ME HOBHOUS-IN NË MENDJE DREJT VLORËS


Tri skica nga Fiqri Shahinllari

-Feja e shqiptarit është shqiptaria-

1.Mjekra e bardhë +qeleshja bardhë=Dita e bardhë me Flamurin Kuqezi

Pas ca ditësh do trokasë 28 Nëntori . Ai hyn jo vetëm në portat e vlonjatëve por në çdo vatër shqiptare. Sepse ishte dita e 28 e muajit Nëntor, ditë që shndrit si flakadani më i rëndësishëm në tërë historinë shekullore të shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit shtetëror dhe më gjerë kudo ku ka shqiptarë. Vlora krenohet me shumë. Ka të drejtë. Ajo edhe pse është buzë dy deteve dhe anës kufirit shtetëror detar, në fakt, atë ditë të Nëntorit 28, njëqind e ca mote më parë, u bë Qendra e Mëmëdheut, zemra e vatanit. Shqipëria, që këmbët i lag e i freskon në ujërat e detit, që kokën e mban mbi retë, mbi dëborën, atje sipër, në malet e lartë ku kanë foletë shqiponjat, atë Nëntor u bë me flatra. Në atë qytet të bekuar u shpall Pavarësia e ëndërruar me shekuj nga shqiptarët e kudondodhur. Ato ditë, nga malet me dëborë të vatanit zbriti qeleshja e bardhë e kapedanit trim, kosovarit me kobure në brez, Isa Buletinit e cila u bashkua me mjekrën e bardhë të "sfinksit diplomat", vlonjatit Ismail Qemali aty në Vlorën me det të kaltër. Do të kalonin vite dhe patriotët kosovarë fëmijët e tyre do t'i pagëzonin me emrin Vlora, Saranda, Vjosa, e me emra të tjerë qytetesh, lumenjsh e malesh të Mëmëdheut. Atë ditë, 100 e ca mote më parë, Vlora u bë Mali i lartë i Kombit, siç thotë Anila, një poete vlonjate. Mjekërbardhi vlonjat, diplomati i zgjuar, me një barrë mend, Ismail Qemali ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenore në mes. Ky flamur, kjo datë 28 Nëntor është pikë referimi e popullit shqiptar. Ajo flet shumë. Para kësaj date e pas saj kanë lëvizur kryengritje, luftëra, revolucione, diplomaci, vendosmëri. Pakënaqësia e popullit shqiptar e mbledhur pikë e nga një pikë çdo vit e dhjetëra vjetarë, për pesë shekuj robërie, gjeti rastin dhe shpërtheu më 28 Nëntor. Bijtë e Shqipes luftuan me pushkë, me penë, me diplomaci dhe ia arritën qëllimit. Pushka dhe pena , si dy binjake që i shërbenin mëmëdheut, dhanë frytin e tyre të ëmbël: Pavarësinë!

2. Kalorës të penës

Kombi shqiptar i ka të panumërt trimat me fletë të pushkës e të penës. Ata dihen, siç dihen edhe disa personalitete të pushkës e të penës të zonës së Korçës, Kolonjës, Devollit, Pogradecit. Luftëtarët e kësaj zone: Themistokli Germenji, Mihal Grameno, Spiro Ballkameni, Sali e Gani Butka, Malkë Zvarishti e të tjerë meritojnë të heqësh kapelën para tyre. Por unë, në këtë rast, kam dëshirë të qëndroj tek ata personalitete që më shumë se me pushkë, (me përjashtim të Mihal Gramenos që ka qenë edhe i pushkës edhe i penës) kanë luftuar, kanë qenë kalorës të letrave, të muzikës, të mësuesisë që kanë dhënë kontributin e vet në emancipimin e shoqërisë shqiptare para dhe pas vitit 1912. Madje do të shtoja që "lufta është bërë edhe me gjilpërë!" Kam parasysh këtu veprën e Marigo Pozios që kishte kunat Kristo Floqin, burrin e motrës së saj. Ajo "luftoi" me "koburen" gjilpërë qëndisëse me të cilën krijoi shkabën dykrenore mbi cohën e kuqe të Flamurit. Ajo ishte 20 vjeçe kur bëri këtë veprim. Sa keq që vdiq nga tuberkulozi e re, në moshën 40 vjeçare dhe e verbuar! Në ndihmë të këtyre që sapo shkrova më vjen Thanas Floqi, bashkëfshatari im. Ai është një nga firmëtarët e aktit heroik të shpalljes së Pavarësisë. Është edhe autori i tekstit dhe i muzikës së këngës patriotike "O trima luftëtarë" Kush e ka dëgjuar nga grupi "Lira" i Korcës këtë këngë, këtë himn të luftës për çlirimin kombëtar nga kori karakteristik i qytetit të Serenatave dhe nuk i është ngritur zemra peshë? Që në vitin 1908 Thanasi themeloi në Vlorë mandolinatën "Labëria" ku ishte edhe dirigjent i saj. Ndërkohë Parashqevi Qiriazi, mësuese e vajzave në Korçë, e zgjedhur nga Kongresi i Manastirit si sekretare e Komisionit, punonte pa u lodhur për emancipimin e shoqërisë. Një nga synimet e luftëtarëve të penës ishte përpjekja e tyre për të ruajtur harmoninë fetare midis shqiptarëve dhe jo vetëm kaq. Ata synonin që kjo harmoni të futej e çimentohej edhe brenda familjes. Kam parasysh këtu Foqion Postolin i cili "martoi" kristiankën, Nicën e Naqos nga Floqi me myslimanin e pasur Estref, djalin e Rakip Beut. Vërtet Nica dhe Estrefi janë figura letrare, por ambienti, koha ku e kur veprojnë heronjtë e librit: "Për Mbrojtjen e Atdheut"janë në kontekstin e vërtetësisë historike. Tabani i veprës letrare është historik pasi i përgjigjet atmosferës së kohës. Ngjarjet e viteve 1895, 1913, 1914 nën zgjedhën turke e masakrat e andarteve grekë në Jugun e Shqipërisë, zhvendosja e popullsisë në Ullishtat e Vlorës si muhaxhirë, djegia e shtëpive dhe e fshatrave të tërë, siç përshkruhen në roman, janë fakte historike të njohura botërisht. Nica, kjo Zhan D'arkë në llojin e vet, pranon dashurinë e Estrefit por ajo çfarë kërkon? Kërkon "Një libër shqip!" Dhe të mendosh që ngjarja flet për periudhën që përmendëm më sipër edhe pse romani u botua në fillim në gazetën "Dielli" në Amerikë në vitin 1919 dhe u ribotua në Shqipëri më 1943, del në përfundimin se kjo ka qenë sakrificë e madhe, sidomos për një femër. Foqion Postoli nuk ka qenë i vetmi shkrimtar korçar që i ka "mëshuar" ndjenjës atdhetare në librat e vet e, posaçërisht, emancipimit të shoqërisë e femrës shqiptare. Në romanin e tij dramatik, "Oxhaku" botuar në Selanik më 1909, Mihal Grameno përshkruan dashurinë e Malos, birit të Rushan Beut me Vaidenë një vajzë e thjeshtë populli. Çfarë nuk bëri Rushani beu i Gramenos ashtu si Rakip beu i Foqionit për ta penguar birin e vet të martohej me atë vajzë të thjeshtë!. Mirëpo të dy të rinjtë u martuan me vajzat që deshën, dolën malit për të luftuar pushtuesit osmanë, lindën fëmijë dhe ca nga ca bënë për vete edhe baballarët e tyre noksanë. Kristo Floqi, në"Fe e Kombësi"-1909, dramë kjo kuptimplote në vargje në katër akte, shtjellon ngjarje në fshatin shqiptar në vitin 1831 kur një bej i ri mysliman me emrin Gani, bie në dashuri me Maron, vajzë krishtere, shërbëtore në sarajet e atit të Ganiut.. Rastet që përmendëm, siç vihet re, zhvillohen nga mezi i shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Perandoria turke ishte në grahmat e fundit. Borgjezia evropiane kishte shtuar orekset aneksioniste në kurriz të shqiptarëve. Shkrimtarët patriotë ishin në krye të përpjekjeve për të emancipuar ndërgjegjen e popullit në luftë për liri. Kjo duket edhe në ndërthurjen e dashurisë së Estrefit me Nicën, të Malos me Vaidenë, të Ganiut me Maron me ndjenjën patriotike. Nën ndikimin e vajzave të thjeshta fshatare si Nica dhe Vaideja të dy tutkunët, kokëkrisurit mizorë, Rakip dhe Rushan beu, marin rrugën e pendimit, gjunjëzohen para tyre, para fakteve dhe "thithin" ndjenjën e dashurisë për Atdheun, për njerëzit hallemëdhenj e të vojtur.

3. Bija e Foqion Postolit

Tek sjell ndërmend Nicën, më lind pyetja: “Pse Foqion Postoli e “krijoi” Nicën në Floq e jo në ndonjë fshat tjetër? Në mungesë të fakteve e të dëshmive, dalëngadalë vepron bota e arsyetimit. Floqi atëherë ishte fshat i madh, afër rrugës së kalimit për në Frashër nga shkrimtari kish origjinën. Në Floq jetonin në harmoni brez pas brezi myslimanë e të krishterë. Si duket atje kish pasur që atëherë etje të madhe për të mësuar shkrim e këndim shqip. Mirëpo arsyeja, kjo zonjë e nderuar brenda mureve të shtëpisë, ka borxh të bëjë çudira kur del jashtë mureve të saj. Kureshtja e gazetarit, ne kohen kur mblidhja fakte për librin tim: "Lis ne shkëmb", më shtyu të kërkoja ndonjë të afërm të shkrimtarit të dashur për floqarët. Nuk u gabova. Arrita të kontaktoj nipin e Foqion Postolit, djalin e vëllait të tij, që më surprizoi kur mu prezantua: “Jam avokat Foqion Postoli!” Kish marë emrin e xhaxhait të tij. Ky, Foqioni i ri, më adresoi te Violeta Dobi (Postoli) që është e bija e Foqion Postolit shkrimtar, dhe avokati i thoshte hallo. Violeta, ishte një grua fisnike, 83 vjeçare në vitin 2007. E mbajtur mirë. Uroj që të jetë edhe sot ashtu siç e pashe para 11 vjetëve. Dikur Violeta ka qene spikere e Radio Moskës në gjuhën shqipe, martuar me një nga katër arkitektët e parë pas çlirimit të vendit, Eqerem Ahmet Dobin. Më priti me bujari në shtëpinë e vet në rrugën “Myslim Shyri” në Tiranë. I tregova qëllimin e vizitës sime dhe, pas përshëndoshjes së rastit, i bëra pyetjen: -E dini ju, zonja Violeta se përse babai juaj e ka marë heroinën e romanit të vet në Floq e jo gjetkë? Ajo mu përgjigj aty për aty: -Unë nuk e di, kam qenë vetëm tre vjeç kur babai ka vdekur. Pastaj, duke më treguar se si i ati i saj, Foqioni, në vitet 20-të kish pritur në shtëpinë e vet në Korçë Fan Nolin, më afron një foto të vitit 1923 ku duket i ati i saj në funksionin e sekretarit të Këshillës së Lartë Kishtare. Në një moment më shikoi drejt e në sy. Diçka iu kujtua e më tha: -Pa dale, dale një minutë! Hë, po, më kujtohet. Vjehrra e babait tim, pra gjyshja ime nga nëna, Thomaidha ka qenë me origjinë nga Floqi. Dhe këtë ajo e thoshte me krenari. Këtë e tregonte edhe Pilo Peristeri që ka qënë vëllai i gruas së Foqion Postolit… Teksa më nxiti të përfundoja likonë e saj prej fiku, Violeta meë tregoi edhe për jetën e saj, për burrin e vet që nuk jeton më, për fëmijët e saj, për punën. Asaj i vinte keq që babai i saj u nda nga jeta në moshën 38 vjeçare në vitin 1927, por ishte e lumtur pasi i ati la vepra letrare. Librat shkruhen për të qenë pranë e për t’u përdorur nga njerëzit edhe pas vdekjes së autorit, për t’u mbrojtur nga armiku i pamëshirshëm i harresës. Çdo të ndjente vallë Foqion Postoli, sikur t’i thuhej që në gjalljen e vet se do të vinte një ditë, shume vite pas vdekjes së tij kur një nga nipat e tij do të quhej Foqion Postoli e se ky do të bëhej avokat që të kujton komedinë e shkruar nga ai vetë me titull “Martesa e një avokati"? Dhe ky, avokati, do të martohej me një myslimane, ashtu si e bija e tij Violeta që mori burrë një njeri të mirë të fesë tjetër? A do t’i shkonte ndërmend atij se një nga mbesat e tij, motra e avokat Foqionit, do të quhej Nicë?

Fiqri Shahinllari

22 views

Shkrimet e fundit