
KRUJES SHETITË
Ende kalë i Gjergjit
si dikur hingëllë,
ende shpatë e tij
betejave vringëllinë.
Nga shekujt e thinjur
del Krujes shetitë,
jo kur bie mjegulla,
dita kur çelë sytë.
Flet me shqiponjat
te shkëmbi, mbi gurrë.
Gjaku i arbrit, thotë,
s`bëhet ujë kurrë!
Dhe s`di kah ikën,
askush nuk e sheh!
Shkon ta puthë flamurin
atje lart mbi re!
6 prill 2020
MË DUART PAS SHPINËS
Ec drejt, mik i vogël.
Ec me një dorë ne xhep.
Me krahun në sup të shokut.
Me dorën rreth belit
të manushaqës tënde.
Dorë për dore
me ylberushen e klasës.
Mos më duart pas shpinës.
Asnjëherë.
Kështu një shekull
kemi shetitur
shetitoreve të ferrit.
PIKTURË NË VARGJE
Në flokë një pyll me lule.
Tri flutura të përgjumura.
Një mollëkuqe gati në fluturim.
Në balluke cicërima e zogut.
Si liqeni rrëzë malit sytë e qeshur.
Pikturë në vargje
shoqja ime.
KËNDON BUKURIA
Fshehur
nën këmishë të ftoit
guguron kumria.
Unë
nënës i them seriozisht:
Kopshti po këndon sot!
Këndon bukuria!
NJË HARABEL MA MERR VJERSHËN
KUR shkruaj vargje
mollës i hip kaliboç.
Vijnë zogjtë menjëherë
në flatra m`i sjellin rimat.
Vargjet
bëhen të ëmbëla si molla.
Kanë
edhe pak muzikë të gjetheve.
Një harabel ma merr vjershën
ta gëzoj vëllain në çerdhe.
TË DUA TEPËR
DASHURIA s`blehet në ëmbëltore,
nuk është bozë,
as akullore,
ajo falet
si një mollë,
si një ftua,
edhe ndonjë vjershë
të shkruar në letër,
për shembull
kur të të them ty:
Diellushë,
të dua tepër!
Kjo është qind për qind
e vërtetë,
për ty bëhem lejlek,
fluturoj te retë!
MOTËR E YJEVE
(Variant)
Nëpër shkallët e vizatuara
hipi çupëlina hënë,
hipi shpejt e shpejt.
Me një shportë qershi
t`i gëzoj yjet e qiellit me kapela drite.
Dhe ata u ëmbëlsuan,
ia falën nga një puthje,
puthje ylloshe
si për ditën e lindjes.
Kur deshi të kthehet
shkallët ia kishte fshirë era!
Era, kjo hajneshë e pyllit.
U bë motër e yjeve
edhe përrallë e gjumit
të na tregojnë gjyshet,
në prehër të ëndrrës.