![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_bb008181127b4a1098018ff1eaecb526~mv2.jpg/v1/fill/w_640,h_960,al_c,q_85,enc_auto/a48dbc_bb008181127b4a1098018ff1eaecb526~mv2.jpg)
Që të themi përherë: “Faleminderit, urtësia dibrane!”
Kur mendova që të bëja një libër ose më saktë një grumbull shkrimesh me frymën e motiveve dibrane së pari u ndjeva mirë me veten. Padyshim dhe emocional. Fryma dibrane, ose dibranizmi, si mund ta quaj unë, është një copëz e asaj që jemi mësuar ta dëgjojmë në të gjithë mjediset shqiptarizmit ku flitet shqip ku këndohet shqip ku ninullohet shqip, ku kuvendet shqip. Ndaj për urtësinë dibrane, doja të mendohesha pak më shumë. Ose, si thotë një fjalë e urtë të kisha një frymëmarrje gjenerali
Është nga ato kultura komunikimi urtësia dibrane që ka pasaporën e mijëra viteve e që të bën edhe pak nostalgjik kur ajo na duhet po kaq e freskët edhe sot në një sherrnajë moderne
E spikatur si njësi gjeografike, kulturore sociale, dhe e futur me aq dinjitet e skajshmërisht e portretizuar aq mirë në sirtarët e kulturave të metropoleve të paktët shqiptarë apo të krahinave që dalloheshin kaq qartë nga njëra–tjetra si: Myzeqeja, Mokra, Drenica, Shmili, Martaneshi, Sulova, Shpati, Dumreja Labëria, Mallakastra, Çamëria, Zadrima, në Shqipëri të vogël e të madhe njëherësh shqiptare, përherë kemi parë një dibranizim brenda një Shqipërie të vogël e të madhe.
E nëse themi me një entuziazëm, me ngjyra të theksuara folklorike, ngjarje, bëma, pamje malesh, emrërtim zeje e zejtarësh, emra luftëtarësh të njohur, gojëdhëna nga më të bukurat që mund të jenë subjekt filmash botërorë që lidhen me atë krahinë, fshat ku ka lindur e, më tej, ka prekur sa e sa rrugë jete, rrugë bote mes tokës dhe qiellit, mes malit e detit, unë do thoja jo thjesht si këshilltar zyrash, tribunash apo portalesh se përtej vendlindjes së tij që mund t’i kushtosh simfoni, libra, piktura, skulptura apo ta ndihmosh për të bërë një shkollë, një urë, një punishte, një hotel, një kullë të përtërirë në themelet e gjyshërve, një burim ka dhe në kulturën e fqinjit që ai duhet ta njohë ta vlerësojë e ta dashurojë po kaq shumë.
E kam njohur frymën dibrane në vitet 60 kur në qytetin buzë Shkumbinit ku banoja, ma sillte një burrë i gjatë që të gjithë thonin se kishte ardhur nga Dibra. Unë nuk e dija se si kishte ardhur ai në atë qytet dhe në cilën kohë. Mbase e kishte sjellë zoti që të ëmbëltonte fëmijët e varfër të tij, pse jo dhe më të rriturit. Me një bluzë borë të bardhë, ai ecte tërë fisnikëri në qytet dhe shiste karamele lloj-lloj. Më tepër se ato karamele, ai kishte një buzqeshje po kaq ëmbëltore. Nëse një qytet si Gostivari, shijen e llokumeve dhe të ëmbëlsirave ua kishte besuar kurbetlinjve që shkonin e vinin në Stmboll, ai qytet ia besonte atij dibrani të mirë. Qyteti mund të mburrej me të drejtë me shegët, fiqtë, pjeprat e verdhë e të shijshëm që i thonin ndryshe “vedena” hurmat, rakinë, dardhat, ullinjtë po, aha, me ëmbëlsirat as që mund ta bënte një gjë të tillë. E kishte të mundur betejën me duart e arta të mjeshtrit dibran që merrte me mijëra falenderime.
“Provimin“ e dytë të këtij dibranizimi do ta kisha në vitin 2007 kur gazeta “Dibra” do të organizonte një konkurs poetik me poetë të të gjithë trevave e, natyrisht pjesa dërrmuese ishin ata dibranë. Ishte një cikël poetik ku kishte poezi për Sofrën Dibrane, për Mahmud Dacë Kalisin, për kuvendet dibranë, etj.
Në konkurs zura vendin më të lartë “Nderi i Dibrës” dhe vetëm pak kohë më vonë, më 2008 u botua dhe libri me të gjithë krijimtarinë në poezi e prozë me materialet e këtij Konkursi. Krijimet e mia u botuan në bash të librit si ta them dibrançe, në hyrje të tij. Një gëzim më shumë se i zakonshmi në Çmimet që kisha marrë e që do të merrja më vonë. Kohë më vonë herë pas here kam botuar mjaft shkrime, poezi në gazetat e Dibrës “Rruga e Arbërit“ dhe “Bulqiza”. Me shumë përgjegjësi e dashuri kam qenë edhe redakator letrar i mjaft autorëve dibranë, qoftë edhe më të mëdhenj në moshë se unë.
Kur botova një libër me frymën e Matit me poezi “Gurra e Budit” nisën të më lindnin brenda qënies letrare edhe lastarët e një libër të tillë. Duhej vetëm t’ia hiqje pak hi dhe ai të ndizej vrullshëm. Se fqinjët si janë Mati e Dibra, vërtet që kanë portat e tyre, po kanë edhe mjaft të ngjashme. Që nga shamibardhat nëna që në dy krahinat janë të ngjajshme bukurisht. Si ato kapelet e bukura të burrave mbase edhe në vallet e këngët sa të buta aq dhe luftarake kur ishte nevoja.
Nëse nuk do të marrë vetëm emërtime në dashurinë folklorike ku ka duvakë nusesh, mjaltim pragjesh, ku ka kuaj që hingëllijnë, ku ka piskama e bolorima, duhet ta kesh me vete edhe dibranizimin. Me plot gojë ta kesh e të bëhesh më i pasur në shpirt se në atë që të ka dhënë vendlindja jote, kudo qoftë ajo.
Se besoj se të gjithë do të jeni të një mendjeje me mua se befasia e ngjyrave, maleve, fushave, shpellave, vendeve të shenjtë, vullkaneve, akullnajave shkretërirave, ajzberegëve, pyjeve tropikalë apo më tej të alfabetëve, ndërtesave, ushqimeve, këngëve valleve, këngëve të dashurisë dhe atyre të morteve, racave njerëzore, është gjëja më e zakonshme për të ushqyer një shpirt emocionalisht, kulturalisht. Të ndez brenda vetes një tingull të padëgjuar kënge, si ato ninullat e djepit apo të shtratit. vetëm me një ndryshim, quaje si të duash, të vogël apo të madh. Këto këngë për ne, për ata që janë bërë sot gjyshër vazhdonin deri sa këmbët e fëmijëve rriteshin pak më shumëse djepi se çarçafi. Se ata fëmijë do të vraponin në udhët e baltosura të fshatit apo në gurët e rrugicave, besoj se nuk kanë dashur më ninanana.Mbase një tjeter vëlla ose motër do ia kishte zënë vendin e ato nëna, duke futur edhe nënat dibrane që si kryeninullë kishin Skënderbeun e Torviollit, të Vaikalit apo dhe të Klosit që ishte një vrap kali nga fusha e Domosdovës afër, do ia vazhdonin ritin.
Sot vendin e ninananave, duke futur edhe ato nënat dibrane, e kanë zënë smartfonët që vihen me zë të ulët diku në shtretërit e bardhë me muzikë të ëmbël qoftë edhe nga bota. Se Kodi i fëmijërisë është i njëjtë në gjithë botën, është frymë që përcillet. Modestisht dua ta jap në këtë libër një pjesë të frymës dibrane.
Mbase për mua që kam lindur diku në Jug, në një fshat ku Joni gati e tundëte si mik i mirë së largu mandilen e blertë të valëve, në një zonë që quhet Çamëri, e kisha pak të lehtë ta shijoja sadopak këtë frymë.
Ajo frymë punëdashjeje e dibranit që e nxjerr bukën edhe prej gurit, ishte dhe është e njëjtë me atë të çamit.
Kur të gjithë ata që duan të tregojë punëdashjen çame thonë se në asnjë cep të Shqipërisë e botës nuk gjen dot një çam duarshtrirë për bukë, para, rroba, ( për libra po) mbase se s’dua ta them lypës , unë dua ta besoj se ky Rregull i Artë social i një krahine a një kombi, është dhe për çdo dibran. Edhe pa njohur shumë gjëra për Dibrën e dibranët te ne në Shqipërinë e Mesme apo dhe në Jug, vinin ca shifra këngësh që sikur matnin më saktë madhështinë e trojeve të Dibrës. Të nëntë malet e Dibrës e shtatë liqenet e Lurës në jonet e këngëve të këngëtarëve sqimatarë dibranë na e sillnin në përfytërimin tonë këtë krahinë të bekuar nga zoti.
Nuk dua të flas këtu për ato dhjetra e qindra krushqi që janë bërë mes dy krahinave sidomos në vitet e demokracisë.
Nuk do çuditesha aspak që në Dibër përshëndetja e dy njerëzve në rrugë të jetë bash si në Çeki me fjalët “Nderi Punës” e jo ajo shprehje vrastare që na ka lidhur të gjithëve “SHTYJE!
Në jetën time në tringëllimat e zileve që në vitet 60 kam patur dhe kam ende miq të mençur dibranë, nga të cilët pata një Universitet të dytë.
E sërish, më vinte dhe më vjen ende në fytyrë poshtë asaj maskës së mallkuar të koronavirusit ajo drojë dhe obligim për atë që po bëja e do të bëja. Jo thjesht për të radhitur edhe një libër në tërë ato libra të shkruar e të botuar. Jooo.
Atë ditë po më vinte herë si fshikull e padukshme e herë si këshillë e atyre që e kanë lidhur jetën me shkronjën për të më thënë: “Ej, ti që po shkruan një libër me frymën e Dibrës mirë bën. Nëse diku keni dëgjuar e keni përsëritur shprehjen “Mat shtatë herë e prit një herë!” për Dibrën bashkë me këtë urtësi popullore, duhet të keni kaluar Shkollën e Dashurisë për Shkronjën. Madje dhe mirë. Duhet të keni kaluar e të jeni përballur me një Ujëvarë mentarie. Nëse nuk je i stërkaluar i tëri me atë ujëvarë, duhet me e pasë njomur me të penën tuaj, sytë tuaj!” Uroj që t’i kem të dyja këshillat.
Unë nuk dua të bëhem gjykatës e aq më tepër shpërndarës i dekoratave e mirënjohejeve për komunitete të caktuara të kombit tim, edhe pse i dua ato gjer në palcën e palcës.
Aq më tepër kur je larg tyre e të vijnë në sy në kujtimet, viset që ke shkelur, shiun që ta ka lagur, gurët që të kanë hyrë në këpucë, ferrat që të kanë grisur pantallonat, njerëzit që ke takuar, këngët e tyre, ushqimet, fyejt e lahutat, kabatë e meloditë me violina, krojet ku ke pirë ujë me grushta, kostumet e zakonet.
Po dua të them pa asnjë mëdyshje se DIBRANIZIMI është një portë rrezatuese ku të gjithë në Shqipëri e në diasporë duhet ta bëjnë atë pjesë të kulturës së tyre.
E jo vetëm sot, po edhe nesër kur në pasaportat tona do futet emërtimi Bashkimi Evropian. Apo edhe tash kur Amerika nuk është më Vendi i Ëndrrave me sa e sa kontakte që kemi me të.
Në këtë vëzhgim, analizë, meditim, laryshi mendimesh po më ndërmendet qyteti i Quincit në SHBA ku shkoj shpesh. Është qyteti i shtetit të Masaçusesit. Emërimi i Masaçusesit është “Shpirti i Amerikës”, ndërsa Quinci veç emërtimit “Qyteti i dy Presidentëve” sepse nga ky qytet kanë dalë dy presidentë të Amerikës, Adamsi dhe i biri, ka dhe emërtimin “Qyteti i Granitit” se këtu e bash këtu ka lindur për herë të parë për tërë Amerikën zeja e gdhendjes së Granitit.
Dhe të gjithë, sidomos atë që merren me ndërtimin e dinë se sa vlera ka graniti në ndërtim.
Unë do kujtoja sot atë emërtim që dikur njësonte vendin tonë në kohën e komunizmit “Shqipëria, një vend graniti” Mbase edhe vetë graniti, nëse do kishte shpirt, do të lëndohej nga ky krahasim
Po Dibra ka një pasaportë të veçantë.
Të paktën prej qindra vitesh mjeshtërit e Gollobordës, Maqellarës, Çidhnës, Zerqanit, dhe të tërë Dibrës janë dalluar se me një çekan në duar kanë ndërtuar sa e sa kulla, sa e sa objekte kulti në Ballkan e në mbarë Perandorinë.
Si i thonë ndryshe fjalës, lindin me çekiçin nën jastëkun e fëmijërisë. Bash se me kujtue furrtarët e Zymit e të Prizrenit apo dhe sërmëtarët e tij. Si me kujtua Korçën e serenatave. Si me kujtue peshkatarët e Ulqinit. Si me kujtue ariet e bukura të Shkodrës që i thonë jare. Si me kujtue Bjeshkët e Nemuna ku është ngjizur Eposi i Kreshnikëve një nga pasuritë e kulturës botërore e mbrojtur edhe nga UNESKO.
Apo gjalpin e vajin e ulllirit të Çamërisë që çante detet në Itali e në Europë.
Të gjithë flasin për trimëri shqiptare në veri e jug, po askush nuk mund të matet miqësisht zyrtarisht e me betejat e mëdha ku mijëra pushtues shihnin fundin e tyre.
E kënga e Hajredin Pashës që është më himn se himnet e trimërisë së një kombi, është sot dëshmitare e kësaj lavdie.
Nië kryemal si Korabi që i bën hije mbarë Dibrës mbase ka qenë e mbetet më i përkëdheluri në këngët e dashurisë në elegjitë e krahinës në ato të kurbetit.
Mbase edhe te emrat e djemve që burrëroheshin jovetëm në këtë krahinë, po në mbarë trojet shqiptare.
Vetëm pak kilometra larg në dingat e barutit matjanët bënin barutin dhe dibranët ia vinin armëve të tyre.
E nëse do marrësh një notë kaluese në kuvendet e odat dibrane duhet të ishe një fitimtar i merituar i asaj që do të vinte pas në jetë e kudo.
E Dibranizmi na bën që na jep mjaft zemër e shpirt themi se ai jeton e do të jetojë tashmë edhe në urtinë e tij. Mbase nuk është e rastësishme që nga kjo krahinë kanë dalë mjaft ushtarakë e intelektualë të fushave të ndryshme të jetës.
Nuk është e rastësishme që mundësit dhe boksierët më të mirë të kombit e me kurora bote, të kenë lindur në këto troje.
Është emocion të dëgjosh këngët elegjitë dibrane si perla të muzikës së kombit tonë .
Nuk është e rastësishme që lojërat e fëmijërisë i burrërronin më shpejt se mosha fëmijët e saj si ishte “kalaja dibrançe” Mbase edhe manushaqet ashtu si dardhat , kumbullat, mollët kanë atje një aromë që nuk e shijon në ndonjë vend tjetër.
Në këto radhë për lëçitësit e mi e ata dibranë doja të ktheja në ndërmendja një ngjarje të para disa viteve, Isha në një drekë miqësore më ambasadorën e Francës dhe me Drejtorin e Arkivave të Francës. të gati 6 viteve më pare. Biseda shkoi te kulturat e përbashkëta të dashurisë për drurin, lulet, ushqimet. Mes tyre në bisedë na erdhi një informacion mjaft i vyer që na e dha drejtori i Arkivave. Kohë më parë në Paris ishte bërë një ekspozitë libri mjaft e veçantë. Një gjetje franceze, e bukur shumë. Në një pavion ishin ekspozuar librat e ish-ambasadorëve francezë që kishin shërbyer në të gjithë vendet e botës e në një pavion tjetër ishin ekspozuar të gjithë librat për Parisin që ishin shkruar nga ish-ambasadorët e vendeve të botës që kishin bërë këtë detyrë në Paris. Parisi e donte edhe një kurorë të tillë shkronjore, ashtu si mjaft lavde që mund t’i thurësh atij.
Mbase do të krijoja një paralele në këtë shkrim. Sa bukur do ishte që edhe në Peshkopi, në Dibër të Madhe apo diku gjetkë mbase edhe në mërgim ku ka mjaft dibranë, mund të bëhej një ekspozitë e botimeve për Dibrën! Dibrës nuk i kanë munguar në asnjë kohë luftëtarët e mentarët. Do isha i lumtur edhe unë me këtë kontribut modest timin
Faleminderit, urtësia dibrane!
Boston , 20 gusht 2020
Një manifest që paraprin një përkushtim të merituar krahinës se Dibres (pa dallim për D-ne e vogël apo D-ne e madhe). Një peripato nëpër dhromet e kulturës krahinore në gjithë trojet etnike Dardano-arberore-epirote. Pena juaj zëdhenese e zemres dhe ndjenjave të tua ndaj ATDHEUT dhe kombit që i takon, shkruan me pasion vetëm të vërtetat e një kombi, i lashtë sa vetë jeta njerëzore, dikush thotë : I lashtë sa nuk mbahet mend.
Urime miku im i ditur, i dhimsur, energjik dhe mjeshteror në fushën e shkronjës, që keto shkronja të shkreta i munguan prinderve tanë ndër shumë brezni.
Ju pershendes dhe uroj mbaresi. Fahri Dahri
Itali, më 23/08/2020. -