Me një hije



Tregim nga Fatmir Terziu


Kishte kohë që sytë e Aristirit kishin ngrirë mbi atë fotografi në flokëtoren e tij. Sa më shumë që ngulte sytë atje, në atë flokëtore afër bustit të “Kristoforidhit”, aq më shumë mendonte për të, aq më shumë donte të studionte rreth saj…

… Dhe gjithnjë e dinte se ajo fotografi nuk kishte të tërën e asaj femre. Gjëja e parë që i binte në sy ishin flokët. Flokët ishin në fakt gjëja më tërheqëse dhe misterioze tashmë, jo vetëm në sytë e tij, por dhe në mendimet e tij për të. I kishin thënë se flokët e saj rriteshin pambarim, madje dhe bëheshin bojallesha e ndryshonin ngjyrën pas ngrënies së ushqimeve të ndryshme. Mësoi se ajo ishte e sapoardhur në qytet dhe se punonte në spitalin e lindjes si pastruese. Ndërkohë, pasditeve ajo shkonte shpesh në Bibliotekën e qytetit. Të shtunave e gjeje atje. Zërat ishin shpërndarë, se ajo po përgatitej për të shkuar në Universitet. Për këtë ajo të dielave bënte dhe punëra të tjera. I shërbente një gruaje të moshuar, fëmijët e së cilës ishin në Greqi. Ata e paguanin dhe për larjen e rrobave të saj. Ditëve në vazhdim mësoi, edhe një gjë tjetër, se fëmijët e gruas së moshuar e paguanin edhe për shoqërimin një herë në javë në Poliklinikën e qytetit për të bërë dializën e së moshuarës.

***

Kur e pa të kapërcente rrethrotullimin e Haxhiasit, ai po gjerbte në këmbë kafenë e mëngjesit në rrugën që të shpie drejt spitaleve. Që aty iu duk krejt ndryshe nga fotografia. Pikërisht aty u habit më shumë. Vërtet flokët i kishte ngjyrë të ngjashme me manjolën, që kishte çelur nxitimthi aty në krah të tij. Fshiu sytë dhe më në fund e besoi vërtet se flokët i kishte një mister më vete. Nuk i kishte si në atë fotografi të shkëputur nga kopertina e revistës “Shëndeti” të atij muaji. Shkëmbeu në xham shikimin e saj. Pastaj u shpërqëndrua. Nuk i bëhej të ngrihej të shkonte në flokëtoren e tij. Të dhjetë berberët që punonin për të kishin kohë që i kërkonin një pastruese, që të lante dhe përparëset e tyre dhe peshqirat e mbulesat e klientëve që përdoreshin gjatë qethjeve dhe pastrimit të mjekrave të meshkujve tashmë në modë të qytetit. Vendosi ta bënte këtë menjëherë, jo thjesht sipas kërkesës dhe punës që ishte rritur mjaft, por me këtë rast....

I doli përpara me nxitim dhe ia propozoi menjëherë punën. Ajo e pranoi, por si me shaka i tha se do të kishte punë me flokët e saj. Këto flokë jo vetëm që ndërrojnë ngjyrë vetvetiu, por dhe rriten krejt vetvetiu. Ai nuk dinte çfarë të thoshte.

“Nuk paska qenë pjesë e atyre që kisha dëgjuar edhe kjo gjë për flokët e saj”, tha Aristiri me vete.

Aristiri u tërbua pas saj. Ajo kishte flokët më të mistershëm në këtë botë ndoshta vërtet ishin ata flokë që e magjepsën atë. Dhe ashtu ndodhi. Pas punës së saj në Spitalin e Lindjes, ajo menjëherë pasditen e ditës tjetër shkoi të pastronte flokëtoren dhe të grumbullonte në një çantë të madhe përparëset, peshqirat dhe mbulesat e klientëve të flokëtores.

“Po, ne nuk kemi folur për pagesën?”, tha Aristiri.

“Po, unë do të ju paguaj mirë ju. Nuk ma merr mendja se do të jetë problem, apo jo, të më bëni një pyetje se sa dhe si?”

Ajo nuk e pa të arsyeshme të përgjigjej. Madje as nuk e pyeti. Mbaroi punën dhe doli nga dera duke i thënë vetëm kaq:

“Nesër para punës sime do të keni këtu të gjitha këto të lara e të hekurosura.”

Ishte e habitshme se si mëngjesin tjetër vërtet ajo ishte në kohën e duhur. Sytë e saj u ndezën si poçëza të vogla neoni dhe madje i tërë trupi i saj dukej sikur ishte një llambadar. Flokët kishin një shkëlqim prej dielli të nakatosur me bojë karakafteje të ndezur. Shenjat e gishtave të saj u zhvendosën mjaft shpejt nga tryeza ku ai kishte ngulur sytë e tij, teksa ajo zbrazi çantën e saj. Edhe gishtat e saj në atë rast iu dukën si neonë të vegjël. Futi dorën e tij të djathtë në xhepin e pantallonave dhe ia dha një shukë parash të panumëruara. Ajo e nënvlerësoi atë veprim, madje nuk bëri habinë, dhe as nuk u shqetësua të numërojë paratë.

Sytë e saj, pastaj bënë rikoshetë në fytyrën e tij, kur e pyeti ajo, “A mund t’i marr si të qëllimshme thashethemet e egra rreth flokëtores suaj?”

“Po. Ju mundeni”, tha Aristiri.

“Për ju thonë se i paguani berberët tuaj, sikur i nxirrni paratë me pinca, si një fakt, (ai ia tundi shukun e parave) kjo po rrëzohet….”

Ai nuk iu përgjigj asaj, nuk e pa të arsyeshme të bënte shtesë fjalësh, e la të merrte në heshtje një përgjigje, ndoshta ashtu sikurse e kishte paramenduar edhe vetë.

Ajo u kthye menjëherë nga dera dhe u bë palë me heshtjen, duke e shprishur atë vetëm me hapat e saj dhe shukullimën e flokëve, që bën një gjysëm hark mes shpatullave dhe gjoksit të saj të fryrë, tamam sikur të mos ishte aty. Edhe më keq, ai qëndroi si i ngrirë në dritaren e madhe që shikonte bulevardin në pëllëmbë të dorës. Një grumbull plazme kafeje të lokaleve të shumta ndanë bulevardit iu duk sikur iu derdh në këmbët e saj: asgjë më shumë, asgjë më pak nuk arriti të shihte më. Epo, ishte Aristiri, njeriu që kishte klientë të berberanës së tij gjysmën e meshkujve në qytet, djemtë dhe burrat më të kamur, të gjitha modat e qethjes dhe mbajtjes bukur e estetikisht të mjekrës ndodheshin në katalogjet e tij.

“Ej… Prisni”, thirri Aristiri. Trikoja e saj gjysëm e hapur e intrigoi. Por menjëherë e ndjeu se efekti i asaj trikoje të blerë në tregun e lirë të qytetit, nuk mund të mbetej si e dorës së dytë. Gjoksi e dinte se ç’vuante nga ajo gudulisje gjysëm e hapur e trikos. Trupi i saj i drejtë dukej si një vijë e paqtë pingule e mbështjellë me tërë atë leshnajë të butë e të gjatë deri tek gjunjët. Dukej shumë aktive në tërë këtë shtjellë, një gjarpër i gjarpëruar duke u maisur sysh dhe detrash brenda kufijve të buzëve të mëdha. Ai fliste, por ajo i kishte dhënë qasje vetëm anën e pasme, kurrizin e saj pingul. Deri më tani asnjë burrë apo grua nuk kishte guxuar t’i kthejë shpinën Aristirit. Aq më shumë kur ai e vendoste dhe e piketonte të bënte një gjë të tillë. Një synim që shpesh i buronte nga sytë, se sa nga ndjesia.

“Ne ende nuk jemi prezantuar,” tha ajo dhe flokët e saj gati sa nuk iu afruan si ndonjë kosore pranë kokës së tij, teksa ajo i dha një sforco të madhe kthimit të menjëhershëm. “Unë nuk e kuptoj logjikën tuaj pse duhet të më thërrisni” ‘Hej’.

Aristirit iu errën sytë dhe ashtu papritur këmbët i ngecën në një grumbull të madh plazme kafeje. Trupi i saj që mbante peshën e atyre flokëve të gjata u bë gjarpër në rrugën që përcjell tutje zhurmëthi Teatrin “Skampa”. U tërhoq një hije pas