Me talentin e madh të mundjes Baftjar Mehmet Bekteshi
Prof Dr Fatmir Terziu
Baftjar Bekteshi, sportisti me emër i mundjes shqiptare, ndërsa tashmë e kalon kohën e lirë në qytetin e tij të dashur, Elbasan, pakkush e di se ai ka qenë mundës i shquar i Elbasanit, Gollobordës dhe mundës me ekipet e Korabit, Flamurtarit, Lokomotivës e Labinotit, si dhe trajner i Labinotit të Elbasanit. Baftjar Bekteshi, udhëtoi nga Elbasani me ndjenjën e fortë të fitores, edhe pse në mundjen klasike do të ndeshej në vitin 1976 më një emër të madh si Muhamet Malo, që vinte nga Studenti. E kështu ai u bë fitues i Kupës, dhe i dha Elbasanit në vitin 1976 një trofe të madhe.
Ndërsa shfleton arkivat dhe kujtimet e sportit të bukur të mundjes gjen në Spartakiadën e tretë Kombëtare të zhvilluar në vitin 1979 atë që radhë ndodhte në atë arenë. Emra të mëdhenj e të talentuar nga e gjithë Shqipëria shënonin forcën, vitalitetin, aftësitë dhe talentin në dobi të rezultatit që ta do të përcaktonin dhe fatin e tyre në vazhdim. Mjafton të shkosh në arkivat dhe kujtimet e sportit të bukur të mundjes dhe të gjesh mjaft emra që kanë nderuar Gollobordën, Dibrën, Elbasanin, Tiranën e gjithë Shqipërinë. Ata janë emra të shkruar me respekt, me nder dhe me vetë përkushtimin sportiv.
I tillë është dhe Baftjar Mehmet Bekteshi, mundësi elbasanas me origjinë nga Trebishti i Gollobordës, që sa herë i dëgjohej emri, kundërshtarët dhe ata që ishin planifikuar të ndesheshin me të dridheshin. Dridheshin që nga Shkodra deri në Vlorë, se ai ishte si një gjarpër në mundjen klasike dhe tërë muskujt e tij ishin si kavo çeliku.
Shumëkush që e njeh pas viteve ’90, ndoshta e mban mend vetëm si një aktivist dhe një biznesmen dhe më së shumti një familjar që tentoi të rrisë dhe të edukojë djemtë, vajzën e tij dhe tërë familjen në një udhë të re të Demokracisë. Si familje ata iu përkushtuan rrugës së re demokratike, edhe pse e shkuara ishte për ta dhe për të parët e tyre ndërtimi dhe përkushtimi ndaj Atdheut. Në një familje me tradita atdhedashurie, patriotizmi dhe përkushtimi ndaj vlerave, Baftjar Mehmet Bekteshi u rrit si një model për mjaft të tjerë që synonin të ecnin përpara në jetë.
Baftjar Bekteshi, ka qenë ndër të parët që ka punuar për të ringjallur këtë sport pas ardhjes së Demokracisë së bashku me mundësin tjetër të dalluar Dilaver Cenaj, dhe disa të tjerë që më parë kishin pasur dëshira të zjarrta për këtë sport. Megjithatë karriera e tij brilante është ajo e mundësit dhe sidomos ajo e mundësit të klasikes, që aq sa thoshin se „kur të mbërthen Bafti, nuk ka buldozer të të shkulë nga vendi“. Baftjar Bekteshi është emri i një mundësi kampion, një sportisti shumë të fortë i cili ka lënë gjurmët e tij tek ky sport në Elbasan e kudo ku ai kishte mundësi të aktivizohej. Baftjar Bekteshi ka disa dekorata, medalje, kupa dhe si një kampion në disa evenimente të tilla sportive mban në kujtesë emra dhe trofe, mjeshtra dhe talente, njerëz dhe vlera, duke lënë kështu një pasuri nga më të mëdhatë për familjen e tij, shoqërinë, Elbasanin, Dibrën, Gollobordën e tij të dashur.
Aktivizimi në mundjen e ekipit të Elbasanit dhe sukseset e tij përbëjnë aureolën e sukseseve të tij. Jeta e tij megjithatë nuk ka qenë gjithmonë e qetë. Ka patur edhe ajo oshilacionet e saj, vuajtje, probleme të sistemeve, edhe pse ishte një djalë i „Heroit të Punës Socialiste“, por edhe nderime e angazhime të tjera nderimi.
Bafti, kështu e thërrasin të gjithë miqtë dhe shokët e tij, ka një kujtesë fantastike. Kujton një e nga një të gjithë mundësit e periudhës së tij, edhe të mëparshmit por edhe më pas. Kujton ndeshje për ndeshje çfarë kanë ndodhur në tapetet e mundjes, kujton kundërshtarët dhe gjithçka të bëjë me këtë sport i cili e ka bërë të njohur në Elbasan, Tiranë, Dibër, Gollobordë, por edhe më gjerë.
“Jam krenar për atë karrierë që kam patur me sportin e mundjes. Titujt, nderet, dekoratat dhe vlerësimet, që kam arritur edhe unë si individ por më tepër, ekipi i mundjes së Elbasanit, më kanë impresionuar shumë. Kanë qenë dhe do mbeten vite të paharueshme për mua, natyrisht dhe një mundësi për të vendosur emrin tim në atë që i shërben edukatës dhe kulturës fizike, për një trup të shëndoshë dhe me më pak probleme në jetë“.
Një kolektiv i mrekullueshëm duke u stërvitur dhe jetuar me kampiona të mëdhenj, duke u drejtuar nga njerëz me vlera, sigurisht që të bëjnë të ndihesh mirë edhe pas shumë vitesh”-thotë në fillim të prononcimit të tij për ne që e kemi një nga idhujt e këtij sporti, pasi vetë rrjedha është e tillë, dhe rrjedhat gjithnjë kanë piëtakime të ndryshme. Mjaft herë me këto rrjedha kanë qenë bisedat me tim atë, Dail Terziu, edhe ai një mundës i talentuar i kohës së tij, po ashtu dhe me dajën tim, Muharrem Sinani, që ishte një talent në mudnje, por që iku shpejt nga kjo jetë, me vjehrrin tim, Inxhinierin Njazi Ademi, që kohët e pleqërisë i ndanë bashkë për shumë vite e me mjaft të tjerë.
Baftjar Bekteshi ka qenë i përfshirë edhe në disa libra që i përkushtohen mundjes dhe madje ka qenë një figurë dhe rol model për disa ktivitete të pas viteve 90-të, ndërkohë që sportin e mundjes e ka filluar në moshë të vogël me trajner emra të mrënjohur të këtij sporti burrëror. Me kalimin e kohës, do kalonte edhe nëpër duart e trajnerëve të tjerë me emër dhe me talentë të ndryshëm, që iu bënë shokë dhe bashkëudhës në jetë.
Sikurse e thamë për këtë figurë të nderuar të sportit të mundjes edhe vitet e demokracisë kanë folur mjaft. Në muajin maj të vitit 2016-të në një aktivitet të cilësuar „Kupa e Mundjes Tradicionale të Gollobordës" në bashkëpunim me Bashkinë e Bulqizës dhe me Shoqatën Kombëtare të Mundjes Shqiptare dhe Shoqatës Sportive Golloborda, ai u nderua me kupën „Nderi i Mundjes“ krahas nëntë figurave të tjera të këtij sporti, si Haki Duka, Hiqmet Elezi, Jashar Ibrahimi, Masllum Tola, Laura Rama, Nesim Rama, Shefqet Karasani, Abedin Dehari.
Duke shkuar në kujtime të shumta, sa herë që afroheshin spartakiadat dhe evenimentet Kombëtare të mundjes, ata që do të ndesheshin me Baftin, ngado që ishin, do të interesoheshin së pari për gjendjen e tij fizike, nëse ishte i sëmurë, apo kishte ndonjë problem në atë kohë dhe pastaj do të vendoseshin përballë tij, se ndryshe dihej që në pak sekonda dhe ata sihin humbës. Kështu ndodhi në një spartakiadë, ku Elbasani edhe pse e dinte se Bafti ishte për një kohë në gjendje jo fort të mirë shëndetësore, e detyroi të shkonte në spartakiadë, ku atje oponenti nga një qytet sportin shqiptar fitoi ndaj tij dhe vetëm me pikë. E kjo u konsiderua si nëj fitore e madhe, ndërsa Baftit i kushtoi mërzitje dhe përkushtim më të madh.
Baftjar Mehmet Bekteshi ende mban momente të këndshme nga sporti, nga jeta dhe nga aktivizimi, kështu ai me memorjen e tij është një muze më vete, një arkivë që duhet shfrytëzuar sa është në jetë, se ndryshe bashkë me të do të shuhen dhe tërë ato vlera që u duhen brezave në Elbasanin, që më shumë se kurë duhet të jetë në krye përsëri në mjaft sporte.
תגובות