Me pak fjalë
Fatmir Terziu
Tani ajo u zgjodh. U delegua për kënaqësinë e Mbretit të Vogël.
Dhe premtoi për kënaqësinë e tij që do të kthej përroin në lëng magjik.
Blirët në punëdhënës. Rrapat në dhënës-jetës. Më tej
përzgjodhi disa guralecë nga lumi
me ta bëri një miniqeveri. U përkul përpara tyre
dhe shënoi ndryshimin. Me atë fitonte e gjithë mbretëria.
Në atë cep
Të tjerët e ndiqnin. Lëviznin kokën. Prisnin.
Do bëj kjo ndonjë gjë për ne?
Dhe nuk donin më të vdisnin. Nuk donin më as të rilindnin.
Në atë cep
U ndal një ditë një zog. Dhe zogu në krahët e saj ndaloi.
Qielli u zhvesh. Toka u ngjesh. Lëngu shtrydhi çdo re.
Plehërat u pastruan. E … njerëzit kthyen sytë nga Ajo,
Tashmë e kishin gjetur Perëndinë e re,
Dhe po atë ditë,
përroi po kthehej në lëngun magjik.
Në atë cep
Ngriti kokën një gjë e gjallë në atë përrua të magjishëm
pyeti me kujdes atë: Hë si thua?
Është ky lëng që na shërron, çliron, na jep jetë, është i pijshëm?
Në atë cep
Ajo u mërzit dhe u trishtua: Tmerrësisht keq. Të kanë futur,
të bësh pis edhe këtë lëng. Asgjë nuk mund të na bësh në lidhje me këtë.
Dhe gjëja e gjallë u largua nga skena zgjedhore, në heshtje e gjeti rrugën
përmes të ujtës së shtruar trotuareve, deri në shtëpinë e tij,
me ato pak fjalë.
Prof Dr Eshref Ymeri:
I dashur Profesor Fatmiri,
Lexova “Me pak fjalë”. Një simbolikë e shkëlqyer me vargje të lira.
Urime nga zemra.
Eshrefi