top of page

ME KEQARDHJE POR ÇILTAS


ME KEQARDHJE POR ÇILTAS

( Të kërkosh falje është pak)

Shkas i këtij reagimi: Rrëfimi ose paragjykimi i regjisores Rozi Kostani


Pasdarken e 24 Majit në Top Chanel, në Exluzive, përmes rrëfimit të miqve pash aktorin, regjisorin, dhe ish pedagogun në Institutin e Lartë të Arteve, mjeshtrin e madh Kujtim Spahivoglin, emrin e të cilit e kam dëgjuar për herë të parë në vitin 1971 në Shkup, kur ai vuri në skenë komedinë “Karnavalet e Korçës” nga Spiro Çomora. I dëgjova me kënaqësi dhe me shumë kujdes miqtë e të madhit Kujtim Spahivogli, i cili dëshmoi dhuntinë e tij si regjisor edhe në institucionin prestigjioz që atëherë quhej “Teatri i Pakicave” në Shkup. Po atë vit, komedia “ Karnavalet e Korçës” mori çmimin e parë në konkursin e katërt të teatrove profesioniste të ish republikës Jugosllave të Maqedonisë. Në ato kohëra të vështira kur mungonte bashkimi kulturor nacional, kur kontakt i vetëm me ngjarjet kulturore në Shqipëri ishte televizioni të cilin e shihnim me shumë mundime përmes legenave të aluminit, ardhja e një regjisori nga Shqipëria dhe vënia në skenë e një drame nacionale të denjë për t’u ngjitur në skenën e tetarit shqiptar në Shkup, ishte gëzim i madh për intelektualët, për artistët dhe për artdashësit shqiptarë të kësaj ane. Emri i Kujtim Spahivoglit dhe komedia shqiptare, nxit interesin e spektatorit dhe zgjon kureshtjen dhe për ta pa komedinë. Padyshim që në regjinë e Kujtim Spahivoglit dhe me lojën e mrekullueshme të aktorëve profesionist të Shkupit, ndërtohet një spektakël i vërtetë që shpërblehet me çmimin e parë në konkursin e teatrove në ish RM. Regjisori me kritere briliante, për realizimin e kësaj komedie angazhoi një grup aktorësh të talentuar dhe me përvojë, si: Sulejman Lokaj, Antoneta Kovaçeviç, Leze Tomi, Muharrem Shahiqi,Diana Vokshi,Vera Joza, Kemal Ajdini, Mehdi Bajraktari, Elhame Bilalli etj. Pas bisedës me aktoren Elhame Bilalli që ishte pjesë e kësaj shfaqjeje, kuptova se grupi i aktorëve ka pas bashkëpunuar për mrekulli me regjisorin, kështu që karakteret i kanë realizuar pa kurrfarë vështirësish. Drama që mirëpritet nga spektatorët shkupjan dhe nga kritika, në vitin 1972 ka vazhduar udhën për në Shqipëri. Atje u luajt në teatrot e disa qyteteve ku u mirëprit edhe nga spektatori gjeografikisht i ndarë nga ne. Por, për fat të keq aktorët e Teatrit të Shkupit nuk arritën ta shohin më kurrë regjisorin e tyre të dashur me pretekst se gjoja ka qenë i sëmurë. Ata nuk e dinin që ai ndiqej nga inkuizitor të pushtetit dhe nga vetë diktatori. Ai akuzohej si shthurës moral i artit, gjoja i ndikuar nga liberalizmi.



Deri këtu gjithçka në rregull, por tani duhet të them me keqardhje që regjisorja Rozi Kostani, në emisionin Shenja e një brezi, trupën e atëhershme të “Teatrit të Pakicave” nga Shkupi, e quan “ gjysmë amatore” kurse shfaqjen shumë të suksesshme. Mendoj se kjo është thënie e pamatur dhe paradoksale.Padyshim që shtrohet pyetja sesi mund të realizohet një shfaqje aq komplete, aq sublime me regjisor profesionist dhe me aktorë gjysmë amatorë, pa pasur përgaditje të veçantë për zanatin e aktorit. Paskëtaj, si mundet kjo shfaqje të shpërblehet nga regjisor profesionist, nga tërë ish Jugosllavia. Në atë çast, regjisorët sllavë i kanë lënë anash, inatet, mllefin ndaj shqiptarëve, paragjykimet dhe stereotipët për ta vlerësuar artin e mirëfilltë. Më vjen shumë keq që në një emision ku kujtohet i përndrituri Kujtim Spahivogli të paragjykohet dhe të njolloset një trup teatrore profesioniste. Jam e bindur se, as të nderuarit Kujtim Spahivogli nuk do t’i pëlqente që dikush ta paragjykon trupën që ai aq shumë e deshti, aq shumë e përkëdheli, aq mirë u ndie afër saj. Edhe unë si poete, si shkrimtare dhe si dramaturge u ndieva shumë keq e nderuar regjisore Rozi Ristani, por nuk e di si janë ndier intelektualët, aktorët dhe artdashësit nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia kur e kanë pa emisionin e mbrëmshëm. Pastaj, nuk e di sesi do të ndihen brezat e ardhshëm kur do të dëgjojnë “rrëfimin” tënd për gjysmë amatorët e Teatrit të Shkupit.

Shkup, 24 maj 2020

Puntorie Muça- Ziba

97 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page