
MENDIME RRETH AUTORIT ROBERT MARTIKO,
ME QENDËR NË MENDIMIN E TIJ
RILINDJEN SHPIRTËRORE TË SHOQËRISË SHQIPTARE
Nuk mund të konceptohet shkrimtari Robert Martiko, anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, Ambasador i Paqes Universale. autori i disa librave, pa idenë e tij themelore rreth Rilindjes Shpirtërore. Deri më sot, historikisht, në Shqipëri nuk njihet. Diku ka folur rreth kësaj teme, me rrezatim jetëdhënës, eruditja e madhe me kulturë të thellë evropiane, Helena Gjika. Duke u bashkuar me mendimin e saj, Roberti e shikon temën më në thellësi duke propozuar se e njëjta rrugë mendimi që transformoi shoqëritë evropiane, duke i nxjerrë nga Mesjeta, duhet të njihet edhe në Shqipëri. Është një ide e Robertit që fillon të gjejë dalëngadalë mjaft përkrahës.
Artemisi Gjini, lexuese e vijueshme e shkrimeve të Robertit të publikuara në Feisbuk, porsa mori vesh publikimin e librit “Saranda në ditë përjetësie” u shpreh; “Ja një titull që vlen sa një libër”. Ndoshta ishte vetë fjala “Përjetësi” që e bëri të mendonte për vlerën e shkrimeve, në përgjithësi, kur gjërat trajtohen nën dritën e koncepteve të ndriçuara, iluministe, me karakter universal, për të ndryshuar njeriu.
Një tjetër lexues i vëmendshëm, i cili gjithnjë interesohet për letërsinë e Robertit është Xhafer Meçe, me profesion avokat. Shprehet duke komentuar një shkrim të Robertit, se mendjet më të shquara të Antikitetit, i kishte tërhequr, edhe tema e fuqisë së teknikës, si mundësi praktike për lehtësimin e punëve të kryera me fuqinë e duarve. Por Xhaferi, në anën tjetër, njëkohësisht, nuk mund të mos verë në dukje kontradiktën e madhe të ditëve të sotme se zhvillimi i madh i teknikës, kërcënon planetin ku banojmë, Tokën. Jo më kot, përmend shkencëtarin gjenial me origjinë hebre, Albert Ainshtainin që paralajmëroi të ardhmen e errët të njerëzimit. Xhaferi bashkohet me mendimin e Robertit që, për herë të parë në mendimin shqiptar, ka hedhur temën e Rilindjes Shpirtërore. Edhe Ai e shikon si mjet thelbësor për të përballuar tema akoma më me rëndësi, jetike, çliruese, për vetë shoqërinë shqiptare, sot në nevojë për ndriçim intelektual më shumë se kurrë. Xhaferi përfundon me fjalët se ky është Roberti i suksesshëm, një mendje e kthjellet me diapazon të gjerë, analist dhe mendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen.
Për romanin “Përjetësi pa Kohë”, që muajin e kaluar u ekspozua në Panairin e Librit në Tiranë, në pavijonin e “Botimeve Jozef”, me botues Aurel Kaçulinin, Diana Naku, një arsimtare e veçantë, me patos të madh për temat e njohjes së jetës, të vetvetes dhe të gjërave në përgjithësi, shkruan për romanin në fjalë: “Dijet janë pa fund sepse i tillë është edhe zhvillimi intelektual e njerëzor. Është e domosdoshme që shoqëria të udhëhiqet nga ideja e Rilindjes Shpirtërore, për të mundur të mbizotërojë mirësia, urtësia, dituria, shkenca, e reja, logjika që udhëheq e perfeksionon zemrën duke e nxjerrë nga emocionet e pakontrolluara”.
Edhe shkrimtari dhe poeti i dëgjuar në Shqipëri, Kolec Traboini, i njohur edhe për montazhet e përsosura të recitimit poetik, të shoqëruar me muzikë të zgjedhur shpirtërore, në YouTube, është admirues i shkrimeve të Robertit. Për romanin “Përjetësi pa Kohë” shkruan se bëhet fjalë për një letërsi të madhe, e cila nderon jo vetëm autorin por edhe artin shqiptar. Me mision Rilindjen Shpirtërore, autori vesh veprat e tij me një aureolë drite që ndriçon shpirtin e lexuesit .
Ndërsa Arben Borshi, një individ i veçantë, gjithnjë me ndjenjën e së drejtës në shpirt, amator i filozofisë, shkruan për mendimet e Robertit se Ne kemi nevojë për libra që i japin kuptim jetës, jo thjesht për botime që mbushin vitrinat.
Shkrimtari dhe poeti i dëgjuar në Shqipëri, Faruk Myrtaj, shkruan për Robertin se jo vetëm që e njeh dritën, por edhe e thërret vazhdimisht. Sepse pa ndriçimin e saj nuk mund të shkohet askund.
Lexuesja e kujdesshme me ndjenjën e të bukurës artistike në shpirt, Aliki Gjerazi, shkruan se nuk është vonë për një vend të shtrijë mendimin drejt Rilindjes Shpirtërore, si mjet me karakter rilindës për shoqërinë. Pasi e uron Robertin për suksese të mëtejshme, vijon me poezinë e mëposhtme, me mjaft kuptim: “Shkruaj, shkruaj edhe thuaj / Shpirti s’është gjë e huaj / Është e vetmja gjë që kemi / E vetmja gjë që jemi / Çdo gjë që jashtë kërkojmë / E kemi brenda po se shikojmë / Prandaj brenda të rrëmojmë / Aty Parajsën do zbulojmë”. –Futja e gjërave në shpirt, analiza e tyre me ndjenjë vetënjohjeje dhe vetëkritike, dialogu dhe monologu të pandërprerë me vetveten, ishin frutat e para, të jashtëzakonshme, që pruri Rilindja Shpirtërore në Evropë. Kështu doli pak e nga pak shoqëria nga Mesjeta. Sipas fjalëve karakteristike të Robertit: “Njeriu shpëtoi nga Ferri i vetvetes”.
Studiuesi dhe eruditi me mjaft emër në Shqipëri, Përparim Kabo, shkruan për librin “Saranda në ditë përjetësie” dhe për të atin e Robertit se është historia e rrëfyer përmes jetës dhe kontributit të një njeriu, dëshmitar dhe hero i heshtur i ngjarjeve të mëdha. Ai quhet Dino Martiko. Çfarë bëri? Në shtatorin e vitit 1943, pas një bisede jo pak të tensionuar, e bindi komandantin italian Elio Betini që ta dorëzonte qytetin e Sarandës pa gjakderdhje. Gjithashtu i gjithë armatimi i rëndë t’iu dorëzohej forcave partizane, në besë burri se pas kësaj nuk do vritej asnjë ushtar italian. Kjo sjellje e shqiptarëve është ngjarja më e madhe e shpirtmirësisë shqiptare. Gjermanët i vrisnin, ndërsa shqiptarët iu siguronin jetën. Përparimi përfundon me fjalët: “Të faleminderit Robert”.
Në dialogun që lindi midis profesor Përparimit dhe lexuesve të tij në Feibuk, bie në sy Agim Pipa që shpreh mendimin se në bazë të librit mund të prodhohet një film artistik me vlera të veçanta. Ndërsa Enver Doda shkruan se kjo histori është mjaft interesante. Më la mbresë që autori flet për besën. Bukur theksohet ky virtyt. Urime.
Florian Vlashi, drejtor artistik orkestre, shkruan me mjaft mençuri se kjo periudhë e luftës ka shumë nevojë për dritë. Libra të tillë ndihmojnë në rrugën drejt së vërtetës. Vetë jeta e Dino Martikos duhet parë njëkohësisht si luftë kundër nazizmit dhe burgut komunist. Më tej, në komentimet rreth figurës së Dino Martikos, Ilir Çumani shkruan: “Emocionuese dhe admirim për humanizmin, stoicizmin dhe qëndresën e zotit Martiko! Vërtet, në gjirin e një Kombi ka pasur dhe do të ketë gjithmonë heronj të heshtur”. Hile Lushaku i drejtohet Përparim Kabos me fjalët: “Nga sa shkruani kuptojmë se kemi një libër me vlera letrare që përjetësojnë vlera kombëtare, arsyeje, humanizmi, bese, burrërie dhe mesazhe të tjera, të vyera”.
Irena Beltoja shprehet në mënyrë mjaft thelbësore për librin “Saranda në ditë përjetësie” se bëhet fjalë për një burrë të zgjuar dhe të besës. Margarita Stoja, shkrimtarja me tema mjaft interesante nga Italia, autore e disa romaneve shkruan: “Vërtet drita nuk burgoset! Urime profesor Kabo, për këtë shkrim me vlera. Urime edhe shkrimtarit te suksesshëm, Robert Martiko, për këtë vepër me vlerë!” Interesant është edhe dialogu midis Përparim Kabos dhe Irini Anagnostit. Perparimi shkruan: “Çdo ide është fjalë, por jo çdo fjalë është ide”. Irini e aprovon këtë mendim duke shtuar se pa fjalë nuk do të kishim ide. Përparimi vijon më tej duke shtuar: “Pa fjalë nuk kemi ide dhe pa idetë fjalët mbeten të zbrazura”.
Për Robertin, Rilindja Shpirtërore, një fenomen i madhërishëm, që ndodhi vetëm në Perëndim, është një ëndërr e vijueshme që e ngacmon thellë mendimin e tij. Gjithnjë shprehet dhe ngre zërin për ndryshimin e shoqërisë. E konsideron si një mision që patjetër duhet ta marrin në dorë intelektualët. Nuk bëhet fjalë për një monopat mendimi në stratosferë, që të fut në qorrsokak. Është një rrugë me karakter humanist, shpirtëror, që jep rezultate pozitive, tashmë të provuara në praktikë. Roberti gjithnjë thekson me të madhe se pa mendimin e ndriçuar vetjak nuk shkohet asgjëkund.
Unë do të shtoja se është e qartë se vetëm njerëzit që kërkojnë shumë nga vetja, dhe në kushte jo të lehta, mund të ecin përpara. Nuk mjafton vetëm puna e përditshme, për të siguruar mjetet e mbijetesës, pa bërë përpjekje të vijueshme edhe në drejtim të njohurive me karakter shpirtëror. Pikërisht këto ofrojnë cilësi të vërteta për jetën. Kanë lidhje direkt me edukatën që marrin fëmijët. Me brezat e ardhshëm! Sepse, nga Asgjëja nuk lind asgjë.
Roberti mëson në sa shkruan për të hapur dritaren e mendjes, por edhe të zemrës. Ndjenjat dhe emocionet të kontrollohen gjithnjë nga fuqia e arsyes. Harmoninë midis tyre mund ta realizojë vetëm Rilindja Shpirtërore, që është një botë e tërë mendimesh të zgjedhura nga individët më të mëdhenj që njohu historia e njerëzimit.
Një shkrim imi i mëparshëm, rreth autorit Robert Martiko, u botua ne disa organe te shtypit. Për publikimin në gazetën prestigjioze “Albania Press”, më duhet të falënderoj zotin Gjin Musta dhe stafin e tij. Gjithashtu falënderoj me mirënjohje gazetën “Bota sot”, që ka shtrirje të gjerë ne mjaft shtete dhe në tre kontinente. Me mirënjohje falënderoj Profesor Doktor Fatmir Terziun me vendbanim në Londër, që e botoi shkrimin tek gazeta “Fjala e Lirë” dhe revistën “Albanian Post”. Fatmiri në një nga studimet e tij të fundit me karakter filozofik, pikërisht tek libri “Paritet”, përmend qysh në faqet e para Robertin: me idenë e veçantë të Rilindjes Shpirtërore edhe në Shqipëri. Falënderoj edhe shoqërinë: “MIQTE E ALBA-DANSK” nën drejtimin dhe udhëheqjen artistike të gazetarit dhe shkrimtarit Luigj Shkodrani.
Shkrimin tim e publikoi gjithashtu poetja e talentuar me vendbanim ne SHBA, Iliriana Sulkuqi, në Facebook që aq shumë përpiqet për bashkimin e madh shpirtëror të shqiptarëve. Edhe Ilirianën e falënderoj. Në faqen e saj në Fb gjithçka shkruaja gjeti një përkrahje masive.
Duke përfunduar mund të shtoj se ndër mendimet më me kuptim të Robertit, zgjodha një shprehje të tij, në trajtë thirrjeje ndriçuese, me kuptim të thellë human e patriotik. Në aspekt personal, i drejtohet individit me mendje të hapur, me fjalët: “Matanë hijeve të shpellës me simbole të pafiltruara, që pa e kuptuar mbajnë njeriun të mbyllur nga lindja e tij, ekzistojnë tingujt e bukur te jetës.”
Unë nga ime do të shtoja se mjafton që këto mesazhe të bukura, me karakter njerëzor, të zbulohen për të mirën e shoqërisë shqiptare, të tanishmen dhe të ardhmen e sa.
Olimbi Dafa komentuese letrare
Comments