
SI NJË ËNDËRR DIMRI
-cikël me poezi –
NGA PANAJOT BOLI
E TRET BEFAS GJUMIN
Vonë është dhe nata dremit e përgjumur
Heshtja e vetmuar mes territ ka humbur
Lumi i lodhur mbeshtet kokën në breg
Gridavecja erë i thyen bajames një degë
Ç’ka ky gjumë qe te jasteku të rri zgjuar
Në mbreterinë heshtje,shpirtin të ka trazuar?
Edhe mes tiktakeve të zemres ka një pushim
Mister të çuditshem e quajnë këtë harrim.
Ç’ka kjo puthje e larget qe erdhi e paftuar
Në mbreterinë heshtje,shpirtin të ka trazuar?
Në këtë pauzë vjen ajo e malluar, e bulëzuar
Dhe e tret befas gjumin në një pikë të lotuar
MË NDJEK AJO...
Më hodhi krahun vetmia,fjalë të ngatërruar më thotë
Tinëz më ngjeshet për dashuri, e shtyj, s’e duroj dot
I lyp malit një grusht kurajo, ai,çudi, u krrus,u mplak
I them luginës të më qetoj shpirtin,s’behet hiç merak
I shkoj pranë thellëzës, të më zbusë zemrën me këngë
Më kthen edhe ajo krahët, iken e heshtur tutje në breg
Të shtrihem te bari i lendinës, sytë e mikes të kundroj
Po edhe ky ç’pati qe ankohet? Edhe atë po e lëndoj/?
Si u kërrus keshtu mali im? Po lugina si s’ma vari fare?
Po e dashura ime e bukur thellëzë qe më rrinte në dritare?
Oh, zot, prapa më ndjek vetmia,- prit, të dua or i uruar-
Shtrigë e natës,flokë pa krehur, me sy të zgurdhulluar
MBREMJE PA MGJYRË
Malet përkunden si fëmijë fshatin tim e ranë për gjumë
Mbeshteten kryet në horizontin e murmë e mbyllën sytë
Lanë dritën e mëkur të henës të endet si qyqe e vetmuar
S‘i thanë as fushës ‘ natën e mirë’qe e mbyti kolla në fyt.
Kaposhi im kapadai i vuri pulat para, sa fshehu kokën dielli
U zgjua Baloja e i nxehur i leh errësirës qe i prishi rehatinë
Gervishi heshtjen një kanate dritare qe u permend papritur
Dhe mbremja e athët pa ngjyrë, nxiton të futet në karantinë
QETËSI E TRISHTË...
Baloja im sot në mengjes ishte pa qejf, terë turi
I lehu me inat gjelit qe këndonte me zë të çjerrë
U struk në qoshe të oborrit i mbledhur kutullaç
S’bëzani për gjethet e marra qe i kërkonin sherr
Porta e plakur fërkonte sytë nga hiri i mengjesit
Hardhinë e zbuluar lakuriq, cikmat e thumbonin
Manxurana në dritare nanuritej akoma në gjumë
Mbi stolin të ulur,dy gjethe të verdha kuvendonin
MES HIRIT...
Shtruar kuvendojnë gjuhët e flakës sonte me drutë në oxhak
Terë epsh i lepijnë,me magji i kthejnë në prush,në zëmër gjak
Jashtë era rrugaçe shamaton keq, me veten e saj grindet,zihet
Ti le librin për një çast, kotesh për gjumë, sa shumë të flihet
Gjuhët e flakës ikin fshehurazi, ç’të bëjnë,e mbaruan kuvendin
Prushin e kuq me goksin përvelim, me fije të trasha hiri e endin
Si qenka keshtu? Të vjen çudi, ky dru i thatë nga pylli pa shpirt
Të bëhet papritur me zëmër te kuqe,shpirtin e tij e kthen në dritë
Ç’lloj druri ishte atë natë të kthjellët veshtrimi yt qe nuk m’u nda
Ç’mrekulli bëri ky Prometeu i çuditshëm, me zjarrin qe më dha?
Rreth zjarrit bubulak hodhi valle lumturia ,e ngazellyer harboi
Si ndodhi qe një ditë,ah, ajo u shua, me jorganin e hirit e mbuloi.
E hutuar ti hap dritaren,era kaq priste, u fut brenda me rrembim
Hodhi tutje jorganin e hirit, një thengjill zbuloi,ai ndriti, flakërim
Sollën në krah kujtësën, ato sy erdhen aty, u ndezën si ky thengill
Ca pika loti ranë mbi hirin dhe shkëndijuan mbi të ,si vesa në prill
SI NJË ËNDËRR DIMRI...
-ish ditë e shtunë,janari, kur linda-
Me të qara një të shtunë janari, aty në të gdhirë
I ndrojtur trokita në një derë qe i thoshnin jetë
Me sytë e mbyllur tundja duart i zenë në panik
Ca dallgë dhembëbardhë,ah, më zhytnin në det
Dita ishte e kthjellët me thellim,nëna më thoshte
Dielli kishte mardhur dhe buzeqeshte i menduar
Pulëbardhat seç i thoshnin ngadalë në vesh detit
Aman,lyej me kaltërsinë tende,sytë e tij të shkruar
Në derën gjysëm të hapur, pashë detin e egërsuar
Me shkembinjtë zihej keq e nga inati shkumonte
Era e pameshirshme më shtyu mbi dallgët mizore
Lebetitem në shpinë të tij,qe si mushkë turfullonte
Kercet dhëmbët janari e buzët nxihen nga të ftohtit
Dallgët e marrosura më marrin mendtë hopa- hopa
Qeshin, tallen e kënaqen qe unë dridhem e cfilitem
Më plasin në breg,më ngjitin në maja,pastaj në gropa
Një ditë ky det më nxori në breg të luaj me diellin
Me dha sapun dhe krehër, të jem e bukura Gerzheta
Më ngjiti ca krahë të bardhë, të jem pulëbardhë e tij
Ulet pastaj befas në prehër e më thotë: Unë jam jeta.
Ndofta një ditë janari mund të iki,e shtunë le të jetë
Të shkel mbi borën e ngrirë, të vij tek ti të pershendes
Të lë një grusht me gjurmë, si pluhur i shkrifet i artë
Të behet shpirti, lule,me ngjyrat qe ka vesa në mengjes.
Comentários