"Me sytë nga deti"
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 18, 2021
- 5 min read

Pjesë nga romani" Me sytë nga deti"
Puhiza mëngjesore fërkohej butësisht nëpër gjethet e pemëve, cicërimat e zogjve bashkoheshin në një melodi magjepsëse që të dehte shpirtin. Bela ecte ngeshëm në rrugën "Hoxha Tasim". Zeshkane, me trup të hajthëm, mollëza të ngritura, sy të mëdhenj të hirtë ecte lirshëm, thithte ajrin e ngopur me aromë, i buzëqeshte jetës. Fjalët i kishin humbur. Deri atëherë jeta e saj rridhte e qetë, plot ëndrra e dëshira të natyrshme femërore. Ende nuk kishte hasur në ndonjë hendek të thellë që duhej kapërcyer. Shoqet e mbanin për vajzë të zgjuar, të sinqertë e të panënshtruar. Krejt rastësisht u ndodh përballë me ish mësuesen e letërsisë, Dritën, grua e thjeshtë, miqësore, me fytyrë të qeshur pak të zbehtë e disi përgjëruese që sakaq të bënte për vete. - Oh mësuese Drita, sa kohë pa u parë! - ndali frymën nga gëzimi. - Pa shiko Bela bukuroshe! - i tha ajo me zë të thellë grykor që erdhi duke u shuar, si valët e detit në verë. - Si je mësuese? - i vuri dorën e djathtë gjithë dashuri mbi sup. - Mosha bën të vetën, - buzëqeshi dhe sakaq iu formuan ato dy gropëzat e dikurshme që e identifikonin si zusha me gropëza në faqe. - S’ke ndryshuar dhe aq, - qeshi Bela, - vitet për ju kanë udhëtuar pas në kohë. - Ashtu thua? - Po dhe nuk është kompliment, - u shpreh me sinqeritet. - Epo mirë pa më fol pak për veten tani! - i tha me tonin e dikurshëm. - S’kam shumë për të thënë, - u skuq pak. - Si mbarova maturën para tre vjetëve, nuk munda ta vazhdoja të lartën. Sivjet mendoj të regjistrohem në një fakultetet në Itali, ndaj po shkoj në bibliotekë. - Shoh që edhe sytë të qeshin Bela, kam besim se mund të arrish gjithçka ëndërron. Po si më mbajte mënd moj gocë? - Kurrë nuk më është shqitur nga mendja mirësia dhe përkushtimin tuaj, mësuese. Më ke dhuruar kaq shumë dashuri dikur. - Ma zbukurove ditën bukuroshe! Më zgjove kujtimet e atyre viteve. - Ishte kënaqësi ky takim mësuese, këshillat tuaj nuk i kam harruar kurrë. - Meqë ra fjala do të jap një këshillë të fundit. - Po, patjetër mësuese. - Ruaje veten bija ime, qëndro e dëlirë, mos u tundo nga e liga, derisa të gjesh fatin tënd. - Të premtoj, do jem gjithmonë Bela që keni njohur dikur. - Dhe unë kam besim. Bela hodhi sytë nga pemët e gjelbëruara. - Sa e bukur kjo rrugë, mësuese, - ndërroi temën e bisedës, - sidomos në këtë stinë. - Tirana është qyteti mrekullueshëm. Gjelbërimi ka qenë pjesë e çdo shtëpie edhe e atyre më të varfërve dikur, kur ti s’ishe veçse një miturake. - Si është vajza juaj mësuese? Ku ndodhet? Mami im e kishte model Mira kaçurrelen, na e sillte si shembull të vajzës së edukuar. - U largua për jetë më të mirë siç thuhet, - psherëtiu, - Shqipëria e gjorë nuk i mban dot të rinjtë. - Atje funksionojnë gjërat siç duhet, mos u merakos, - i tha me zë ledhatues. - Nuk e pati të lehtë, - ngriti vetullat gjithë shqetësim, - vuajti shumë. - Pa punë këmbëngulëse nuk arrihet asgjë, besoj se ajo e ka kuptuar shumë mirë këtë. - Në fillim duket gjithçka e lehtë, pastaj telashet mbijnë si pa kuptuar kërkojnë sakrifica, inteligjencë, vizion. - Ashtu është mësuese, - tundi kokën mendueshëm Bela, - sa bukur e thua! - Mund të mos jem shumë e saktë, vogëlushe, unë i përkas një kohe tjetër. Eh, kjo na lodh e sfilit ne të vjetërve. - A mund t’ju pyes ç’peng ju mbetur tani mësuese Drita? - Të rritet vajza pa i munguar asgjë, kaq dua. Sa vinte zëri i shuhej, sikur donte të fshihte vibracionet e shpirtit llagar. - Ç’ ka ndodhur mësuese? - e pyeti Bela. - Mira është infermiere në një azil në Itali. Punën e ka të mirë, edhe pagën, por ajo nuk është si ty, e butë, e qetë, përkundrazi, ndez zjarr e shuan çdo stuhi sado e fortë të jetë. Kjo është arsyeja që më brengos hera-herës. Bela dëgjonte me sytë e bukur të perënduar dhe ajo mori kurajë: - Mbrëmë foli në telefon e mërzitur: - E kam filluar ditën keq - më tha - Pse?- e pyeta. - Për shkak të shefes. S'jam si ti mami, nuk e duroj dot, s’do ta lejoj të më bëjë të ndihem endacake, - më tha prerë, pa pyetur për mendimin tim. - Mendoj se ka të drejtë, mësuese, është e vendosur të arijë synimt e veta atje. Ç’të keqe ka? - Ah moj bijë, e njoh mirë vajzën time. Mori frymë thellë, pastaj vazhdoi. - Edhe ne në kohën tonë kemi kaluar telashe të tilla, po ishim të kujdesshme nuk e kalonim masën. Njerëzve nuk u pëlqen t’ua përplasësh në fytyrë gabimet, duhet takt që Mira s’e ka. - Si e priti ajo këshillën tënde? - u bë kureshtare Bela. - Unë nuk do të përpiqem t’i kënaq të gjithë, dua të kem identitetin tim, kështu me ke këshilluar mami, të kujtohet? - Mirë moj bijë, - i thashë, - po mbaji këmbët në tokë. - Do të ketë marra diçka nga karakteri juaj, - qeshi Bela, - nuk duhet të merakosesh ka qshumë. - Unë jam qytetare, që bëj jetë të rregullt, kurse ajo ka temperament tjetër, asnjëherë s’është e kënaqur, s’e gëzon asgjë, më shumë frekuenton pijetoret se restorantet. Edhe gjendja shëndetësore nuk më duket fort e mirë. Në sytë e z. Drita zbarkoi një trishtim i cili si duket po i lodhte shpirtin. Bela i hodhi krahun, e shtrëngoi me dashur. - Mësuese, edhe mua mami më thotë se kam mbetur fëmijë llafazan. Ne vajzat e sotme kemi të drejtë të rebelohemi në këtë shoqëri maskiliste që na sheh vetëm si femra. Në këtë pikë Mirës i jap të drejtë. Ka dinjitetin e vet, pse duhet të nënshtrohet? - Mbase ke të drejtë, - ia mori kokën në gji, - ç’vajzë je, bukuroshe! - Kurrë s'kam për ta harruar takimin tonë pas kaq vitesh, mësuese Drita. - Edhe unë moj vajzë, edhe unë. - A do të pranosh një këshillë? - mori kurajë. - Mos e lodh shumë mendjen, Mira është e rritur, di ç’bën. Edhe me punët e shtëpisë mos u rropat kaq shumë. - Faleminderit bijë, po unë tani lexoj shumë e pastroj pak. Ulem në ballkon, shijoj pamjen pa vënë re pluhurin që pushton gjethet. Dua të harroj gjithçka që më sjell shqetësim. Pastaj si të kujtohej atij çasti: - Më fal, bijë, dola nga vetja, për çfarë duhet të flisja e të pyesja e çfarë thashë. Shkon gjuha ku dhemb dhëmbi i thonë një fjale. Bela ia mori çantat, e shoqëroi një copë rrugë. Të dyja u ndjenë të lehtësuar nga biseda.
Comentarios