DITËLINDJE JUBILARE MBRESËLËNËSE
e Mjeshtrit të Madh Muharrem Gjoka – President i Ansamblit Artistik
“Hazis Ndreu”- “Nderi i Kombit
Nga HALIL RAMA
· Familja e madhe e emisionit "Nga njëra ndeshje në tjetrën" në këtë takim mbresëlënës me rastin e përfundimit të sezonit futbollistik, dhe veçanërisht Muharrem Gjoka e djemtë e tij, përjetuan emocione që do t'ju mbeten gjatë në memorie...
Defrim Methasani, ndër moderatorët më të mirë në rang kombëtar të eventeve - ikonë e gazetarisë sportive dhe dokumentarit televiziv, të shtunën e 17 qershorit 2023, bëri një "përjashtim" nga përditshmëria e tij, duke bashkuar dy ngjarje në një event: 80 vjetorin e ditëlindjes të mikut tonë të ngushtë Muharrem Gjoka - Mjeshtër i Madh, Qytetar Nderi i Qarkut Dibër dhe Nënkryetar i OBVL, si dhe takimin përmbyllës të sezonit "Nga njëra ndeshje në tjetrën" me komentatorët sportive të rretheve. Ndërsa këta të fundit, sëbashku me kolegen e talentuar Erga Kruja (Kënga) i vlerësoi me Medalje e mirënjohje, për "Burrin e Dibrës" Muharrem Gjoka (siç e kemi pagëzua prej vitesh, si mishërurs dhe përçues i urtësisë e mençurisë dibrane), në praninë e tre djemve të tij të mrekullueshëm: Lutfiut, Edit e Gentit, bëri surprizën e radhës, duke i dhuruar simbolin e Mjeshtrit dhe tortën me foton më të mirë të tij. Me këtë rast, në emër të Kryesisë së OBVL (Org.Bashkuar të Veteranëve të LANÇ) i dorëzova Z.Muharrem Gjoka Çertifikatën për dhënien e titullit "NDERI I FEDERATËS SHQIPTARE TË VETERANËVE TË LANÇ" (Në 80-vjetorin e ditëlindjes së tij) me motivacionin: "Drejtues me aftësi e përkushtim të rrallë i OBVL, për kontributin në konsolidimin e strukturave të saj, mishërues dhe përçues i vlerave më të mira njerëzore dhe intelektuale".
Zall – Dardha, Dibrës dhe madje gjithë Shqipërisë i ka dhënë kulturën dhe artin, duke e furnizuar me artistë, këngë e valle. Të shumtë janë artistët nga Zall Dardha të njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht. Muharrem Gjoka është njëri prej tyre, i cili vjen në 80 vjetorin e ditëlindjes (këtë 16 qershor) me bukuri të rrallë fizike e shpirtërore, (si edhe në moshën e tij rinore), i përmbushur në të gjitha aspektet e jetës si askush tjetër; me memorien e freskinë e mendimit e të veprimit, me një familje shembullore dhe me miq e shokë të shumtë nga e gjithë Shqipëria, Kosova e hapësira mbarëshqiptare në botë.
Ai ka kontributin e tij të spikatur në krijimin dhe drejtimin artistik të Ansamblit ‘Hazis Ndreu’ – “Nderi i Kombit”, si president i këtij amsambli prej më se një dekade. Duke evidentuar dhe vlerësuar talentet krijuese e interpretuese si dhe veprimtarinë e shumanshme organizative, ai i ka shërbyer lartësimit të folklorit, etnografisë, valleve dhe kulturës popullore shqiptare dhe veçanërisht, asaj dibrane.
Të nderosh artin dhe njerëzit, që e krijojnë atë, që kontribuojnë kaq shumë, është jo vetëm një detyrë, por edhe një kënaqësi e veçantë. Folklorin, këngën dhe vallen, Dibra i ka në genet e saj, siç ka patriotizmin dhe besnikërinë ndaj Atdheut. Ndaj dhe Muharrem Gjoka nuk rresht për t’i promovuar këto vlera.
Urime të përzemërta mori Z.Gjoka edhe nga miqtë e tij komentatorë në emisionin e Radio Tirana "Nga njëra ndeshje në tjetrën", Rrok Preçi, Moisi Dalipi, Bashkim Tufa, Martin Dedaj, nga kampioni i volejbollit dhe drejtues i strukturave të larta të Sportit Leonard Tase, ish-këshilltar i Presidentit të RSH Ilir Meta, nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Universale të Paqes, Shqipëri Z Gani Rroshi, etj...
Jo rastësisht Defrim Methasani kishte përzgjedhur lokalin "ERDEN", pak kilometra nga ku nis rruga e vjetër Elbasan-Tiranë, por sepse këtu gjithshka është mrekulli, jo vetëm gatimet "bio" e shërbimi mjaftë i kulturuar, por edhe sepse ky lokal rrëzë një kodre me ullinj ngjan si ballkon i Elbasanit, me bukuri magjepëse. Ndaj, këtu, familja e madhe e emisionit "Nga njëra ndeshje në tjetrën" në këtë takim mbresëlënës me rastin e përfundimit të sezonit futbollistik, dhe veçanërisht Muharrem Gjoka e djemtë e tij, përjetuan emocione që do t'ju mbeten gjatë në memorie...
Comments