ME SYTË E FËMIJËS


Resmi Osmani

Pesë

Kishte hyrë qershori.

Me Fatimenë po ndodhte mrekullia, asaj po i jepeshin stolitë që një vashe di t’i japë vetëm rinia. Erdhi e iu derdh një bukuri që të mbeteshin sytë : dielli i dha shkëlqim nga drita e tij, hëna arin e zbehtë të netëve të kthiellta, trëndafilat kuqëlimin e faqeve, lulkuqet të kuqtë e buzëve, dallandyshet me krahët qerpikët e syve, zambakët butësinë e cipës së fytyrës, drenushet bukurinë e syve dhe qafën e gjatë, pëllumbeshat ëmbëlsinë e shikimit, bilbilat melodinë dhe tingëllimin e zërit, selvia teptisjen, hovjen dhe bukurinë e shtatit. Të mbeteshin sytë ta shihje!

Mirëse vjen bukuri, dhuratë e rinisë së vajzërisë!

Ndjeu ndën jelek t’i gufoheshin gjokset dhe e pushtoi një molisje e brendshme, një si dalldi fluturake, nga diçka që s’ e kuptonte nga i vinte, por që e ndjente ama, se e bënte të ndihej ndryshe nga më parë. Ishte mahnitje, një thirrje e pa njohur, që ajo nuk e dinte për ku.