XHAHID BUSHATI
"Mbrëmë e putha Lirinë”
Shënime për librin “Mbrëmë e putha Lirinë” (krijimtari e plotë letrare) të poetit Alush Canaj. Redaktor: Nazmi Rrahmani. E përgatiti për botim: poeti Avdush Canaj. E botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë, 2018. 1. Poetit të talentuar Alush Canaj ia ndërprenë jetën e pranvertë, poezinë e shpirtit, ëndërrimet rinore, Për të mos jetuar, çdo gjë ia prenë hienat dhe xhelatët e zinj. Ata nuk e donin pranverën… Poeti ishte vetë pranvera… që buiste e lulëzonte. Në historinë e letrave shqipe për fëmijë poeti i talentuar Alush Canaj mbeti krijues tragjik por i shndërruar në një dallëndyshe lirie. Ashtu siç mbeti tragjik edhe shkrimtari Ymer Elshani. Edhe ai u shndërrua në nje dallëndyshe lirije. Alushi u rrit me lirinë, e dashuroi atë, sakrifikoi edhe jetën për të, ndjeu hapësirat e saj… Ai e puthi lirinë dhe u kthye në një monument lirije për të qenë i përjetshëm. Alushi e donte Kosovën. Ndjente në zemër plagët e saj, lotët, thirrjet e lokeve e dadave, dhimbjet e burrave… Alushi e donte tokën e Kosovës. Përulej dhe e puthte pandërprerë.… Edhe në përjetësi e puth. Ai, në fakt, puth Lirinë!.. Në tekstin e tij, autori Ragip Ramaj do të shkruante: “Diku në fund të viteve të gjashtëdhjeta e në fillim të atyre të shtatëdhjeta, qarqet letrare, të kohës dhe ne që po bënim hapat e parë në krijimtari letrare, kishim vërejtur se në qiellin letrar po lindte një yll, një yll që fatkeqësisht do të shuhej që në shkëlqimin e tij të parë, që në agun e jetës së tij prej poeti e shkrimtari. Ky yll quhej Alush Canaj, i cili me krijimet e tij poetike e artistike (vjersha, tregime e vizatime), që i botonte aso kohe në revista e gazeta (“Piionieri”, “Gëzimi”, “Fatosi”, “Flaka e vëllazërimit”, “Shkëndeti” e “Zëri i rinisë”), sikur imponohej bindshëm, jo vetëm para lexuesve, por edhe para elitës letrare.” 2. Poeti dhe Koha. Gjithmonë në leximet, hulumtimet dhe shqyrtimet e mia mundohem ta evidentoi këtë dialog. Si është i ndërtuar ai? Për çfarë hapësirash dhe gjurmësh flasin, e anasjelltas? Po vetë poeti, në këtë marrëdhënie, si flet për lirinë, për jetën dhe pasvdekjes së tij; si për ardhmërinë dhe përjetësinë? Si ato yjet e parë që shfaqen në një qiell të kaltër që e lumturojnë atë, duken dhe i gjejmë që në librin e parë më titull “Vals veror” (1992). Yjet shumohen dhe i falin dritësi jo vetëm qiellit dhe por edhe agut të mëngjesit, shfaqin madhështinë e tyre yjësore , kësaj radhe me librin e plotë “Mbrëmë e putha Lirinë”. 3. Libri “Mbrëmë e putha Lirinë” shpërfaq dimensionin e plotë jetësor e artistik, ndjenjat delikate e të manushaqta, këndvështrimet e befta dhe interesante, figuracionin e pasur… të poetit të talentuar të viteve ’70, Alush Canaj. Libri në fjalë është i konceptuar dhe i strukturuar në gjashtë cikle me vjersha (“Në krahët e erës”, “Do të shkoj tek ylli”, Nënkresa më e mirë”, “Dashuria e nënës do t’i vrasë”, “Ty të dua” dhe “Shqiponja e maleve”, poezi për të rritur). Po ndalemi te disa disa përftesa, që frymëzimi fatlum i autorit na i ka dhuruar me mjeshtëri. -Krahët e erës – koncepti i fluturimit. – Do të shkoj tek ylli – përsëri koncepti i udhëtimit, por edhe i dritës, i ndriçimit, i pavdekësisë dhe i përjetësisë. – Shqiponja e maleve – përsëri koncepti i fluturimit (epizmi), por edhe i hapësirave ëndërrimtare e jetike, tokësore e njerëzore. -Ndërsa nga libri “Vals veror”, i botuar më parë, sikur i kanë paraprirë, si udhërrëfim këtyre përftesa që shfaqen në librin e dytë. U janë bashkuar. Ka rritur dimensionin e yjeve dhe të qiellit. * “Valsi veror” përcjell begatinë e një stine përmes hyjnisë së muzikës., * “Treni i fëmijëve” – koncepti i ecjes, i rendjes, i shpalosjes së një bote të bukur me sy ardhmërie. Do të thonim “minerali më i çmueshëm” për Kosovën, “mineral” jetese, mbijetese, ekzistence, historie e kujtese që s’duhet harruar.; “Po e ndiej” – është koncepti etik dhe estetik, do të thosha kodi i botës plot pasione e ëndërrimtare të Alushit. Të gjitha këto janë reflekse të motiveve poetike dhe jetësore, të bashkëlidhura, të bashkëngjizura në krijimet e tij. Ky monobllok është një risi, që jo shpesh e gjejmë në letrat tona shqipe për fëmijë e të rinj. Dhe, sipas mendimit tim, ky është tipari themelor i krijimtarisë së Alushit, i cili është shprehur dhe gjen përligjjen në plotërinë e saj, në titullin “Mbrëmë e putha Lirinë”. 4. Në vazhdim të portretit të librit, edhe si ide, koncept e metodikë; do të ndalemi tek proza e autorit. Cikli i tregimeve “Zemërarta”, të cilat paraqesin një rrafsh tjetër të rrëfimit të Alushit, rrëfim me ndjesi, psikologji dhe botë fëmijësh. Në pikëpamje të tematikës së lëvruar, mendoj që Alushi ecën dinjitetshëm në udhën e etërve-shkrimtarë të Kosvës, me të njëjtin opus problemor, por që e pasuron dhe e thellon më tej, origjinalë në këndvështrim e përceptim, duke ruajtur statusin e individualitetit të tij. Ai po vinte për të pasuruar më tej polifoton e letërsisë që zhvillohej e në Kosovë. Alushi po vinte si gjeneratë premtuese, shumë premtuese. Por, ah!... Më pas vazhdojmë… “Fletëza ditari” (pjesë nga ditari i autorit). Ditarët në vetvete, duke u bazuar dhe në llojin e shkrimit, të rrëfimit dhe të komunikimit janë të disallojshme. Ditari i Alushit, ose më saktë autori ka preferuar “të shtampojë” botën e dridhshme, puhizore, plot ëndrra të moshës. Botë, që padyshim, referohet edhe si model. Ndaj për tiparet që mbart ditari, ai mbetet interesant dhe plotëson më tej portretin e autorit edhe në pikëpamje jo vetëm të shkrimit por edhe të kulturës së tij. Më pas janë dhe dy përkthime, si dhe disa vizatime e fotografi shkollore e familjare, të cilat shënjojnë ëndërrimet, talentin dhe kujtesën e familjes së nderuar Canaj, kujtesë që shndrit nga e purpurta dhe aroma e Lirisë. E, për ta përmbyllur këtë pjesë, po i rikthehemi vëllimit me poezi “Vals veror”, ku shndrit muzikaliteti dhe bukuritë e stinës verore, që gjithëherë janë ëndërrimtare më shumë se reale te Alushi, sepse çakenjtë e zinj, më të zinj se nata ia zezuan jetën poetit me moshë djaloshare. Për këtë libër, ështe e nevojshme t’i referohemi shkrimtarit Ragip Rama, i cili thotë: “ Vjershat e tij (është fjala për librin “Valsi veror”, - shënimi im Xh. B.) kanë thellësi mendimi, trajtojnë dhe prekin aspekte të jetës reale, por edhe shpesh i jep hapësirë e liri fantazisë, që në krijimtarinë për fëmijë, është shumë e rëndësishme dhe vargu poetik fuqizohet akoma më shumë.” 5. Libri “Mbrëmë e putha Lirinë” ka dhe një pasthënie, e cila është shkruar me kulturë, dashuri dhe dhimbje nga shoku i tij i klasës dhe i bankës në gjimnaz, nga shkrimtari Mehmetali Rexhepi. Nga shqyrtimet e Mehmetalisë, dua të citoj këtë fragment: “Alushi prore më shikon nga ndonjë kënd i qytetit… Më grish… Më grishin fragmentet e shkruara e të përshkruara të tija për t’i përmbushur… Lidhjet me Alush Canajn, edhe pse pas 40 vitesh, mbesin të pashkëputura… Gjurmët e hapave dhe bota e tij rinore përherë më dëftojnë Atë, materien e gjallë dhe shpirtin e tij… Ndoshta të shartuar në shpirtin tim?!..” Pas këtij momenti dhimbjeje, respekti e përjetësie, për ta plotësuar më tej portretin e shkrimtarit të talentuar Alush Canaj (ndonëse jemi në borxh të tij) po me përmend edhe disa detaje, si këto: - Alushi 13 vjeçar shkruan tregimin “Andrra”. - Alushi, tashmë më i rritur e “Mbështet kokën, shpirtin dhe botën e tij tek motivet patriotike dhe atdhetare”. Për shkrimtarin e talentuar Alush Canaj i kthyer në monument Lirije, zëri im, fjala ime dhe shpirti im i bëhen kurorë nderimi dhe lavdije.
Comments