MBRËMË THASHË...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 19, 2022
- 4 min read

POEZI NGA PANAJOT BOLI
VONOJNË DALLENDYSHET
1. VONOJNË DALLËNDYSHET...
Me shpirtin që më dridhet
Hap dritaren ndaj të gdhirë të çdo dite
Me sy kërkoj të shoh dallëndyshet
Ca suva nga foleja në cep të çatisë
Ka filluar të shkërmoqet nga pak
E bie i malluar
Prapë sot nuk erdhën dallëndyshet
Ankth rritet si stalagmide
I ngurosur, i hidhur ...
Dallëndyshet vonohen të më sjellin pranverën
Diku larg dëgjohen bubullimat e luftës
Dhe unë ndjej thëllim
Ndofta...ndofta e kanë plagosur pranverën
Dhe dallëndyshet janë lodhur
Duke e mbartur në krah
Dallendyshet vonojnë ,lëmsh më behet ankthi
Gjëmimet janë shumë afër ...
... Për pranverën dridhem ...
2. KOHA GRI
Unë nuk do të hesht, prapë diellin do ta pyes
Paçka se ai s’më kthen përgjigje e rri si i mpirë
Fytyra i është zbehur e nga sytë marazi i loton
Pranverës i kërkoi ndjesë:jam pa qejf moj e mirë.
Unë nuk do të hesht, prapë diellin do ta pyes
Paçka se ai s’më kthen përgjigje e rri si i mpirë
Nuk ngroh aq shumë shpirti yt, pa më thuaj pse?
Buzëqeshjen pranverës ia rrudhe me lule të ngrirë
Unë nuk do të hesht, prapë diellin do ta pyes
Paçka se ai s’më kthen përgjigje e rri si i mpirë
Hej dreq, ne e shamë diellin, e ofenduam shumë
Pranverën e sperkatëm me pika urrejtje vranësirë.
3. KY DREQ MUZG...
Muzgu m’u afrua dhe dorën më hedh në qafë
Si mik i vjetër më josh, i pandrojtur buzëqesh
Jargët i varen në buzë, zgjatet të më përqafojë
Sillet sikur s’ka ndodhur gjë, harmoni mes nesh
Ky që më vodhi diellin,tani na hiqet si i pafaj
Ky që më rrëmbeu dritën, tani qesh në errësirë
Ky që më mbylli kapakët e syve,tani po gërhet
Ky që tymos udhën time, më shtyn në humbëtirë
Si dado fantazmë më nanurit me vaje kukuvajke
Një çarçaf korbi të mbulohem më hodhi në gjumë
Del uji kristal i Bistricës sime nga muzgu i tunelit
Më zgjon me stërkala: bëhu dhe ti si unë, dritë, lumë
Këtë dreq muzg e shtyj me neveri tutje, me mundim
Thërras hënën time e sytë laj me ujin blu të lumit tim
4. PAS SHIUT...
U ngatëruan keq leshrat e shiut
Nga vallja maramendëse u deh
Ndali te pellgu me sy të trazuar
I thotë erës : të lutem m’i kreh
Po era çapaçule i trazoi më keq
Nga inati ai qau e zbrazi një det
I lagu gëzimin ditës me melankoli
Xheloze,fytyrën ia zhgaraviti krejt
Dita e urtë s’bëzani, iu lut diellit
Dhe ai të dyja me berryl i shtiu
I përkedheli sytë me shumë dritë
I dha edhe ca shkelqim nga shiu
5. MBRËMË THASHË...
Mbrëmë thashë të kuvendoja me qiellin...
Në sallonin e madh të Mbretërisë Qiellore ishin ulur yjet
Më ftuan të kërcejë para tyre
Vallen e Zalogut
Mbrëmë thashë të kuvendoja me qiellin...
Hëna më dha një shami të verdhë që ndriste si mëndafshi
Të mbuloja fytyrën e shpresës
E buzëqeshi pakëz
Mbrëmë thashë të kuvendoja me qiellin...
I thashë se unë po prisja mes të ftohtit në Lëndinën e Lotëve
Nga ku nisnim të shtrenjtët tanë
Ai, portën të më tregonte
Mbrëmë thashë të kuvendoja me qiellin...
E binda të më tregojë shkallët për në portën e Mbretërisë
Po si Orfeu ktheva kokën pas
Dhe humba në tunel
Mbremë thashë të kuvendoja me qiellin...
Si Orfeu ngela i zhgenjyer në llahtarën e humbëtirës
Me misterin varur në terr
E yjet të gajasen
6. NGA DRITARJA, TI, KUNDRON...
Nga dritarja, ti, kundron ...
Një flutur e një bletë
Me lulet e pjeshkës bëjnë dashuri
Njëra i merr ngjyrat
Tjetra aromën në gji.
Nga dritarja, ti, kundron...
Flutura çmendet pas ngjyrave
Krahët me to nis të pikturojë
Nxiton bleta te laboratori i saj
Aromën dehëse ta ëmbëlsojë
Nga dritarja, ti, kundron
Përgjumësh mes një buzëqeshjeje
E sytë e malluar picëron
Ah, ato buzë si lulet e pjeshkës
Në xhamin e dritarës vizaton
7.FLERT DASHURIE I QYTETIT TIM
Takimin e lashë për sonte, kur ti, flert dashurie me detin bën
Të vi dhe unë me yjet, të ledhatojmë valët se pulëbardhat flenë
Symbyllur t’ju puthim gushat, se na verbojnë varëset që i fale ti
Të rrimë e të vështrojmë unë me yjet, si nuk ngopeni në dashuri.
Hëna ime s’duk sonte u bë xheloze, në ç’galaktikë u fsheh vallë?
Qeshin valët, na marrin hopa e na nanurisin si fëmijë, me mall
Pastaj... pastaj u zhytemi edhe ne, zbresim poashtë larg në thellësi
Atje na presin nimfat Neraida, në pjata na servirin, një copë magji
8.HIENAT DHE DETI IM
Vërtiten frikshëm hienat
Në brigjet e detit tim
Me ca dryna të medha
Të ndryshkura, të rënda
Si ato të kështjellave të lashta.
Dhëmbët zbardhin në errësirë
Duke tundur çeqe dollarësh në duar
Buzëmbrëmjen e shastisën, e trembin me lehje
E sytë u xixëllojnë
Si të dhelprave.
Hiena kurrizdala me cfurqe
Mbyllin monopatet të zbres në detin tim
E joshin me shkëlqime dritash
E ftojnë në lokale luksi ku harbohet si prostitutë
Paraja e ‘dashurisë’
Hienat bënë padi në gjykatë
Se disa të çmendur u prekin detin e tyre
Dhe guxojnë të afrohen brigjeve të tij
Gjykatësi Mashtrim, u dha të derejtë
Deti dhe bregu janë të hienave.
Të mirët e mi, respektoni vendimin e gjykatës
Mos u afroni bregdetit,
Pa le detit, mos guxoni
Kthetra e hienave do t’iu gërvishin
Kthetrat e hienave do t’iu çjerrin
Si të vij tek ty, deti im?
Hienat të përdhunojnë, shfryjnë epshin mbi ty
Unë… grushtin gjakos mbi heshtjen
E dhembja gjen një shteg
Gjer tek ty të vijë…
9. NETET E SARANDËS
Me çelsin e parajsës në dorë
Saranda ime
Edhe sonte me hapi portën
Kalova litarin e Purgatorit
Pa frikë.
Më pritën Zanat
Me bukurinë varur si gjerdan në gjoks
E me fustane drite
Të bardha... të bardha
Mes dritash u bëra dritë
Në breg u përqafova me valët
E kënduam se bashku
Me ritmin e tyre
Valsin e Princit Jon.
Erdhi dhe vajza e valëve
Tërë epsh
Me të puthura
Çmendi xhelozen natë
Saranda ime
Me çelsin e parajsës në dorë
Më pret
Edhe unë përkulem
I puth duart
10.PEIZAZH…
Dielli me shkeli syrin
Është larg...tutje në thellësi
Tashmë kalon kufirin
Det-horizont
Si dado i mirë
I hedh një çarçaf të kuqëremtë
Kurrizit të detit
Mos ftohët natën .
Pa u nxirë qielli
Bie borë shumëngjyrëshe
Me flutura të bardha
Blu
Jeshile
Të verdha
Ngecin të varura
Në flokët kaçurrela të Sarandës
Si xixëllonja..
Dhe si zogj.
Me ca sy që shkëndijojnë
Me ngjyrat e vesës së mëngjesit
Muzgu stepet
Në hyrje te qytetit
11. DIKU,NE. BREG. TE DETIT
Muzgut i kërkova pak vend, aty në breg të detit
Ç'më trazove shpirtin vezullim , mes zhurmës dhe rëmetit?
Më ike edhe ti lumturi fshehurazi, më le vetëm në një skutë
Pëshpëris: Ti shkëlqim pse je hipokrit? -qetësohu, shpirti m'u lut
Tek valët që luanin me dritën, një çift nxirrte selfe në këmbë
Vajza e tyre grindej se nuk zinte yjet në ujë, shpërblimi?-një pëllëmbë
.
Të lumtur..shih sa bukur!!!!....deti i shihte me zemërim
Ata syëe te celulari,prapa....vajza qante me ngashërim..
12. NE PALLATIN TIM
Kërcet dera e gjitones...
Trupvogla,fisnikja Lume
Me një xhezve në dorë...
Një zë i brishtë, si pëshpëritje…
Mos zgjon pallatin…
-Eleni....Eleni....
Ca hapa si fëshfërima
Një zonjë e rëndë buzëqesh në shkallë
Me një libër nën sqetull
Pasdite
E stisën rezidencën e kafesë
Me karrige portative
Me filxhan mbi mermerin e korridorit
Në katin e tretë..
.
Erdhi dhe Lili
Me diçka mbështjellë në dorë
Mos e sheh njeri....
Të tria L-ite rrufisin kafen
Me ëndje
E mbledhin copa kujtimesh.
Diku,...të mjegullta në horizont
Pastaj qepin
Ballomat e monotonisë së ditës
Me një zë te mekur.
Pasdite...
Në rezidencën kafe të katit të tretë
Tre zonjat tresin shikimin të përhumbura
E qytetin zilepsin qe ndërron rroba
Si një vajzë nazike
Tri herë ditën...









Comments