Meditim për shqiptarët


Alfred Papuçiu

Kujtime për librin: « Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara

Alfred Papuçiu

Libri erdhi para lexuesve, pas një reflektimi të gjatë nga ana ime. Ky vëllim, i cili për nga numri i faqeve është i vogël, nga brëndia kap një gamë të tërë problemesh, të trajtuara me vërtetësi, si mesazh për brezin e ri shqiptar që nis rrugën e gjatë, të vështirë por edhe të bukur të diplomacisë dhe të punës me organizatat ndërkombëtare. Cdonjeri prej ish-kolegëve dhe shokëve të mij që kanë punuar dhe punojnë me organizatat ndërkombëtare mund ta bëjë një gjë të tillë më mirë se unë, edhe në të ardhmen. Por meqë shumë miq e dashamirës më shtynë ta nxjerr këtë botim, me mesazhet e tyre të ngrohta, vendosa të prezantohem para lexuesit shqiptar me këto nota modeste, të një ish funksionari ndërkombëtar që prej tre dekadash ka punuar me organizatat ndërkombëtare në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin), në OMS, në Byronë Ndërkombëtare të Punës dhe si konsulent për botimet pranë organizatave ndërkombëtare.

Ja ç’më shkruante ndër të tjera miku im Gjergji nga Nju Xhersi: « Shkrimin e lexova me vëmendje dhe më pëlqeu. I përket vetëm elitës së historianëve, po jo si unë, me të cilën nuk jam marrë që prej 20 vitesh. Është shkrim që pasuron historinë e vendit tonë. Megjithëse sot brezi i ri nuk po di se ku është, ç’po bën dhe ç’ideal ka. Në këto çaste, Shqipërisë nuk po ja var asnjeri fillin… ». Më brengosi kjo frazë e fundit, duke menduar se edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët duhet bërë diçka për të tashmen dhe të ardhmen. Ëngjëlli, një miku im, mjek në Gjenevë, më shkruan: « Më në fund ja arrita qëllimit. Tani e tutje, nuk besoj se do kemi ndonjë problem për komunikimin me e-mail. Me këtë rast, dua të të shpreh simpatinë time për shkrimin e fundit të botuar. Ai në tërësi plotëson me të vërtetë të gjitha parametrat e një shkrimi publicitar, me shije të hollë e me argumenta, të rradhitur me kujdes e në përputhje me rregullat e publiçistikës. Në faqen 7 ndoshta mund të kishe hequr atë frazë, sepse ti e ke trajtuar atë fenomen edhe më parë. Kam mendimin se në redaksi çdo mëngjez pyesin : Kemi ndonjë gjë nga ai që ka shkruar për « qoftëlargun » ? E këtë unë nuk mund ta duroj ta thonë për ty, pasi i ke shkrime të arrira ». Pas fjalës së mikut tim, vendosa që në këtë vëllim ta përmend vetëm pak herë atë « qoftëlargun » që personifikon një njeri që edhe pse përbën pakicën, është jashtë normave të civilizimit njerëzor. Ndërsa një mik tjetër, artist, më shkruante ndër të tjera : « Përshëndetje nga celulari i ri. I lexova mesazhet e tua, si dhe artikujt e fundit dhe u kënaqa, edhe pse këtë muaj kohën e kam me pikatore për shkak të provave të stërgjatura, mëngjez e pasdite, si edhe gjatë week-endeve të këtij muaji ». Ndërsa një mik tjetër në Turqi, Agimi, më shkruan : « U gëzova shumë për mesazhin tënd. Shkrimet si gjithmonë më kanë pëlqyer shumë. Pse nuk i nxjerr më mirë në një vëllim. Do të jetë një mesazh i bukur për shqiptarët… Dje u ktheva nga Shqipëria. E kalova mirë me familjarët, takova dhe disa të huaj që kishin ardhur për privatizimin e bankës së kursimeve nga Austria dhe Hungaria. Këto dy muajt e fundit kam qënë me shërbim në disa vende. Ne këtej kemi 9 ditë pushim për Bajram. Kemi një ftesë për të shkuar në Prishtinë. Do bëhet një pritje nga shqiptarët që punojnë në UMNIK, në ditën e festës kombëtare. Këtej bie shi, siç i thonë në Shkodër…si në Stamboll. Të shpresojmë se do t’i shkruajmë njeri tjetrit më shpesh. Tung…“ Ndërsa një mik i imi nga Nju Jorku më shkruante : « I dashur Alfred ! Po të shkruaj nga toka e bekuar. Udhëtimi shkoi mirë, pak i gjatë. Në krah të djathtë, në aeroplan kisha një korçar, 64 vjeç që shkonte në Amerikë me „green-card“ dhe në krah të majtë kisha një 74 vjeçar tironas, qefli, i persekutuar nga regjimi komunist. Në mes isha unë 50 vjeçari që mbush por nuk zbraz. Në sportel më doli një grua kuqse, me size, e cila më shënoi hyrjen vetëm për një muaj, pasi vija nga Shqipëria. Unë vizën e kisha në rregull, por kur nuk e di gjuhën kështu të ndodh. Ndërkohë do përpiqemi në zyrat e migracionit mos e shtyjmë qëndrimin edhe një muaj. Erdha që erdha të shoh pak edhe miqtë e vjetër që janë vendosur këtej nga Nju Jorku. Sot do festojmë edhe ditën e gjelit të detit. Sa të mëdhenj janë gjelat e detit këtu. I presim me sharrë thelat….Lidhur me shkrimin për OKB-në mendoj që ta zgjerosh dhe ta botosh në një libër të veçantë…“ Ndërsa Artani, djali i një ish-kolegut tim të vjetër, Sulos, më shkruante. „ I dashur Alfred! Po të drejtohem me „i dashur“, pasi me të vërtetë nga ato që kam dëgjuar nga Babi për ty, në kohën kur punonit bashkë me organizatat ndërkombëtare, ke hyrë në familjen tonë si një njeri që konsiderohet sinqerisht i afërt. Me ato shkrimet e tua dhe sidomos me “meditimet”, më bëre edhe mua të kujtohem se jam një pjesë e shqiptarëve dhe e Shqipërisë këtu… Puna me të vërtetë më ka zënë shumë kohë. Ti e kupton që këtu s’është e lehtë e për të ekzistuar duhet shumë punë. Unë prej këtij viti kam filluar me biznesin e komponentëve elektronikë e kështu që më zenë të gjithë kohën e lirë, pasi duhet edhe të studjoj ato për të patur të paktën minimumin e njohurive…” Ndërsa një mik tjetër më shkruan: “Isha një javë në udhëtim. Shkuam me makinë në Kosovë dhe ndaluam edhe dy netë në tranzit në Selanik dhe Kavallë. Shqiptarët në UMNIK kanë një traditë prej tre vitesh dhe organizojnë shumë bukur festën kombëtare atje. U kënaqëm me të vërtetë. Aty pashë numrin e stërmadh të flamurëve kombëtarë, sa nuk kisha parë ndonjëherë. M’u kujtua shkrimi yt i bukur , “Dita që na e bëri botën atdhé”. Fola për ty dhe me një miken time që punon në Kombet e Bashkuara dhe i thashë të komunikojë me ty lidhur me shkrimin tënd për OKB-në, mbasi asaj i intereson shumë kjo temë. Ishim sëbashku në Prishtinë”. “Është kënaqësi e veçantë të lexosh artikujt e tu, më shkruan një i ri nga Shqipëria, pasi për mendimin tim, janë të pasur. Ju operoni mjeshtërisht me detajin gjë që nuk është e lehtë të arrihet gjithmonë. Me Bujarin kam hyrë në kontakt dhe të falenderoj për ndihmën. Përsa i përket gazetave, unë jam i interesuar që të shkruaj here pas here për tema të ndryshme. Dua të të sqaroj që ajo që unë kam realizuar këtu nuk është librari por një pavion me libra shqip në bibliotekën e qytetit. Deri tani kam dorëzuar rreth 200 tituj dhe jam në kërkim vazhdimisht. Kështu që jeni i mirëpritur dhe jam kurioz edhe për librat tuaj të rinj”. Së shpejti mund të përurojmë “Shtëpinë e librit shqip” dhe jeni i mirëpritur të vini…Ndërsa një mik tjetër, diku larg meje më shkruante: “Ti e di përrallën e dhelprës me rrushin, përse e shau dhe e përbuzi ajo! Ky është edhe problemi yt dhe i imi me atë “qoftëlargun” kalimtar këtu në diasporë. Unë jam bërë imun tani dhe nuk më bën përshtypje cmira e xhelozia që mund të ketë ndonjë i paaftë ndaj nesh, ndaj shkrimeve që ti shkruan apo ndaj asaj që përgatis unë në artin që ushtroj, pasi epoka e tyre tashmë është larg. Urimet më të mira dhe ditë më të mira për bijtë e denjë të Krishtit !” Një mik i imi, Agroni, I paharruar, nga Shqipëria më shkruan: “Më fal se nuk të kam shkruar për një kohë, pasi Interneti këtu ka patur një fare difekti dhe vetëm sot munda të të shkruaj. Mua më duket se që kur shkoja tek “Balzaku” dhe Gjeneva po më duket larg. Mbaruan negociatat pres mos organizohet ndonjë seminar…Më bëhet qefi që vazhdon të shkruash, sepse e di që ti e ke patur gjithmonë pasion. Si publicist i vjetër më pëlqen shumë që jep mesazhe edhe për ne këtej. Megjithë qef do të ndihmoj për të dhënë ndonjë mendim për shkrimet që mendon të botosh, por jo me shpërblim siç propozon ti. Sepse kontributi im do të jetë aq i madh sa që ti nuk do jesh në gjendje të m’a shpërblesh. Ti do të mundesh ta lash atë vetëm duke më gjetur ndonjë material në organizatat ndërkombëtare…Seriozisht Fredi, nuk më kushton asgjë të shoh librin tënd dhe do ta bëj me kënaqësi, nëse ti e mendon se kjo është e dobishme. Pra m’a dërgo...” Një mik nga Florida, Thani, më shkruam : « U befasova nga frymëzimi yt i hatashëm. Tani po imprimoj për « kabinetin » shkrimet e tua që të kënaqen… ». Miku im mjek, Ëngjëlli, më shkruan : « Të falenderoj me gjithë zemër për kënaqësinë që më dhe duke lexuar përmbledhjen e ditarit tënd. Kjo gjë jo vetëm më largoi për orë të tëra nga paudhësitë e mija që kam në kokë, por më bëri të zbuloj një lloj të këndshëm mënyre të shkruari, të treguari. Të uroj të më japësh në vazhdimësi kënaqësi të tilla. Në faqet përkatëse ku flitet për vend-ngjarjen, do të qe e shkëlqyer të shoqërohej me fotografi, psh. Të OKB-së në Nju Jork, të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, të « Nesles » etj., sipas vendit dhe rastit. Një interes të veçantë do të kishin fotografitë me personalitetet që ke patur kontakt dhe ke punuar. Pjesa e dytë duhet të paraqitet më vehte, si një libër me të vërteta dokumentare që do të plotësonte kryesisht bibliotekën e diplomacisë shqiptare » (9 mars 2004, Spitali Kantonal, Gjenevë). Miku im botues, më shkruan: “Shkrimin tek “Koha Jonë” ta lexova dhe më pëlqeu. Ishte shkruar bukur dhe në ditën e duhur. Edhe ata e kishin botuar në një vend të dukshëm dhe me faqosje të mirë. Librin me kujtime do ta mirëpres dhe m’a dërgoni sapo ta keni gati, siç ju kam shkruar edhe më parë. Skicat që mendoni të vendosni do të ishte mirë të vinin nga ty të skanuara, si pjesë e librit, duke e caktuar edhe vendin ku do vendosen“. Ndërsa gazetari i dëgjuar dhe fjalëpakë, Sandri më shkruan: „ I dashur Fredi të falenderoj për bashkëpunimin dhe mirësinë që përcjell përmes mesazheve dhe komunikimit tonë. Me respekt Sandri“. Nga fundi, enkas desha të përmend një mikun tim, Shabanin, që aktualisht është me punë ambasaador në Suedi dhe që ka qënë një nga të parët që më ka ndihmuar në përsosjen e artit të gazetarisë dhe të shkrimeve publiçistike. Ai për shkak të punëve të shumta e ka lënë disi publiçistikën dhe me këtë mesazh e ftoj të shkruajë edhe ai për të mirën e shqiptarëve dhe sidomos të diasporës që ka nevojë për të, për shkrimet e tij aq të arrira. Ja ç’më shkruan ai së fundi : « M’u bë qejfi që më shkruajte, sepse njeriu ka nevojë për shokët e vjetër. Sidomos tani që mosha jonë shkon drejt thyerjeve, ndjehet më shumë kjo nevojë. Më erdhi mirë që ke shkruar dhe shkruan, sepse vërtetë duhet që ju të diasporës të përpiqeni të sillni mesazhe demokracie dhe mendimi të lirë në mëmëdhé. Shkrimin për OKB-në e kishe të mirë, por ndoshta një valë nostalgjie spjegon ndonjë vlerësim që mund të ishte mënjanuar. Sidoqoftë më vjen mirë që je aktiv dhe vazhdo të shkruash. Bëji shumë të fala shoqes dhe fëmijëve nga ana ime… »Miku im më fton të shkoj së shpejti në Suedi dhe unë do t’i përgjigjem patjetër dëshirës së tij.