Forma poetike dhe rima, dy të fshehtat e krijimtarisë për fëmijë Fatmir Terziu ‘Forma poetike’ e cila që në vitin 1970, parashtrohej nga Jakup Mato, si një dukuri dalluese në mënyrën e paraqitjes së figurave të një vepre letrare, duket se është edhe një preokupim i shkrimtarit, Janaq Pani. Thuajse në rreth dymbëdhjetë titujt e botuar prej tij, që nga viti 1994, ndihet se kemi të bëjmë me një krijues që di të derdhë bukur ngjyrat e poezisë edhe në tablo të prozës apo përrallës që ai lëvron. Kjo padyshim shton vlerën artistike të krijimtarisë së tij, e bën atë më tërheqëse e më interesante, ngjyros me pathos e lirizëm ngjarjet e personazhet. Tek vëllimi poetik i Panit, “Xhepat e Gjyshit” (Toena; 2008) gati 168 poezitë e tij kanë një formë poetike që flet qartë për një pasuri të madhe figurash me të cilat autori adreson lirizmin e të lexuarit. Edhe shkrimtari, Hasan Ulqini, na vjen në ndihmë në këtë gjetje kur citon për veprën e Janaq Panit: “karakteristikë e krijimtarisë së këtij autori është sinqeriteti dhe bukuria e vargut, figuracioni spontan, lirizmi i të rrëfyerit, vlera, cka e kanë bërë këtë autor të jetë shumë i dashur dhe mjaft i lexuar nga fëmijët e moshës parashkollore dhe cikli i ulët i shkollave.”
Një ndër cilësorët e letërsisë për fëmijë
Janaq Pani një shkrimtar fitues i disa cmimeve letrare në vite për vlerat e tij të larta artistike dhe edukative, është cilësuar nga kritika si ndër autorët më cilësorë dhe edukativë të letërsisë së sotme për fëmijë. Ulqini shton për këtë se “Janaq Pani është ndër poetët më të spikatur të letërsisë për fëmijë. Me një krijimtari të bollshme mbi tridhjetëvjecare, ai është autori i mbi njëzet tituj librash, nga të cilët mund të përmendim: “Yll mes yjesh”; “Tufëza me lule”; “Shamia e kuqe”; “Baladë për 11 heronjtë”; Përrallëz për zogun Cërr”; “Me një mik u njoha unë”; “133 gjegjëza”; “Pse qan Otrantoja”; “Gjyshi ketër në Kanada” e shumë të tjera”. Ndërsa Agim Bajrami, poet dhe kritik nga Durrësi, shton se “krahas krijuesve më në zë të letrësisë për fëmijë që shkruhet në pesë dekadat e fundit, edhe emri i këtij autori zë një vend të nderuar, dhe me të drejtë”. Duke lexuar, poezi të këtij autori si “Xhepat e gjyshit me vjersha”, apo “Ku lind poezia” shohim qartë se për Panin poezia është e rëndësishme si krijimtari për fëmijët, por vetëm kur ajo është brenda kontekstit ‘Fëmijëria’ dhe kur kjo është në fazën kritike, kur vetë fëmijët duhet të zbulojnë mrekulli dhe përfitimet e moshës të vijnë nëpërmjet vetë poezisë, në mënyrë që lexuesit e moshës fëminore, të mbeten lexues të jetës në poezi. Poezia e Panit nëpërmjet vargjeve të saj plot figuracion, pasqyron të menduarit mes brigjeve delikate të natyrës së fëmijëve. Kjo duket në poezinë “Kur lojën nis në shesh” (faq 50),: “Unë kur lojën nis në shesh/dhe për kohën s’pyes fare’/ del ti mami shpesh e shpesh/e ngre zërin në dritare./Kur vonohem, në merak/mos u ndiej mami, moj!/Se Uliksit i ngjaj pak/Dhe “sirenat” s’i dëgjoj.” Kështu me këtë lirizëm forma poetike e vargut të Panit, nuk e ngut poezinë e fëmijëve, por e bën të jetë e lehtë për ta, të lexohet e mbahet mend me lehtësi e dashuri, për shkak se ata e duan gjuhën, me të cilën është duke luajtur autori mes figuracionit edukativ dhe me vlerë njohëse nga historia.
Paraqitja e poezisë me kostumin tipik
Vjershat dhe modelet e këtij autori janë shumë të dukshme dhe emocionuese, dhe mund të përdoren lehtë si nga prindërit dhe mësuesit për të ftilluar ditën me fëmijët apo nxënësit e tyre, si një ditë plot dashuri nëpërmjet poezisë. Mënyra se si është paraqitur poezia e Panit për fëmijët nuk është kritike. Fëmijët në këto poezi nuk kanë nevojë për udhëzime, për të siguruar kuptimin e tyre. Poezia e tillë si një zhanër i letërsisë për fëmijë, nuk është një derivat i fjalës së artit, i gatuar vetëm për mosha të caktuara, ajo me stilin e shkruar të Panit, vjen e pjekur edhe për të rriturit dhe fëmijët, të dy palët mund të marrin përfitim të barabartë nga kjo poezi. Ama duhet thënë qartë se kjolloj poezie, nuk mund të interpretohet njësoj nga të dy palët, nga fëmijët dhe të rriturit, ama kënaqësia mund të jetë i barabartë.
Poezia që bën të rriturit katalizator të saj
Kur lexojmë poezinë “Vjen e më shfaqet një yll” (f.68), nuk është njësoj si me një poezi tjetër në këtë vëllim, e cila lexohet njësoj me dy nivelet e moshave, nga të rriturit dhe fëmijët në këtë rast. Pani, ia kushton këtë poezi Joanës, dhe natyrshëm, është i lidhur fakti me të se duke lexuar një poemë të tillë me një fëmijë, është e rëndësishme për të rriturin për të pyetur fëmijët për atë që ata janë duke parë në faqet e librit dhe për të inkurajuar fëmijët të mendojnë për mënyrën se si figuracionet e tilla si: “kjo e mira e florinjtë”; apo “m’i sjell pranë Perëndisë” janë të lidhura me tekstin. Kështu duke lënë një mirëkuptim vjen që poezia me tërë bukurinë e saj të jetë dhe mbetet e shpallur për fëmijët. Të rriturit mund të jenë një katalizator për dashurinë e fëmijës me poezinë, por autorët e tyre natyrshëm duhet të gjejnë formën poetike më të lehtë që fëmijët të mbeten të dashuruar mes bukurisë së poezisë. Por cfarë përfitimesh ofron poezia e Panit? Poezia e tillë feston fjalën individuale, tingujt dhe ritmin e gjuhës në një mënyrë që nuk e realizon një tregim. Ajo është një kënaqësi, është e lexueshme nga vetë struktura e saj e shkurtër, shkurt është një kafshatë e shijshme për të ndarë me fëmijët. Në poezi të autorit me temë nga natyra si “Një kërkesë e zogut”; “Pa kujdes asgjë nuk lind”; “Pranverën në shpirt”; “Lepuri i egër”; “Dëbora e parë” etj, (f. 69-83) forma poetike e autorit na jep një afërsi më të qartë të poezisë me natyrën e fëmijës.
Pse themi se fëmija është një natyrë me poezinë?
Së pari, poezi është e natyrshme mes ritmit, pamjes dhe gjallërimit të fëmijëve. Ata flasin vetë poezi, padashur për ‘bojëderdhjen’ piktoreske të ardhur nga metaforat, ato shprehin ngjyrime të llojit nga më të habitshmet edhe kur fjalëëmbëlsia e tyre i bën enkas të angazhohen. Në këtë kuadër, poezia e Panit vjen e mirë, e kapshme, e një natyre me riskun fëminor dhe tenton të bëjë të njëjtën gjë. Ajo është një imitim artistik i asaj që bëjnë të vegjëlit, dhe mbetet një strehë e bukur në shërbim të fëmijëve të vegjël që duke gatuar vetëm dashurinë nga tingujt e poezisë, u jep atyre shansin të jenë në një natyrë me poezinë edhe nëse ata nuk i kuptojnë të gjitha fjalët dhe kuptimet e poezisë. Poezi të tilla gjithashtu janë pjesë të identitetit kulturor shqiptar, një pjesë e kulturës së përbashkët Kombëtare. Poezi të tilla si “Kë dua më shumë”: “Mami moj, ti as më thua/zemrën kush ma kurdis mua,/më rreh e s’pushon/për kë dua unë/dhe rrahjet i shton/për kë dua më shumë./mami moj, më thuaj ti/a ndodh kështu dhe te ti?” kanë vlera identititeti kulturor, jo vetëm shqiptare, por ato kanë edhe vlera kulturore globale. Së dyti, vlerat natyrore të poezisë së Janaq Panit, shtohen pasi autori ia di ‘zanatin’ kësaj fushe dhe i vë rimën si një kuadër i shtrenjtë interesi i lidhjes së poezisë me fëmijën dhe anasjelltas. Rima e shoqëron nga fillim në fund edhe poemën “Baladë Qeparotase” (Botuar nga “Enerd”). Rima e kësaj poeme i shton atmosferën vargjeve dhe lexohet si me një frymë: “Për këtë poemth, gjallë e kam në mend/si erdhi tek unë edhe zuri vend/ishte buzëmbrëmje, një shpresë e venitur/me syrin nga deti rrinte duke pritur...” (f.3). Duke njësuar formën poetike me strukturën
Duke e njësuar formën poetike të kësaj poezie me strukturën në të cilën ajo renditet, natyrshëm kuptojmë edhe detajin me të cilin poeti Fatos Arapi dikton: “poezia është rryma e gëzueshme, gurgulluese, që can shtratin e udhën e lumit; poezia është pararendësja, që e para ndjen nëpër trupin e vet artistik nevojën dhe drejtimet e zhvillimit” (Arapi; 1975:85). Por, kjo nuk e eleminon formën poetike në problematikën e saj, sidomos kur ajo është një krijesë e ndjeshme, për moshat e ndjeshme. Në këtë pikë forma poetike e Janaq Panit, ka një zë melodioz më vete, jashtë asaj që studiuesi Geller Conrad e sheh se format tradicionale poetike kanë pasur një kohë të keqe që nga ajo kur Walt Whitman nisi përpjekjet e revolucionit të lirë në lidhje me këtë përqasje të shpallur njëqind a pesëdhjetë vjet më parë. Kritikët dhe analistët kanë diktuar shumë për këtë përqasje dhe nuhatje në rimë dhe ritëm të poezisë bashkëkohore si "poezi ndikuese", ose, duke e epitetuar si vargu ku ndikon "përshëndetja e kohës." Shumë poetë, prej tyre shumë të rinj, duke kapur gabimisht formën dhe rimën apo strukturën mbi idenë se vargu i lirë është një art pa rregulla, janë inkurajuar të kundërshtojnë çdo formë si një pengesë për shprehjen e pacënuar nga ndjenjat e tyre. Kjo nuk ndodh në poezinë e Panit. Ajo me formën dhe rimën e saj ecën në rrugën e poetëve më të mirë të kohëve moderne, si Robert Frost, Richard Wilbur, Dylan Thomas. Ajo në mesin e tyre nuk ka arsye për t’u ndjerë e distancuar, apo thjesht për të braktisur modele të tjera shqiptare të traditave poetike të vargut poetik. Poezitë më të mira të Panit, nuk është se lexohen thjesht si një formë ndryshe, por rreptësisht tradicionale, dhe kur ata shihen se u kthyen nga autori për të kërkuar disiplinën e vargut të lirë, ata bëhen një strkturë e ndjeshme, e lexueshme, e bukur, duke e realizuar këtë me avantazhet e një zanati me dije të plotë në ‘zejet’ e tyre.
“E drejta fjalë në mënyrë të drejtë.”
Pani është më së fundi një nga modelet e duhura për krijuesit e rrinj të letërsisë për fëmijë. Nëse ju jeni një poet në hapat e para, dhe i jeni përkushtuar krijimtarisë për fëmijë, gjithashtu, mund të jetë e domosdoshme që të shikoni jo vetëm në format tradicionale, por edhe tek ajo që hershëm Fatos Arapi e sheh se “duhet të ndihet fort te të rrinjtë edhe poezia e Naimit, Cajupit, Mjedës, poezia e Nolit” (1975:86). Në këtë kontekst do të shtonim me plot gojën, pse jo edhe poezia e Janaq panit. Edhe nëse përfundojnë me varg të lirë, mjaft poezi të Panit, ashtu si poetët më bashkëkohorë që krijojnë, me format e poezisë do të jetë një argumentim i vetëm dhe i qartë që gjendet në disiplinën e gjuhës, e cila, në fund të fundit, është lëndë e parë e të gjitha poezive: “E drejta fjalë në mënyrë të drejtë.” Ndoshta asnjë shkrimtar për fëmijë më shumë se Lewis Carroll (1832 - 1898) nuk mund të konsiderohet si një përshtatje në këtë displinë gjuhësore me Panin, ku vargu i saj “Dielli ishte i ndritshëm në det,/shkëlqente me gjithë fuqinë e tij” vjen si një gjetje me të cilën displina gjuhësore e poezisë së Panit artikulohet në mendjen tonë. Leëis Carroll romancieri dhe poeti anglez u bë i famshëm për tregimet e tij për fëmijë, sidomos me “Aventurat e Lizës në Botën e Cudirave” (1865), “Duke parë tej xhamit” dhe “Çfarë Alice ka gjetur” (1871). Poezitë e Carroll për fëmijë përfshijnë fantazmagoritë (botuar në 1869), “Gjuetia e Snark” (1876) dhe “Sylvie dhe Bruno” (1889), krijime këto që janë vlerësuar nga forma poetike dhe rima si dhe nga disiplina gjuhësore e goditur e tyre. Tregimet e tij dhe sidomos poezitë e tij janë parë nga kritikët si si revolutionizimi i letërsisë për fëmijë, duke thyer parantoniminë e tregimeve morale që kishte mbizotëruar më parë.
Karakteri figurativ dhe forma poetike
Me karakterin figurativ të poezisë së Panit kuptohet qartë koncepti përgjithësues dhe individualizues i figurës artistike që përfshihet me mjeshtëri në formën dhe strukturën poetike të poezisë së tij. Kjo nënkupton se poezia e tij artistike e riprodhon të përgjithshmen me anë të konkretes, individuales. Pani nëpërmjet figurës së gjetur artistike nxjerr shenjat, vecoritë themelore, tipike, të përbashkëta për shumë dukuri dhe pastaj këto i tregon me anë të dukurive të vecanta. Më së miri ky faktor mund të konkretizohet me prozën e tij, që është një tingëllesë poetike në tërë formën dhe strukturën e saj. Vëllimi me tregime “Rrëfim për një mësues” (Toena; 2002) Betimi është një figurë artistike. Ai është një individ konkret, një djalë që i shkon varrezave të qytetit brirazi dhe herë-herë shpërthen në lotë pranë strehëzës së fundit modeste të të atit (f.3). Nga ana tjetër ai është edhe një figurë tipike ku mishërohet dhimbja fëminore për prindin e humbur nga kjo jetë. Nga ky shembull kuptohet qartë se karakteri figurativ dhe forma poetike e krijimtarisë së Panit, qoftë në poezi apo në prozë, krijojnë pasqyrimin e konkretësisë dhe vërtetësisë së jetës, duke kapur anë nga më të ndjeshmet dhe më komplekse të realitetit shqiptar të viteve që pasqyrohen karakteret. Po kështu edhe në tregimin “Kur rreh një zemër” (f.67) ku është një i ri si model në këtë pikë. Tek tregimi “Këmbëngulje” është Hajriu, e kështu me radhë në tërë prozën e shkurtër të tij, ku me anë të figurave artistike ne kuptojmë të përshkruarit e një personazhi, mendimi apo ndjenje konkrete në të cilat janë nënvizuar shenjat dhe vecoritë esencilae, tipike të tyre.
Duke përfunduar
Në këtë studim të krijimtarisë së Janaq Panit, natyrshëm zanafilla mbetet një ide për të shtjelluar më tej, vlerat dhe cilësimin e goditur si një nga penat mes cilësorëve të letërsisë për fëmijë. Ajo që duhet thënë është se disiplina gjuhësore e krijimtarisë së Panit, mbetet një faktor determinues në formën poetike të tij dhe po aq edhe një sublimitet argumentues në rimën si një domosdoshmëri në krijimtarinë për fëmijë. Pani ka krijuar në vite, natyrshëm është një magazinë njohurish dhe për këtë ai duhet lexuar dhe transmetuar edhe nëpërmjet institucionit shqiptar të mendimit dhe akseptimit.
תגובות