Meçan Hoxha: Libër, që vjen si prurje e re në letërsinë shqipe
- Jun 9
- 10 min read

(Shënime nga libri “Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional” me autore Dr. Alma Dema)
Libri, "Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional" trajton një nga funksionet më të rëndësishme të letërsisë për fëmijë: formimin emocional të individit. Autorja argumenton se letërsia nuk është vetëm mjet estetik dhe njohës, por edhe instrument i fuqishëm për zhvillimin e inteligjencës emocionale, empatisë, vetëdijes dhe marrëdhënieve sociale.
Ky libër vjen si kontribut origjinal e pasuri në letërsinë për fëmijë. Ndërtuar mbi nevojën e shpjegimit të domosdoshmërisë së edukimit të fëmijëve edhe nëpërmjet letërsisë, autorja ka bërë një punë madhore analizuese, krijuese e didaktike. Në libër, autorja merr për model arritjet më të shkëlqyera botërore e shqiptare të letërsisë për fëmijë dhe ka nxjerrë prej tyre, me një qasje të admirueshme shkencore vlera emocionale, estetike, artistike dhe didaktike. Përparësi në të gjitha trajtesat kanë marrë vlerat dhe nevojat e edukimit emocional, reflektuar që në ballinë. Këtë punë madhore e dëshmojnë bibliografia dhe referencat tepër të përzgjedhura në shërbim të argumentit për çdo analizë.
Ky libër përmban vlera të rralla e të shumta. Të rralla për nga cilësia e lëndës së përzgjedhur dhe tematikës që trajton, por dhe të shumta nga sasia e lëndës që përdor për këto trajtesa.
Libri trajton një gamë të gjerë problemesh, po unë përzgjodha tri çështje: ndikimi i mjedisit të ri informativ, roli i ilustrimit në letërsinë moderne për fëmijë dhe dialogu në familje, përmes librit për fëmijë.
Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional në epokën e mjedisit të ri informativ.

Në kushtet e transformimeve teknologjike të shekullit XXI, funksioni tradicional i letërsisë përballet me sfida të reja. Fëmijët rriten në një mjedis informativ të dominuar nga ekranet, rrjetet sociale, platformat video dhe komunikimi i menjëhershëm dixhital. Kjo situatë ka ndryshuar mënyrën se si ndërtohen emocionet, perceptohen përvojat dhe zhvillohet personaliteti.
Historikisht, edukimi emocional i fëmijëve është realizuar përmes disa mekanizmave themelorë, ku rolin kryesor e ka luajtur kultura familjare dhe programi mësimor në shkollë, ku kanë dominuar rrëfimet familjare, tregimet popullore, përrallat, fabulat, letërsisa artistike për fëmijë dhe përvoja e drejtpërdrejtë.
Në ato forma tradicionale, fëmija identifikohej gradualisht me personazhet dhe situatat emocionale. Procesi i leximit kërkonte përqendrim, imagjinatë dhe reflektim. Përrallat klasike paraqesnin konflikte morale të qarta: të mirën kundër së keqes, drejtësinë kundër padrejtësisë, sakrificën kundër egoizmit. Përmes tyre fëmija mësonte: të përjetonte emocionet e veta, të njihte emocionet e të tjerëve, të zhvillonte ndjenjën e empatisë, të përballonte frikën dhe pasigurinë, të ndërtonte modele pozitive sjelljeje.
Ata parametra të traditës kanë pësuar evolim deri në ndryshime rrënjësore. Këto ndryshime shpesh shihen si kërcënim, por në të vërtet mjedisi i ri informativ sjell mundësi të rëndësishme.
Sipas këndvështrimit të paraqitur nga Alma Dema, sot letërsia për fëmijë luan rol parësor dhe krijon një "hapësirë të sigurt emocionale". Mjedisi i ri informativ përfshin: internetin, rrjetet sociale, platformat video, lojërat elektronike, inteligjencën artificiale, komunikimin dixhital.
Ky mjedis karakterizohet nga: Shpejtësia(Informacioni transmetohet menjëherë dhe në sasi të mëdha), Fragmentarizimi (Ndryshe nga leximi i një tregimi të plotë, informacioni paraqitet në fragmente të shkurtra, video disa sekondëshe ose mesazhe të shpejta), Dominimi i imazhit (Kultura dixhitale favorizon imazhin dhe videon përballë fjalës së shkruar. Kjo redukton hapësirën për imagjinatën krijuese të lexuesit), Interaktiviteti (Fëmija nuk është më vetëm marrës i informacionit, por edhe prodhues i tij. Ai komenton, shpërndan dhe krijon përmbajtje).
Natyrshëm zhvillimet e reja kanë sjellë dhe problematika që duhen përballuar. Fëmijët mund të njohin kultura, histori dhe përvoja njerëzore nga vende të ndryshme të botës, gjë që ndikon në forcimin e tolerancës, mirëkuptimit ndërkulturor dhe empatisë globale. Platformat dixhitale ofrojnë libra elektronikë, audiolibra dhe materiale multimediale që mund ta bëjnë letërsinë më tërheqëse, por dobësojnë përqendrimin emocional. Leximi i letërsisë kërkon kohë dhe angazhim emocional. Mjedisi dixhital favorizon kalimin e shpejtë nga një stimul te tjetri. Empatia zhvillohet më fuqishëm në marrëdhëniet e drejtpërdrejta sesa në ndërveprimet virtuale. Si pasojë: ulet durimi për rrëfime të gjata, reduktohet reflektimi emocional, dobësohet aftësia për analizë të thellë. Fëmijët e sotëm janë më të ekspozuar ndaj lajmeve, konflikteve, dhunës dhe përmbajtjeve shqetësuese, që më parë filtroheshin nga familja ose shkolla. Kjo mund të shkaktojë: ankth, pasiguri, stres emocional e konfuzion moral.
Kjo është lënda që trajton autorja në librin,“Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional”. Përvojat që sjell nga letërsia botërore dhe ajo shqiptare për fëmijë dhe analiza shkencore se si, kjo letërsi, mund të ndihmojë në edukimin emocional të fëmijëve është një pasurim i ri psiko-pedagogjik me vlera të rëndësishme konteporane. Në këtë fushë, libri i Alma Demës jep ndihmesë të vyer, se si letërsia të përballojë fenomenet që sjell mjedisi i ri dixhital. Autorja na shpjegon, se letërsia për fëmijë mund të funksionojë si një mekanizëm balancues ndaj ritmit të përshpejtuar të kulturës dixhitale.
Përmes leximit, fëmija: mëson të dëgjojë veten, zhvillon aftësinë e reflektimit, ndërton empati të thellë, përjeton emocione komplekse, krijon identitet emocional më të qëndrueshëm, ndaj libri i Alma Demës thekson se edukimi emocional mbetet një nga misionet themelore të letërsisë për fëmijë. Ndërsa mjedisi i ri informativ edhe pse ofron mundësi të reja komunikimi dhe mësimi, ai nuk mund ta zëvendësojë plotësisht rolin formues të letërsisë artistike.
Sfida e kohës sonë nuk është zgjedhja mes traditës dhe teknologjisë, por integrimi i tyre. Edukimi emocional më i suksesshëm realizohet kur vlerat humaniste të letërsisë kombinohen me potencialin e teknologjive të reja. Në këtë mënyrë, fëmija mund të përfitojë njëkohësisht nga thellësia emocionale e leximit tradicional dhe nga mundësitë e gjera të komunikimit që ofron epoka dixhitale.
Ky është edhe mesazhi më aktual, që mund të nxirret nga vepra e Alma Demës, në kushtet e shoqërisë bashkëkohore të informacionit. Dr. Alma Dema, nuk e sheh teknologjinë si pengesë të edukimit emocional, por si një realitet të ri me të cilin edukimi duhet të dialogojë. Theksi i saj mbetet te roli i pazëvendësueshëm i letërsisë në përpunimin e emocioneve.
Dema vëren, se fëmija bashkëkohor është i aftë të përpunojë informacion me shpejtësi më të madhe se brezat e mëparshëm. Ai ka qasje në një univers shumë më të gjerë përvojash, kulturash dhe historish njerëzore. Kjo krijon mundësi të reja për zhvillimin e ndjeshmërisë sociale dhe të kuptimit të diversitetit. Në këtë format, mjedisi i ri informativ: zgjeron horizontin kulturor të fëmijës, e vendos përballë realiteteve të ndryshme njerëzore, krijon mundësi për ndërveprim më të gjerë social, ofron forma të reja të leximit dhe komunikimit.
Një element interesant në qasjen e saj është se nuk mbron vetëm librin tradicional në letër. Ajo këmbëngul që letërsia të mbetet qendra e procesit edukativ, pavarësisht mediumit. Kjo do të thotë se: audiolibrat, librat elektronikë, platformat digjitale të leximit dhe rrëfimet multimediale,
mund të shërbejnë si mjete të vlefshme për edukimin emocional, nëse ruhet thellësia e përvojës letrare.
Pra, risia nuk qëndron te zëvendësimi i letërsisë, por te zgjerimi i mënyrave për ta afruar atë me fëmijën.
Një ide që del qartë nga mendimi i autores, është se letërsia duhet të përdoret si "hapësirë dialogu".
Në mjedisin e ri informativ, fëmijët kanë më shumë mundësi të: diskutojnë histori, ndajnë përvoja, bashkëpunojnë në projekte krijuese dhe shkruajnë e publikojnë vetë.
Kjo e zhvendos fëmijën nga lexues pasiv në pjesëmarrës aktiv të përvojës emocionale. Me këto përfundime, autorja hap horizont të gjerë për familjen dhe shkollën në përdorimin me efikasitat të mjedisit të ri informativ.
Dr. Alma Dema, është e vemendëshme dhe trajton me kujdes problematikat, që duhen përballuar. Në intervista, ajo ka theksuar se edukimi emocional duhet të fillojë që në moshë të hershme dhe të trajtojë hapur edhe ndjenjat e pakëndshme si: humbja, mërzia, frika, ndarja e dështimi.
Kjo është shumë e rëndësishme në epokën digjitale, ku fëmijët shpesh përballen me përmbajtje emocionale intensive, ndaj autorja orienton që teknologjia të shoqërohet me: diskutim e ndërmjetësim nga mësuesi, udhëzim nga prindërit dhe reflektim përmes letërsisë. Ajo paralajmëron se përfitimet realizohen vetëm nëse ruhet reflektimi emocional. Përndryshe, shpejtësia e informacionit mund të prodhojë sipërfaqësi emocionale dhe jo pjekuri emocionale.
Në interpretimin tim të këtij libri, Alma Dema nuk propozon kthim nostalgjik te modeli i vjetër dhe as dorëzim përballë teknologjisë. Ajo propozon një sintezë pedagogjike: letërsia klasike dhe vlerat tradicionale të edukimit emocional duhet të bashkëjetojnë me mjetet e reja informative. Fëmija i shekullit XXI duhet të jetë njëkohësisht i informuar, emocionalisht i vetëdijshëm dhe empatik. Pikërisht këtu ajo e sheh rolin e letërsisë si urë lidhëse midis botës tradicionale dhe realitetit digjital.
Risia e saj kryesore nuk qëndron te zgjedhja e librave të rinj, por te mënyra e leximit të tyre. Modeli tradicional pyet: "Çfarë kuptove nga teksti?" Modeli i edukimit emocional pyet: "Çfarë ndjeve gjatë leximit dhe pse?"
Kjo është zhvendosja themelore që propozon Alma Dema: nga nxënësi si marrës informacioni te nxënësi si qenie emocionale që mëson të njohë veten përmes letërsisë.
Në librin “Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional” të autores Alma Dema, fokusi kryesor i veprës është edukimi emocional i fëmijëve, që përmes letërsisë të relizohet: zhvillimi i empatisë, vetëdijes emocionale, vetëvlerësimit, marrëdhënieve njerëzore dhe formimit moral. Por libri trajton dhe aspekte të tjera si ai atdhetar. Duke iu referuar një interviste të autores rreth këtij libri, ajo thekson se letërsia ndihmon në ndërtimin e identitetit emocional dhe moral të fëmijës dhe se mësuesit duhet të transmetojnë gjuhën shqipe "në respekt të simbolit tonë kombëtar". Kjo tregon se autorja e sheh letërsinë edhe si mjet formimi kulturor e kombëtar.
Mund të konkludojmëe se: Edukimi emocional është boshti kryesor i librit. Edukimi moral zë një vend të rëndësishëm. Edukimi atdhetar është i pranishëm në mënyrë të tërthortë, përmes trajtimit të identitetit kulturor, gjuhës shqipe, vlerave kombëtare dhe veprave letrare shqiptare që analizohen.
Roli i ilustrimeve në promovimin e edukimit emocional
Ilustrimet nuk shërbejnë vetëm për të zbukuruar librin, por përbëjnë një gjuhë të veçantë komunikimi që ndihmon fëmijën të kuptojë emocionet dhe marrëdhëniet njerëzore. Përmes figurave, fëmijët: Njohin dhe identifikojnë emocionet bazë, si gëzimi, trishtimi, frika, zemërimi apo habija. Mësojnë të interpretojnë shprehjet e fytyrës, gjestet dhe qëndrimet trupore të personazheve. Zhvillojnë empatinë duke u vendosur emocionalisht në vendin e personazheve. Kuptojnë më mirë situatat konfliktuale dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre. Krijojnë lidhje emocionale me historinë edhe para se të jenë në gjendje të lexojnë tekstin.
Veçanërisht në moshat parashkollore dhe në vitet e para të shkollimit, ilustrimet shpesh përcjellin një pjesë të madhe të mesazhit emocional të veprës, duke e bërë fëmijën pjesëmarrës aktiv në interpretimin e ngjarjeve.
Shfaqja e ilustrimeve cilësore lidhet ngushtë me zhvillimin e letërsisë moderne për fëmijë gjatë shekujve XIX dhe XX. Në periudhat më të hershme, librat për fëmijë kishin kryesisht karakter didaktik dhe moralizues, me pak ose aspak ilustrime.
Me ndryshimin e konceptit mbi fëmijërinë dhe njohjen e saj si një fazë e veçantë e zhvillimit njerëzor, autorët dhe botuesit filluan t'i kushtonin më shumë rëndësi botës imagjinare të fëmijës. Ilustrimet u bënë pjesë organike e tregimit dhe jo vetëm element dekorativ.
Në këtë proces: Libri për fëmijë u shndërrua në një bashkëveprim midis tekstit dhe figurës. U krijua një estetikë e re e komunikimit me lexuesin e vogël. U zgjeruan mundësitë për të trajtuar tema emocionale, psikologjike dhe sociale. U zhvilluan forma të reja letrare, si libri me figura (picture book), ku ilustrimi ka peshë të barabartë ose edhe më të madhe se teksti.
Prandaj, studiuesit e letërsisë për fëmijë e konsiderojnë ilustrimin si një nga elementet themelore që kontribuoi në lindjen e letërsisë moderne për fëmijë, sepse ai e largoi librin nga modeli thjesht edukues dhe e afroi me përvojën emocionale, imagjinative dhe estetike të fëmijës.
Në kontekstin e edukimit emocional, libri i trajton ilustrimet si një urë lidhëse midis përjetimit emocional të fëmijës dhe kuptimit të botës që e rrethon, duke e bërë letërsinë për fëmijë një mjet të fuqishëm për zhvillimin e inteligjencës emocionale.
Letërsia për fëmijë në funksion të dialogut familjar
Familja përbën mjedisin e parë social dhe emocional ku fëmija mëson të komunikojë, të shprehë ndjenjat dhe të ndërtojë marrëdhënie me të tjerët. Në këtë proces, dialogu familjar ka një rol themelor, pasi krijon lidhjen shpirtërore të mirëkuptimit e besimit ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Sot përjetohet ritëm i shpejtë i jetës moderne, përdorim i teknologjisë dhe mungesa e kohës së përbashkët, faktorë që kanë sjellë shpesh varfërim të komunikimit brenda familjes. Pikërisht në këtë kontekst, letërsia për fëmijë shfaqet si një mjet i rëndësishëm edukativ dhe emocional, që ndihmon në krijimin dhe forcimin e dialogut familjar. E bën atë të domosdoshëm.
Sipas studiueses shqiptare Alma Dema, letërsia për fëmijë luan rol të rëndësishëm në edukimin emocional të fëmijëve, duke qenë si pikënisje e natyrshme për biseda të rëndësishme brenda familjes.
Leximi i përbashkët krijon një hapësirë të veçantë komunikimi mes prindit dhe fëmijës. Kur një prind lexon një tregim, përrallë apo roman për fëmijë, ai nuk transmeton vetëm përmbajtjen e tekstit, por krijon mundësi për diskutim, reflektim dhe shkëmbim mendimesh.
Personazhet letrare shpesh përjetojnë situata që ngjasojnë me ato të jetës reale: frikën, humbjen, vetminë, miqësinë, gëzimin apo zhgënjimin. Duke folur për këto përvoja, fëmija arrin të shprehë më lehtë emocionet e veta. Në shumë raste, ai mund ta ketë të vështirë të flasë drejtpërdrejt për ndjenjat personale, por mund të diskutojë lirshëm për emocionet e një personazhi. Kështu, libri bëhet një ndërmjetës i sigurt i dialogut familjar. Për shembull, pas leximit të një tregimi, prindi mund të pyesë: Si u ndje personazhi në këtë situatë? Çfarë do të bëje ti në vendin e tij? A të ka ndodhur ndonjëherë diçka e ngjashme? Pse mendon se personazhi veproi kështu?
Pyetje të tilla e nxisin fëmijën të reflektojë, të argumentojë dhe të komunikojë hapur.
Një nga idetë qendrore të librit të Alma Demës, është se letërsia ndihmon në formimin e inteligjencës emocionale. Përmes leximit, fëmija mëson të identifikojë emocionet, të kuptojë shkaqet e tyre dhe të zhvillojë aftësi për t'i menaxhuar ato. Kur këto përvoja ndahen me prindërit, procesi bëhet edhe më i pasur. Dialogu rreth një libri mund të ndihmojë familjen të trajtojë tema të vështira si: frika nga dështimi, humbja e një personi të dashur, konfliktet me shokët, ndjenja e vetmisë, ndryshimet e moshës së rritjes, respekti dhe përgjegjësia.
Në këtë mënyrë, letërsia nuk mbetet vetëm një aktivitet leximi, por shndërrohet në një mjet edukimi emocional dhe social. Kur prindërit diskutojnë me fëmijët për personazhet dhe zgjedhjet e tyre, ata kontribuojnë në zhvillimin e një kulture familjare të bazuar në mirëkuptim dhe respekt reciprok. Kjo ndihmon në uljen e konflikteve dhe rritjen e besimit mes anëtarëve të familjes.
Në shoqërinë bashkëkohore, fëmijët kalojnë gjithnjë e më shumë kohë përpara ekraneve. Kjo shpesh kufizon komunikimin e drejtpërdrejtë me familjen. Në këtë situatë, libri mbetet një hapësirë ku fëmija ndalet, mendon dhe dialogon me veten dhe me të tjerët.
Leximi familjar mund të shndërrohet në një ritual të përditshëm që forcon lidhjet emocionale ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Një mbrëmje leximi e shoqëruar me diskutim krijon momente afërsie që teknologjia nuk mund t'i zëvendësojë.
Prindi duhet të jetë udhëheqës i dialogut. Ai mund të: zgjedhë libra të përshtatshëm për moshën e fëmijës, nxisë pyetje dhe diskutime, lidhë ngjarjet e librit me përvojat reale të fëmijës, respektojë mendimet dhe interpretimet e tij e të krijojë një atmosferë të lirë komunikimi.
Në këtë mënyrë, libri bëhet një instrument i edukimit familjar dhe jo thjesht një burim argëtimi.
Letërsia krijon mundësi për komunikim të sinqertë, zhvillon inteligjencën emocionale, forcon empatinë dhe ndihmon fëmijët të kuptojnë më mirë veten dhe botën që i rrethon.
Nga libri “Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional”, mësojmë se letërsia nuk është vetëm një mjet për të mësuar të lexosh, por një mjet për të mësuar të ndjesh, të kuptosh dhe të komunikosh. Përmes leximit të përbashkët, familja fiton një hapësirë dialogu ku ndërtohen besimi, afërsia emocionale dhe vlerat njerëzore që e shoqërojnë fëmijën gjatë gjithë jetës.
Autorja me këtë punim me nivel të lartë shkencor, ka arrirë të realizojë synimet e saj, siç shprehet në hyrje: “Qëllimi kryesor i punimit është të ofrojë një udhërrëfyes për të kuptuar ndikimin e historive për fëmijë mbi formimin e karakterit, perceptimet morale dhe aftësitë emocionale. Ky punim është një thirrje për të reflektuar mbi rëndësinë e letërsisë për fëmijë dhe për të vlerësuar fuqinë e saj, si mjet i edukimit emocional.”


![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_442,h_250,fp_0.50_0.50,q_35,blur_30,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)
![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_292,h_165,fp_0.50_0.50,q_95,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)




Comments