Me rastin e 75-vjetorit të Gjyqit Special mars-prill 1945


Thanas L. Gjika

KRIMET E KOMUNIZMIT FILLUAN QË GJATË LUFTËS

DHE U LIGJËRUAN ME GJYQIN SPECIAL 1945


(Me rastin e 75-vjetorit të Gjyqit Special mars-prill 1945)


Gjatë këtij mars-prilli u mbushën 75 vjet nga koha kur u organizua Gjyqi Special i 60 intelektualëve shqiptarë prej komunistëve që sapo kishte ardhur në pushtet. Ky përvjetor kaloi me dy shkrime te websitet kujto.al dhe radiandradi.com. Miku im, i palodhshmi 91-vjeçar, Lek Pervizi - botuesi i revistës internetike Kuq e Zi, - më dërgoi për lexim kryeartikullin e tij të numërit që do të nxjerrë tani në qershor, ku përkujton disa ngjarje të Gjyqit Special dhe të internimeve. Ai më shprehu mërzinë e tij pse sivjet u shkrua shumë pak për këtë ngjarje shumë domethënëse për karakterin e diktaturës që u instalua në Shqipëri pas mbarimit të L2B. U ndjeva i turpëruar, sepse këtij gjyqi nuk i kisha kushtuar ndonjë shkrim. Hyra në Google ku gjeta shkrime e kujtime interesante të publikuar prej të dënuarve si Lazër Radi, prej vetë Lekës vëllai i të dënuarit Valentin Pervizi, prej studiuesve Çelo Hoxha e Kastriot Dervishi, prej gazetarit Kliton Nesturi, prej zonjës Rita Koka, vajza e kolonelit Sami Koka dhe prej Bedri Spahiut, Prokurorit të këtij gjyqi. Pasi lexova dhe dy faqe të gazetës Bashkimi të datës 14 prill 1945 vendosa të shkruaj këtë artikull të shkurtër për ta vlerësuar këtë ngjarje si një nga krimet e hershme të diktaturës komuniste shqiptare, pra ndryshe nga historianët zyrtarë të derisotëm.

* * *

Një qytetar që do të jetë i ndershëm me veten dhe shoqërinë, pasi ka lexuar e dëgjuar për shumë nga krimet e kohës së diktaturës komuniste, nuk ka si të mos i dënojë ato krime dhe vetë sistemin që i krijoi edhe pse në atë kohë mund të ketë qenë i manipuluar, gojëmbyllur dhe i pajtuar me sistemin, si kisha qenë dhe unë. Puna është se deri ku shkojmë në këtë qëndrim të ri kritik.

Qëndrimi që mbajmë ndaj krimeve të komunizmit është treguesi kryesor që dëshmon nëse mendësia jonë është vërtet demokratike, kur i dënojmë të gjitha krimet që në fillimet e tyre; apo është një mendësi gjysëm demokratike, kur dënojmë vetëm një pjesë të tyre.

Shumë prej intelektualëve, që morën formim në shkollat e kohës së diktaturës komuniste kanë evoluar lidhur me dënimin e sistemit diktatorial komunist, por për fat të keq shumica e tyre kanë mbetur në mes të rrugës. Them, kanë mbetur në mes të rrugës, sepse ata kanë pranuar dhe i dënojnë si krime të atij regjimi vetëm krimet që kreu diktatori Hoxha mbas shkëputjes nga miqësia me Bashkimin Sovjetik, kur ai për të mbajtur pushtetin dha dënime të rinj duke shpallur “tradhëtarë dhe armiq të partisë e të popullit” edhe bashkëpunëtorë të tij si: Koço Tashkon, Liri Belishovën, Teme Sejkon, etj. Mirëpo shumë intelektualë nuk e kuptojnë se vendimi sekret i dënimit të njerëzve që rrezikonin pushtetin e udhëheqësit të partisë u formulua e u zbatua menjëherë pas formimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Në zbatim të këtij vendimi kanë qenë spiunimi i Qemal Stafës (5 maj 1942); vrasjet mbas shpine të partizanëve si Memo Meto, Xhemil Çakërri, Hydajet Micolli, Mynyr Xhindi, Raqi Qirinxhi, etj, që nuk u bindeshin qorrazi urdhrave të eprorëve. Ky vendim vijoi të zbatohej deri te vrasja e Kryeministrit Mehmet Shehu, Ministrave Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Kadri Hazbiu, etj.

Krimet e PKSh /PPSh-së janë një zinxhir i pashkëputur që nga krijimi i saj e deri te kapitullimi i regjimit komunist, kur u pushkatuan poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka; kur u var poeti Havzi Nelaj; kur u vranë në kufi djemtë që donin të kalonin kufirin pasi ky veprim ishte shpallur prej Kuvendit Popullor si veprim që s’përbënte krim dhe nuk duhej dënuar; kur u dënuan të rinjtë që rrëzuan bustet e Stalinit e të Enverit, dhe së fundi u vranë demokratët e parë më 2 prill 1991 në Shkodër.

Për të gjykuar karakterin terrorist të PKSh-së nuk duhet të na ngatërrojë fakti se djemtë e rinj që “dolën malit” ishin djem e vajza idealistë shumë prej të cilëve dhanë jetën për lirinë e atdheut. Karakteri terrorist i PKSh-së ka ekzistuar që gjatë luftës në udhëheqjen e lartë të kësaj partie dhe jo në anëtarët e thjeshtë të saj, të cilët ishin idealistë romantikë e naivë politikë. Askush nuk e mohon Luftën Antifashiste që kreu populli ynë kundër pushtuesve të huaj fashistë e nazistë si një luftë të drejtë që ka qenë e është një veprim që e nderon popullin shqiptar. Po ashtu gjaku i dëshmorëve që ranë për liri është i shenjtë për të gjithë shqiptarët. Mirëpo vlerësimi i këtyre dukurive ka qenë i politizuar gjatë viteve të diktaturës komuniste dhe gjatë tranzicionit. Them, edhe gjatë kohës së tranzicionit, sepse historianët që hartuan “Historinë e Shqipërisë” të vitit 2009, dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (2008-2009) botime të Akademisë së Shkencave të RSh, nuk kanë bërë si duhet rishikimin e shumë nocioneve dhe vlerësimin e ngjarjeve që kanë marrë në analizë. Në këto botime Lufta Antifashiste e popullit tonë vijon të paraqitet si vepër e PKSh-së dhe nuk përmendet fakti se përveç Mujo Ulqinakut u vranë më 7 prill 1939 dhe 14 dëshmorë të tjerë (9 në Durrës, 1 në Sarandë, 1 në Shkodër, 1 në Vlorë dhe 1 në Berat). Po ashtu mohoen luftimet e para kundër pushtuesve italianë që i kryen forcat e ushtrisë mbretërore dhe i vijuan nacionalistët para formimit të PKSh-së. Më tej këto forca e vijuan luftën antifashiste bashkë me forcat partizane komuniste, me të cilat shkuan bashkë në Konferencën e Pezës (16 shtator 1942) dhe në Mbledhjen e Mukjes (2-3 gusht 1943).

Për ta kuptuar më qartë karakterin vrastar kriminal të udhëheqjes së PKSh / PPSh-së duhet të kemi parasysh faktin se kjo parti komuniste nuk u krijua si pasojë e zhvillimit të brendshëm të lëvizjes komuniste shqiptare, si ishin krijuar partitë e popujve të tjerë të Europës Lindore. PKSh-ja u formua prej të dërguarve të Partisë Komuniste Jugosllave, të cilët i imponuan partisë sonë një politikë që t'i shërbente së pari interesave dhe synimeve të PKJ-së dhe pastaj interesave të popullit shqiptar. Strategjia e fshehtë ka qenë që të punohej pa u shpallur botërisht për t'i kthyer Jugosllavisë territoret që ia kishte dhënë Shqipërisë Gjermania Naziste në korrik-gusht 1941 pasi ushtria gjermane theu armatën jugosllave dhe e shpërbëri atë shtet.

Këtu e kanë burimin krimet e para të PKSh-së si:

Mosmbajtja zi për dëshmorët e rënë në Luftën Antifashiste që nga 7 prilli deri më 7 nëntor 1941. Fakt që tregon se kjo parti e mohonte gjakun e dëshmorëve të rënë për liri para themelimit të saj.

Mospërmendja e fjalëve “Shqipëri etnike” dhe “Kosovë” në procesverbalin e mbledhjes së themelimit të PKSh-së. Fakt që zbulon se PKSh-ja nuk do ta njihte Shqipërinë etnike dhe nuk do ta shtrinte aktivitetin e vet organizativ, politik dhe ushtarak jashtë territorit të Shqipërisë Londineze.

Mospërmendja në atë procesverbal e fatit të territoreve shqiptare dhe të popullsisë shqiptare që i ishin bashkuar Shqipërisë mbas korrikut 1941 zbulon faktin se PKSh-ja ishte një parti vasale e PKJ-së dhe se do t'i shërbente interesave të shtetit jugosllav.

Mohimi i Marrëveshjes së Mukjes (2-3 gusht 1943) me ndërhyrjen e Miladin Popoviçit sepse aty ishte formuluar kërkesa për luftë të armatosur kundër pushtuesve të huaj dhe për ruajtjen e Shqipërisë etnike. Edhe ky fakt zbulon karakterin e varur tëPKSh-së nga PKJ-ja.

Krimet e komunizmit duhet të kapen e të dënohen që në fillimet e veta. Krime terroriste meritojnë të quhen të gjithë aksionet e atentatorëve të forcave guerile që vrisnin pa gjyq nëpunës ose intelektualë sipas urdhrave që u jepte qarkori i PKSh-së.

Një krim tjetër i PKSh/ PPSh-së ka qenë dhe propaganda trushpëlarëse, që u përdor si pjesë e terrorit për ta trembur popullin dhe për ta mbajtur të nënshtruar, me synimin që të krijonte “njeriun e ri”, “çnjeriun” si e quajti Ismail Kadareja, që banorët e Shqipërisë të mos mendonin me kokën e vet, por të vepronin si robotë të bindur ndaj urdhërave të partisë.

Në serinë e krimeve të PKSh-së, nuk ka pse të mos cilësohet si i tillë dhe Gjyqi Special i mars-prillit 1945, i cili u sajua për të krijuar idenë se PKSh-ja pasi erdhi në pushtet u dha fund vrasjeve pa gjyq. Mirëpo ky gjyq dhe gjyqet e tjerë që u zhvilluan me urdhër të udhëheqjes së PKSh/ PPSh-së për kundërshtarët e regjimit, ose ata që mendoheshin si kundërshtarë të tij, ishin gjyqe me dëshmitarë të rremë. Në këto gjyqe, si ka thënë pas lirimit nga internimi Bedri Spahiu, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, rolin e gjykatësit dhe atë të prokurorit, i kryente udhëheqësi i partisë shtet.

Studiuesi Çelo Hoxha ka vënë në dukje se pasi u arrestuan në dhjetor 1944, 60 intelektualë shqiptarë pa asnjë fletë arresti a vendim gjykate, në gazetën “Bashkimi” filloi fushata propagandistike e partisë me parullat “Armiqtë e popullit i pret plumbi”, “Tradhëtarët në litar”, etj. Pra partia në pushtet nxiste përmes propagandës një frymë hakmarrëse ndaj të arrestuarve para se të krijonte seancat gjyqësore. Kjo fushatë të kujton vitet ’70 të shek. XX, kur Enver Hoxha pasi i arrestonte të quajturit “grupe armiqësorë” në kulturë, ushtri dhe ekonomi, kërkonte që gjithë punonjësit e Shqipërisë t'i dënonin pjesëtarët e këtyre grupeve nëpër mbledhje pa treguar prova e fakte (se prova e fakte nuk ekzistonin) dhe para se të jepeshin dënimet prej gjyqeve përkatës.

Në vitin 1945, në Shqipëri nuk kishte as Gjykatë e as Prokurori, por me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor u ngarkua si kryetar i procesit gjyqësor të jashtëzakonshëm Gjeneral Leitenant Koçi Xoxe dhe si Prokuror Bedri Spahiu. Me përjashtim të Halim Budos dhe Gaqo Floqit, që ishin gjyqtarë, të shtatë anëtarët e tjetë të së quajturës “Gjykata Speciale e Tiranës” që zhvilloi Gjyqin Special, bashkë me kryetarin dhe prokurorin, nuk kishin diploma të larta dhe as njohuri juridike.

Prokurori i akuzoi të arrestuarit “Kuislingë” pa ditur se të arrestuarit nuk kishin kryer asnjë veprim të ngjashëm me veprimin e Kuislingut të Norvegjisë. Ai i shpalli të 60 intelektualët e arrestuar “tradhëtarë të kombit” kur asnjëri prej tyre nuk kishte bërë ndonjë tradhëti.

U shpall tradhëtar Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhës, njeriu që ishte kujdesur për rritjen dhe edukimin e këtij kunati dhe e kishte strehuar gjatë luftës. Në grupin e këtyre “tradhëtarëve” ishin dhe Aqif Përmeti e Kol Tromara miq e bashkëpunëtorë të Bahri Omarit që në vitin 1915 në mërgim. Aqif Përmeti kishte qenë komandanti i trupave vullnetare që dërgoi Federata PanShqiptare Vatra për të luftuar më 1920 kundër pushtuesve italianë. Kurse Kol Tromara në fjalën e tij të fundit, i tha prokurorit: “Ju keni plan të na vrisni. Por duhet ta dini se ne kemi punuar si patriotë për Shqipërinë dhe patriotë si ne do t’i duhen Shqipërisë, por nuk do t’i gjeni më”.

E si mund të quhej “tradhëtar e kuisling” Valentin Pervizi, njeriu që kishte mbaruar Akademinë Ushtarak në Itali dhe ishte kthyer në fund të vitit 1944 gjithë ëndrra për t’i shërbyer atdheut, por që ende nuk kishte filluar asnjë aktivitet. Po kështu nuk mund të pranohet ky epitet për gazetarin e talentuar Gjergj Bubani, që kishte rrezikuar aq shumë me shkrimet e tij për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Kurse si drejtor i Radio Tiranës më 7 prill ai i kishte bërë thirrje popullit për luftë kundër pushtimit italian. Ish-komunistja Kaliopi Prifti, që kishte punuar në Radio Tirana, gjatë vitit 1943, doli në gjyq si dëshmitare dhe tha se drejtori Gjergj Bubani e dinte ekzistencën e celulës së PKSh-në në institucionin e Radios dhe nuk e denoncoi. Por, si tregon gazetari Kliton Nesturi, deponimi i kësaj komunisteje nuk u mor parasysh. Ky intelektual u dënua jo se kishte bërë ndonjë krim a tradhëti ndaj popullit shqiptar, por sepse kishte mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës ndaj shtypjes jugosllave dhe dënimin e tij e kërkuan emisarët e Titos. Mirëpo antijugosllavi Gjergj Bubani nuk u lirua nga burgu as kur Enver Hoxha u prish me Titon dhe u lidh me Stalinin, sepse diktatori Hoxha nuk mund të pranonte se kishte gabuar në dënimet që dha me anë të Gjyqit Special më 1945, ashtu si nuk pranoi kurrë se bëri ndonjë gabim si drejtues i partisë.

Në kuadrin e 75-vjetorit të Gjyqit Special, shkrimtari dhe gazetari Jozef Radi e pasuroi në website-in e tij radiandradi.com duke shkruar për demostratën e parë antikomuniste të janarit 1945, organizuar prej 30 bashkëshorteve të atyre që ishin arrestuar pa vendim gjyqi. Këto gra të kapura dorë për dore ecën nga fundi i bulevardit të Tiranës (pranë burgut të ri) drejt qendrës, duke thirrur: “Burrat tanë janë të pafajshëm”!, “Lironi burrat tanë”!. Turmën e tyre e sulmoi një togë partizanësh, e cila arrestoi dy prej tyre, kurse të tjerat u larguan duke u fshehur nëpër shtëpitë tiranase. Midis këtyr grave demostruese ishin dhe Gjyslyme Leka dhe Vitore Radi, dy ish-nxënëse të Institutit Nëna Mbretëreshë, bashkënxënëse me Nexhmie Hoxhën (Xhunglini) dhe Fiqiret Shehun (Sanxhaktari).

Zonja Roza Koka, vajza e kolonelit Sami Koka, komandant i Xhandarmërisë Shqiptare gjatë pushtimit, njeriut që detyroi qeverinë shqiptare në shtator 1943 (pas kapitullimit të Italisë Fashiste) që t'u lidhte pension patriotik 13 dëshmorëve të rënë më 7 prill 1939, ka treguar akuzën që Bedri Spahiu i bëri babait të saj: “E dimë që ke punuar me drejtësi dhe se je njeri i ndrershëm, por nuk ta falim që nuk erdhe me ne”! Pra Sami Koka u dënua me pushkatim jo se kishte kryer ndonjë krim, por sepse nuk kishte shkuar të luftonte krahas forcave partizane. Ky dënim kriminal të kujton aktin kriminal të Mehmet Shehu gjatë vitit 1943 kur pushkatoi pa gjyq 65 ballistëve lushnjarë të kapur rob, sepse këta nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën e Parë, po kërkuan të shkonin në shtëpitë e tyre.

Gjyqit Special të mars-prillit 1945 ia ka bërë vlerësimin vetë prokurori i tij, Bedri Spahiu, i cili në gazetën “Republika” qershor 1991, shkroi: “Duke kujtuar këto 46 vjet terrori, mizorie dhe mjerimi që ka kaluar populli im, mua më vjen turp që kam qenë prokuror i atij Gjyqi Special”. Pra ky dhënës i dënimeve ka pranuar se ai gjyq ishte një farsë e turpshme, një krim i shëmtuar.

Pas këtij denoncimi të Bedri Spahiut të vjen çudi se si qeveritë e tranzicionit dhe autorët e Historisë së Shqipërisë dhe të FESh-it të pas vitit 2000, nuk e kanë cilësuar dhe dënuar këtë gjyq si një ndër krimet e diktaturës komuniste.

Thelbësore në procesin e zhvillimit moral e shpirtëror të popullit tonë është të kuptojmë se pa dënuar krimet e komunizmit nuk mund të ecet përpara. Nuk ka ecje përpara sepse ndërgjegja e popullit tonë nuk gjen qetësi pa u dënuar ato krime. Dënimi i krimeve të komunizmit është një proces që ndihmon në pastrimin tonë. Dhe këtë pastrim shpirtëror e moral që sjell forcimin e unitetit tonë kombëtar duhet ta krijojmë vetë ne shqiptarët duke i dënuar të gjithë krimet e komnizmit, deuke i vlerësuar si meritojnë të përndjekurit e ndërgjegjes, pa pritur që këtë katarsë të na e bëjnë miqtë e huaj...

41 views1 comment

Shkrimet e fundit