çeliku është ai i punës këmbëngulëse dhe i studimit sistematik. Vetëm nëpërmjet punës studimore mund të krijohen vlerat e vërteta shkencore. Mehmet Çeliku i përket asaj kategorie gjuhëtarësh, që pagëzimin e zjarrit e mori në kërkimin në terren, duke gjurmuar ligjërimin shqip në trajtën e vet më të natyrshme. Ai studioi të folmet e gegërishtes jugore në Shqipërinë e Mesme, d.m.th. të folmet e Kërrabës, Kavajës, Durrësit (Çeliku 1966a, 1966b, 1968), të cilat i dalloi nga të folmet e Peqinit (Çeliku 1965) e të Dumresë (Çeliku 1963), të cilat i grupoi në të folmet kalimtare (Çeliku 1964, 1971c), duke i dhënë argumente dialektologjisë shqiptare për atë që në literaturë njihet si continuum gjuhësor. Kërkimi dialektologjik që e kreu në rininë e vet, si punonjës shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë jo vetëm që e afirmoi si një nga dialektologët më të mirë shqiptarë, por edhe ndikoi në gjithë formimin e tij të mëtejshëm gjuhësor, për koncepte realiste në lidhje me gjuhën e gjuhësinë. Me punë individuale ai ka vjelë lëndë gjuhësore nga mijëra faqe literaturë dhe me dorën e vet ka plotësuar dhjetëra mijëra skeda, diçka jo fort e zakonshme për gjuhëtarët e sotëm. Ai e zhvilloi veprimtarinë e vet gjuhësore në një periudhë të rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe: në kohën e njësimit të gjuhës letrare kombëtare dhe të evoluimit të saj në gjuhë standarde. U bë vetë pjesëmarrës dhe protagonist në përpunimin, përmirësimin dhe kodifikimin e saj. Me objektivitetin e shkencëtarit serioz, megjithëse me prejardhje nga trevat gege, ai u shpreh qartë dhe pa ekuivoke në të mirë të standardit dhe kundër rishikimit të tij. Kontributi i rëndësishëm i M. Çelikut në formulimin e rregullave të gjuhës letrare kombëtare shqipe dhe formësimin e standardit fillon që në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe vijon deri më sot me argumentimet bindëse për drejtësinë e ruajtjes dhe konsolidimit të shqipes standarde. Ky është edhe qëndrimi i saktë e realist që mban sot gjuhëtari i vërtetë. Kontributi i tij në çështje të shqipes standarde i kalon të 500 faqet (Çeliku 2014a). Ai hodhi poshtë me argumente të ftohta e me një stil polemik të ekuilibruar, por me logjikë të hekurt dhe pa i nënvleftësuar pretendimet e disa gjuhëtarëve amatorë, të cilët provokuan një diskutim të pavlefshëm publik për rishikimin e standardit (Çeliku 2006a). Në këtë pikë - e në disa të tjera - Mehmet Çeliku është vazhdues i traditës gjuhësore elbasanase, që nis me anonimin e Elbasanit, vijon me Theodhor Haxhifilipin dhe kristalizohet me Kostandin Kristoforidhin e mandej me Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon e Mahir Domin. Secili prej tyre përfaqëson një gur kilometrik në përpjekjet e popullit shqiptar për të ecur në një udhë qytetërimi, që do ta radhiste ndër kombet e përparuara të Evropës e të botës. Kurorëzim i atyre përpjekjeve ndërkohore ishte Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Institutit të Lartë Pedagogjik «Aleksandër Xhuvani» (sot Departament i Universitetit homonim). Themeluesi dhe frymëzuesi i kësaj katedre është Mehmet Çeliku. Këtu, së bashku me kolegët dhe ndihmësit e tij Hysen Qosja, Mustafa Karapinjalli, Emine Sadiku, Salih Tabaku etj. ai përgatiti një grup gjuhëtarësh e pedagogësh, disa breza studentësh e studiuesish, që ushtruan e ushtrojnë ndikim në ligjërimin shqip dhe në arsimimin gjuhësor në Shqipëri, Kosovë e në vende të tjera të Botës. Nëse ka student të degës së gjuhës shqipe që të ketë studiuar në Elbasan është pothuaj e sigurt se emri i parë që i vjen ndër mend është ai i Mehmet Çelikut. Në ndërgjegjen e tyre, në ndërgjegjen tonë, është fiksuar si gjuhëtari, pedagogu dhe kolegu me përgatitje të lartë shkencore profesionale. Duke qenë kërkues ndaj vetes, ai është po aq kërkues edhe ndaj të tjerëve. Këto kërkesa, që shfaqen si një përpjekje drejt përsosmërisë, perceptohen me mënyra të ndryshme nga kolegë pedagogë e studentë. Shumica e interpretojnë si seriozitet e kompetencë shkencore, një pjesë si qëndrim strikt, ndërsa të tjerë, sidomos studentët e dobët, e quajnë pedagogun e «tmerrshëm» (!). Ky perceptim mori trajtë legjendare duke u pasuruar shpesh edhe me imitimin e ligjëratës së tij origjinale akademike apo të ecjes së tij karakteristike. Kjo ishte shenja e jashtme e ndikimit të tij tek kolegët dhe tek studentët. Ana më thelbësore ishte gjithsesi përpjekja e pedagogëve për ta imituar si studiues e shkencëtar dhe e studentëve për të përvetësuar lëndën mësimore, sintaksën e gjuhës shqipe, të cilën ai e shpjegonte dhe e shpjegon me aq kompetencë. Ajo shfaqej si një sfidë për të pushtuar dijen, prandaj këtu pedagogu identifikohej me dijen, me institucionin, me standardin e synuar, me suksesin. Këto standarde e vlera Mehmet Çeliku i kultivoi dhe i mbrojti me vendosmëri. Kësisoj, i dha kuptim e vlerë përpjekjes së tyre dhe me të drejtë ata ndihen krenarë që nuk kanë qenë thjesht studentë, por sidomos nxënës të tij. Në metodën e tij shkencore dhe pedagogjike Mehmet Çeliku ka qenë përherë i qartë. Kjo qartësi lidhet me mënyrën e tij të të menduarit dhe arsyetuarit, por edhe me kontekstin metodologjik gjuhësor në të cilin ka studiuar e krijuar. Periudha në të cilën ai shpalosi gjithë personalitetin e vet shkencor duke propozuar dhe argumentuar skema të reja shpjeguese e teorike për shqipen u karakterizua nga përpjekjet për kodifikimin e gjuhës letrare kombëtare dhe rrënjosjen e saj në sistemin arsimor shqiptar. Normativizmi u shndërrua në një metaforë metodologjike, që përshkonte të gjitha studimet gjuhësore sinkronike. Kështu laryshia ligjërimore ndërvendore e ndërkohore e shqipes dhe propozimet e diskutueshme teorike përfundojnë medoemos në zgjidhje të interpretuara teorikisht si të drejta dhe normativisht si të zbatueshme. Në këto studime çdo propozim nuk duhet të lërë shkas për pikëpyetje e paqartësi. Kështu, Mehmet Çeliku propozon zgjidhje të qarta për lokucionet parafjalore (Çeliku 1972a, 1975) dhe parafjalët foljore, jep shpjegime të qarta për rasën thirrore dhe nyjat (Çeliku 1971a), apo merr pjesë në diskutimet e bashkësisë shkencore duke propozuar variantin normativ në dëm të dysorëve jonormativë (Çeliku 1972), madje diskuton edhe për çështje kaq të thjeshta por gjithsesi praktike si normëzimi i emrave të përveçëm të njerëzve (1972b, 1983, 1984) si dhe i emrave të vendeve në tabelat rrugore (Çeliku 1990b). E gjitha kjo bëhet pas një analize skrupuloze të lëndës gjuhësore në të gjitha shfaqjet e saj, dialektore e letrare, po ku gjithsesi letërsia artistike zë apriori rolin autoritar të modelit gjuhësor. Këtu përvoja e dyfishtë e gjuhëtarit dhe filologut është vendimtare në propozimet normativiste. E njëjta gjë vërehet edhe tek studimi i tij për format e pashtjelluara të gjuhës shqipe, ku propozohet një skemë shpjeguese komplekse, simetrike, brenda së cilës shterohen të gjitha analizat dhe diskutimet dhe ofrohet si një tërësi rregullash normative të zbatueshme (Çeliku 2006b). Një provë e kësaj zbatueshmërie jepet nga vetë Mehmet Çeliku dhe dy bashkautorë (Mustafa Karapinjalli dhe Ruzhdi Stringa) me «Gramatikën praktike të gjuhës shqipe» (1998), ku gjen zbatim gjithë koncepti i tij për sistemin e gjuhës shqipe. Këmbëngulja e tij për zgjidhje të plota e jokundërthënëse vjen nga përgjegjësia e studiuesit të përvojtur, që nuk mjaftohet me ndjesinë e së mundshmes, por ka durimin e këmbënguljen të shohë sjelljen e dukurisë në të gjitha aspektet e shfaqjes së saj. Për këtë arsye artikujt dhe studimet e tij, edhe kur rimarrin çështje të njohura dhe themelore të gramatikës së shqipes, si p.sh., nyjat e shqipes në vështrimin sinkronik, parafjalët, fjalët a fjalitë e ndërmjetme a të ndërkallura, format e pashtjelluara të foljeve, edhe kur trajtojnë çështje praktike të përdorimeve normative, janë të mbushura me argumente teorike dhe shembuj nga ligjërimi i dinamik i shqipes. Është kjo njohje e thellë e gjuhës së gjallë shqipe burimi i forcës së tij argumentuese, por edhe aftësia për të vlerësuar mes dhjetëra faktesh përdoruese ato që përbëjnë formën a trajtën mbizotëruese ose normative. Atje ku në pamje të jashtme duket sikur ekziston sinonimi morfologjike a sintaksore, ai vëren kategori gramatikore, të cilat i propozon si nënndarje të dallueshme brenda një semantike komplekse gramatikore të shqipes (p.sh. dallimi midis së ardhmes së thjeshtë dhe së ardhmes së sigurisë: do të vij dhe kam për të ardhur, dallimi midis formave të pashtjelluara pa bërë dhe duke mos bërë) (Çeliku 1986, 1988). Mehmet Çeliku është gjuhëtari që ka ndjekur nga afër rrjedhat e gjuhësisë bashkëkohore. Megjithëse i përket atij brezi gjuhëtarësh që konsoliduan traditën gjuhësore shqiptare, u tregua i hapur ndaj rrymave të reja teorike shpjeguese. Rezultat i këtij vështrimi të gjërave është botimi i «Sintaksës së gjuhës shqipe» (Çeliku 2012), një vepër e plotë, e cila ndryshe nga ç’mund të pritej, në vend të një sinteze të kontributeve sintaksore gjysmëshekullore të autorit, përbën në të vërtetë një propozim të ri teorik, i cili pajton traditën gramatikore shqiptare me rrymat më të reja strukturore dhe gjenerativiste, pa u identifikuar me asnjërën prej tyre. E gjithë veprimtaria e tij shkencore akademike shndërrohet kështu në një model kërkimor dhe shembull deontologjie për brezat e rinj të studiuesve dhe shkencëtarëve. Gjithë përvojën e vet ai na e ka dhënë të koncentruar në një botim origjinal, «Hyrje në metodologjinë e kërkimit shkencor (Shkencat gjuhësore)» (2014b), që përbën një rrëfim vetjak të pjekurisë së tij akademike, por ofron njëkohësisht edhe një pamje të përgjithshme të studimeve gjuhësore dhe gjuhëtarëve shqiptarë gjatë pesëdhjetë viteve të fundit.
Referenca bibliografike: Çeliku, Mehmet. 1963. Vërejtje mbi të folmen e Dumresë. Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Seria Shkencat Shoqërore. II, III. Çeliku, Mehmet. 1965. Vëzhgime mbi të folmen e krahinës së Peqinit. Studime filologjike. 2. 91. Çeliku, Mehmet. 1966a. Vëzhgime mbi të folmen e Kërrabës. I. Studime filologjike. 2. 119-155. Çeliku, Mehmet. 1966b. Vëzhgime mbi të folmen e Kërrabës. II. Studime filologjike. 3. 99-125. Çeliku, Mehmet. 1968. Mbi grupimin e të folmeve të gegërishtes jugore dhe mbi disa tipare të tyre. Studime filologjike. 3. 123-136. Çeliku, Mehmet. 1971a. Kontribut për dy probleme të morfologjisë së gjuhës së sotme shqipe. Studime filologjike. 1. 137-164. Çeliku, Mehmet. 1971b. Sulmues apo sulmonjës. Drita. 31.01.1971. Tiranë. Çeliku, Mehmet. 1971c. E folmja kalimtare e Shpatit. Dialektologjia shqiptare. I. Tiranë: Universiteti i Tiranës, Instituti i Gjuhësisë dhe i Historisë, Sektori i Gramatikës dhe i Dialektologjisë. 194-267. Çeliku, Mehmet. 1972a. Parafjalët emërore të thjeshta në gjuhën letrare shqipe. Studime filologjike. 1. 85-112. Çeliku, Mehmet. 1972b. Koçua apo Koçoja? Drita. 27.08.1972. Tiranë. Çeliku, Mehmet. 1974. Të folmet e Kavajës. Dialektologjia shqiptare. II. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Sektori i Dialektologjisë. 133-222. Çeliku, Mehmet. 1975. Parafjalët emërore në gjuhën letrare shqipe. Çështje të gramatikës së shqipes së sotme. II. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Sektori i Gramatikës. 206-249. Çeliku, Mehmet. 1983. Çështje të normës tek emrat e njerëzve. Gjuha jonë. 2. 32-40. Çeliku, Mehmet. 1984. Çështje të normës tek emrat e njerëzve (II). Gjuha jonë. 1. 58-64. Çeliku, Mehmet. 1986. Pa bërë apo duke mos bërë. Gjuha jonë. 4. 62-68. Çeliku, Mehmet. 1988. Do të bëj dhe kam për të bërë në gjuhën e sotme letrare. Gjuha jonë. 1. 62-67. Çeliku, Mehmet. 1989. Ndërtimet e tipit me të ardhur dhe një të ardhur. Gjuha jonë. 2. Çeliku, Mehmet. 1990a. E folmja e qytetit të Durrësit dhe e rrethinave të tij. Dialektologjia shqiptare. VI. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Sektori i Gramatikës dhe i Dialektologjisë. 285-328. Çeliku, Mehmet. 1990b. Emrat e përveçëm të vendit në tabelat rrugore. Gjuha jonë. 1. 60-63. Çeliku, Mehmet. 1991. Fjalët ca dhe disa në gjuhën e sotme letrare. Gjuha jonë. 3-4. 21-27. Çeliku, Mehmet & Karapinjalli Mustafa & Stringa Ruzhdi. 1998. Gramatika praktike e gjuhës shqipe. Tiranë: Toena. Çeliku, Mehmet. 2006b. Format e pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe. Tiranë: SHBLU. Çeliku, Mehmet. 2006a. Përpjekje për të rihapur debatin për shqipen standarde. Republika. 11-12.05.2006. Çeliku, Mehmet. 2012. Sintaksë e gjuhës shqipes (Përbërësit sintaksorë). Vështrim i ri teorik. Tiranë: Ilar. Çeliku, Mehmet. 2014a. Çështje të shqipes standarde. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Shtëpia Botuese Shtypshkronja «Ilar». Çeliku, Mehmet. 2014b. Hyrje në metodologjinë e kërkimit shkencor (Shkencat gjuhësore). Tiranë: Ilar. Spiro, Aristotel. 1994. Gjuha shqipe në kuadrin e sotëm sociolinguistik. Rilindja. 19-20.10.1994. Spiro, Aristotel. 2002. Epilog i një debati për shqipen letrare. Prestige. Selanik. Nr. 14, shtator-tetor 2002, 24-27. Spiro, Aristotel. 2014a. Debati për standardin dhe revizionistët e shqipes moderne. Shekulli. 30.06.2014. Spiro, Aristotel. 2014b. Komunikimi qytetar dhe prevalimi i trendit të linguistikës sterile. Shekulli. 17.12.2014.
Comments