top of page

MBRESA NGA NJË VEPËR MJAFTË DINJITOZE






( Disa impresione nga përmbledhja me studime, analiza, shënime kritike, përsiatje "Shtigjeve të fjalës artistike" e Prof. dr. Eshref Ymerit.)


Shkruar nga Kozma Gjergji.


Mbas publikimit të fjalorëve frazeologjikë nga gjuhët e mëdha në shqip (punë kjo sa kolosale për nga volumi, aq dhe akademike për nga niveli), shqipërimit të disa prej kryeveprave botërore dhe një angazhimi gati të përditshëm në revistën "Fjala e lirë" me publicistikën e tij brilante, Prof. dr. Eshref Ymeri i "gostiti" së fundmi lexuesit me veprën e shquar "Shtigjeve të fjalës artistike", nëpërmjet së cilës na shpalos një tjetër dimension të krijimtarisë së tij, atë të kritikës letrare.

Ndonëse në hyrje ai pohon me shumë modesti që "Nuk kam pasur ndër mend absolutisht të merrem me kritikë letrare se kjo nuk është zeja ime", vetë punimet e realizuara me aq profesionalizëm dëshmojnë se kemi të bëjmë me një studiues kalibri të letërsisë, që e njeh thellësisht procesin letrar, që e ka natyral tharmin krijues e sensin e hollë të artistit dhe mbi të gjitha aftësinë e rrallë për të depërtuar në çdo ind të krijimit artistik dhe zbuluar vlerat e dukuritë më të veçanta e domethënëse.

Sapo lexova librin, jo vetëm se më pëlqeu e kënaqi intelektualisht, por dëshiroja t'i shprehja Profesor Eshrefit sa më shpejt mirënjohjen time që ma dhuroi dhe në të përfshinte edhe mendimet e gjykimet e tij për tre krijime të mia.

Dhe kështu para se të skicoja disa nga momentet që do theksoja, lexova edhe njëherë parathënien e shkëlqyer që kishte shkruar Prof. dr. Fatmir Terziu për ta patur si mbështetje e prijëse. Mirëpo habitërisht sepse pata më pas një si shkrehje e çarmatosje, dhe i thashë vetes se ç'mund të thoshja më tepër kur Profesor Terziu i kishte thënë të gjitha. Pastaj në të qenë përfshirë pesëdhjetë krijues, midis të cilëve plot emra të spikatur, që me siguri do të shpreheshin shumë herë më mirë sesa unë. Dhe për çudi pata një tërheqje e kalova përkohësisht në pritje.

Shkuan shpejt javë e muaj gjersa në dhjetor kjo ndjesi bllokuese më kaloi e mrekullisht u karikova e isha gati t'i hidhja përshtypjet e mbresat. Vura një titull dhe i lashë fletët ta nisja vitin pikërisht me këtë shkrim. Megjithatë më vjen keq që më ndodhi kështu e i kërkoj ndjesë Profesorit për vonesën.

Mirëpo dale dale, ku e di njeriu i gjorë se ç' mund t'i ndodhë! Edhe pse gëzoja shëndet mjaft të mirë, befas më kapi covidi dhe më rrezikoi seriozisht jetën. Fillimisht në shtëpi e pastaj në spital për gati gjithë janarit në një përballje jashtzakonisht të vështirë me të keqen. Falë kujdesit shëndetësor shumë cilësor, por edhe kushedi ç'mrekullie hyjnore që arrita të shpëtoj e tani jam mirë.

Dhe ja, sot fillova me shumë dëshirë të përmbushë detyrën e prapambetur. Më pëlqen ta nisë me dedikimin tepër mirënjohës që profesori i ka kushtuar bashkëshortes fort të nderuar znj. Hava, për të cilën mësojmë se qenka veç të tjerave edhe bashkëpunëtore shkencore e letrare si redaktore e korrektore e veprave të tij. M'u duk bukur, i veçant, i avancuar ky gjest i lartë i profesor Eshrefit, sepse të tilla dedikime bëjnë thuajse të gjithë vetëm për prindërit, bijtë, nipërit, mbesat dhe jashtëzakonisht rrallë për shoqen e jetës. Shpeshë kontributin e tyre tejet të çmuar e lëmë si pa dashur në heshtje ose nuk i japim vëmendje dhe e harrojmë si ato gjërat tepër të shtrenjta nëpër cepat e sirtarëve të komosë.

Që në leximin e parë të kësaj përmbledhje me hulumtime, studime e analiza m'u ngulit përshtypja për autorin se kishim të bënim mbi të gjitha me një bir të kulturës e qytetërimit perëndimor, ndonëse brezi i profesorit dhe i imi janë rritur e formuar nën trysninë e tmerrshme të propagandës droguese të regjimit të kaluar dhe të realizmit socialist. Habitesh sesi profesori ka mbetur krejtësisht i pa ndotur prej tyre, njësoi sikur të mos i kishte njohur, besoj falë kulturës mjaftë të gjerë dhe njëkohësisht dhe alergjisë që ka patur për ato politika e metodën realsocialiste aq vrastare për artistët.

Nëse do supozoja sikur z.Ymeri ta kishte botuar atëhere këtë vepër voluminoze me siguri do të binte si gjithë të tjerët në monotoni e skemën e atëhershme aq të politizuar e imponuese me kallëpet parafabrikat. Kujtoj që shumica e analizave ngjanin me artikujt e gazetave, me të vetmin ndryshim që personazhet nuk vinin direkt nga arat, kantieret, minierat, por nga librat dhe që të dy ortakët dinin tek e njëjta gjë.

Kjo vepër e prof. dr. Eshrefit me paraqitje estetike luksoze, në të cilën janë bërë objekt shqyrtimi krijimet e pesëdhjetë poetëve dhe prozatorëve është një det i tërë. Teksa i kalova të gjithë nëpër duar, autori i tyre m'u duk si një polumbar i sprovuar, që di aq lehtësisht të përshkoi lloj-lloj rrymash dhe zhytet po aq i sigurtë në honet më të thella dhe të nxjerrë prej andej e të na tregoi perlat më magjepse, ndërkohë që di mjeshtërisht të gjuaj edhe në cektësira. Fjalën e kam që kritiku z.Ymeri nuk merret vetëm me emrat më të shquar, por edhe me krijues ende të pa afirmuar ose provincial, të cilëve me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë që e karakterizon u jep vlera, shkëlqim, i nxit e lartëson.

Për vëllimin "Shtigjeve të fjalës artistike" mund të flasësh gjatë, që nga stili e skalitja e mendimit aq të përkort, elegant e me qartësinë e diamantit, për gjuhën gjithë hijeshi, dritë e tingëllim muzikorë. Ndër shkrimet më të pëlqyera veçoj: "Kur lexoj Verën kujtoj Anën e Dostojevskit", "Nuk mbrohet Kadareja me të pavërteta", "Kojrillat nuk gjejnë qetësi", "Një portë e hapur në misteret e Ilirisë", "Fushëbeteja e fjalës artistike të Uran Butkës në penën e kritikut të shquar", "Ç'mitizimi artistikë i diktatorit", "Një përvjetor i shënuar i një shkrimtareje të shquar" etj.

Duke përfunduar i uroj Prof. dr. Eshref Ymerit dhe të shtrenjtës së tij të zemrës znj. Hava energji kreshnikësh dhe frymëzime të reja për të tjera vepra dinjitoze në fushën e kritikës letrare. Me shumë respekt e konsideratë, K.Gjergji.

98 views5 comments

5 Comments


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Feb 13, 2022

Të shumërespektuar Prof. dr. Eshrefi dhe zonja Hava, përshëndetje!

Ndjehem mjaft i nderuar e i gëzuar për çka më pohoni, sepse ju çmoj lartë. Bashkë me mua

ju shpreh simpatinë e nderimin e veçant dhe bashkëshortja ime, Natasha, për ndjeshmërinë

e solidaritetin tuaj tepër miqësor ndaj meje.

Me mirënjohje e konsideratë, K.Gjergji.

Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Feb 13, 2022

Miku im i çmuar Myslim, të falenderoj për vlerësimin e kësaj eseje për veprën e

Prof. dr. Eshref Ymerit, dhe për fjalët plotë merak e dashuri që më shprehe pasi kalova të

keqen. Isha shumë mirë dhe as që e mendoja se më kishte zënë pritë Satanai, i cili bëri

gjithçka të më hipte në varkën e Karontit. E rëndësishme është që u mposht maskarai.

Rroftë jeta! Përqafime me mall, K.Gjergji.

Like

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Feb 12, 2022

I dashur Kozma,

Ju jam shumë mirënjohës për vlerësimet e formatit intelektual që i keni bërë librit tim. Ju jeni një krijues i talentuar dhe me veprat tuaja artistike në gjininë e tregimit, zini një vend të nderuar në botën e letrave shqipe, prandaj në këtë vlerësim ndihet menjëherë tharmi i shkrimtarit, çka përcillet përmes elegancës së leksikut.

Unë dhe Havaja ju falënderojmë me shpirt për vlerësimet tuaja dhe na gëzon zemra që virusin e keni përballuar me sukses. Paçi të mira dhe mbarësi në familje.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 12 shkurt 2022

Like

mich.maska
Feb 12, 2022

Urime te perzemerta Prof. dr. Eshref Ymerit per vepren e tij madhore. Urime dhe suksese mikut tim shpirteror te rinise e gjithe jetes time Kozma Gjergjit, me shume respekt, dhe konsiderate.

Myslim Maska, Athine.

Like
Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Feb 12, 2022
Replying to

I dashur Myslim,

Ju falënderoj me zemër dhe ju përcjell mirënjohen e thellë timen dhe të zonjës sime, Havasë, për urimin që ju buron nga shpirti, si shenjë fisnikërie dhe respekti të shqiptarit për shqiptarin.

Ju uroj shëndet dhe mbarësi familjare.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 12 shkurt 2022

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page