Mbuloji sa të duash me gjethe fiku!


GJOKË DABAJ

SI ADAMI DHE SI EVA

Fejton

Ishim 4-5 shokë, ulur në karriket e një lokali, në një ambient të jashtëm, dhe po pinim: kafe, çaj dhe dhallë. Kur u njoftua, në lajmet e drekës, vendimi idiot i Brukslit, që Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë t'i maskojnë simbolet e vet shtetërorë me copa letrash, ne që të gjithë shtangëm. Heshtëm, u zymtuam. Asnjërit nuk po i jepej për të thënë diçka.

Dikur, njëri prej shokësh nxori diç në xhamin e celularit dhe tha: Ja marrëveshja! Shikojeni!

Dhe na e zgjati celularin. Ishin: Një grua dhe një burrë, krejt lakuriq, me nga një gjethe që po e mbanin me dorë te organi i vet seksual. Tabloja ish e njohur për të gjithë ne: Eva dhe Adami, sipas mitologjisë parabiblike.

Ne nuk e dinim, a të qajmë apo të qeshim. Fytyrat tona mbetën të shtangura në pozicionin e zgjërdhirjes.


Dy njerëzit lakuriq, që po i shikonim në atë miniekran (dhe që tashmë po i përfytyronim të zmadhuar në përmasat e tyre natyrale) i kishin mbuluar organet krejt formalisht. Krejt formalisht!

Mbuloji sa të duash me gjethe fiku! -tha njëri. -Këta do të vazhdojnë ta bëjnë atë punë.

-Cilën punë?! pyeta unë me qëllim.

-Atë punë, pra! -gati sa s'më bërtiti shoku mu përpara fytyrës dhe vazhdoi:

-Dihet që Adami është Sërbia! Eva është Kosova! Ata që ia mbajnë bishtukun, kandilin, llambën elektrike, këtij akti makabër, janë shtetet e Evropës! Të asaj Evrope që ia ka gjetur emrin e vërtetë Fishta, prej kohësh!

-Pse makabër?! -s'iu ndejt njërit prej shokëvet pa pyetur.

-Makabër, sepse Eva po për-dhu-no-het! A nuk po sheh si e ka shtrembëruar fytyrën Eva?!

Me kaq e ndërpremë bisedën. Erdhi kemerieri. Njëri prej nesh i pagoi: dhallin, kafet dhe çajin.

23 shtator 2021