Me një hije


Me një hije

Tregim nga Fatmir Terziu


Kishte kohë që sytë e Aristirit kishin ngrirë mbi atë fotografi në flokëtoren e tij. Sa më shumë i ngulte sytë atje, në flokëtoren afër bustit të “Kristoforidhit”, aq më shumë mendonte për të. Eh, aq më shumë donte të studionte rreth saj. Dhe gjithnjë e sillte nëpër mend, më saktë e perceptonte, se ajo fotografi nuk kishte të tërën e asaj femre. Gjëja e parë që i binte në sy ishin flokët. Flokët ishin në fakt, gjëja më tërheqëse, dhe misterioze, tashmë jo vetëm në sytë e tij, por dhe në mendimet e tij për të. Diku kishte dëgjuar shkitazi, se flokët e saj rriteshin pambarim, madje dhe bëheshin bojallesha.

„Flokët e asaj tundabishtes, e ndryshojnë ngjyrën pas ngrënies së ushqimeve të ndryshme“. – dëgjoi një ditë në lokalin ku mëngjeseve servirej paçë dhe pilaf saçmalli.

Më pas, nuk e kuptonte as vetë pse e shtynte të mësonte, se ajo ishte e sapoardhur në qytet dhe se punonte në spitalin e lindjes si pastruese. Ndërkohë, pasditeve ajo shkonte shpesh në Bibliotekën e qytetit. Të shtunave e gjeje atje. Zërat shëtisnin si qeset e plasmaseve që i shpërndante era e mëngjeseve. Dhe thuhej vesh më vesh tek ata që mbanin peng bordurat, se ajo po përgatitej për të shkuar në Universitet. Për këtë ajo të dielave bënte dhe punëra të tjera. I shërbente një gruaje të moshuar, fëmijët e së cilës ishin në Greqi. Ata e paguanin dhe për larjen e rrobave të saj. Ditëve në vazhdim mësoi, edhe një gjë tjetër, se fëmijët e gruas së moshuar e paguanin edhe për shoqërimin një herë në javë në Poliklinikën e qytetit për të bërë dializën e së moshuarës. Dhe këtu u duk sikur ndaloi për një çast zhbirimi i mëtejshëm për