Pranë varfërisë shikimin hedh larg, Jo në vila, në kolltuk, as në avjon, Lëndinave që përqasen në një varg, Tok me shpirtin e gjyshit që kalëron.
Po nxiton tani mendimi shkretëtirës, Ndërton oaze në paqe, në liri, Larg dhëmbjes, larg trishtimit, larg mëshirës, Rërës së pafund, një kontinent të ri.
E shpërfilli varfërinë shpirti im, Po rrugët e mia ndërpriten diku, Merak' i gjyshit më merr në kalërim, Veç trupin pa shpirt e mendim lë këtu.
Heraherës gjyshi ndalon rrugëtimin, Ca fantazma terri që quhen kufi, Hije pa pik ghaku që nxitin dyshimin, Dhe botën tkurrin në tjetër madhësi.
Sa të frikëshme këto hije, si natë, Po të mos ishin, bota do qe veç dritë,, Kalërimi ynë do ish i pamatë, Në lugina të zhveshura nga lakmitë.
Mbrëmjeve në ankth, mëngjeseve me shpresë, Vera përqas hijet, vjeshta lakuriq, Dimrit akull, pranverës lule e vesë, Kjo botë të josh e të braksis o miq!
Nisa mendimet si kuaj ergjele, T'i mbroj nga ndonjë pritë apo lak, Vallëzojnë të bekuara atje, Shpirti këndon në një liri pa cak
Një çast u duk se u shpërfill varfëria, Pa botës i vesha ngjyrat e ylberit, Kuaj të pabindur mendimet e mia, Këtu më lanë, vetëm , mua të mjerit.
Pajtim Xhelo, 1969, Tiranë ( e pabotuar)
Comments