top of page

Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive shqiptare


Mbledhjet e dy qeverive shqiptare-maska të mashtrimit patriotik

Nga Skënder Sadri KAPITI

Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive shqiptare, të Shqipërisë e të Kosovës janë vetëm fasada dhe mashtrime të mëdha kombëtare.

Ato janë thjesht vetëm simbolika që tashmë janë bërë bajate deri atje sa realisht duken si vizita reciproke sa për Week-End, për darka e dreka ndërqeveritare por që i serviren popullit si patriotizëm dhe atdhetari politike e pushteti.

Këto mbledhje nuk janë madje as dëshira dhe as ëndërra të qeverive shqiptare, por janë thjesht mashtrime e gënjeshtra kombëtare e publike, sa për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe për të justifikuar e maskuar dështimet, mosinteresimin dhe papërgjegjshmërinë kombëtare të kryeministrave shqiptarë dhe të qeverive të tyre të korruptruara dhe zullumqare me dukje e reklama patriotike.

Po ta shikosh me vëmendje, këto mbledhje të “përbashkëta” bëhet në periudhat kohore në të cilat kulmojnë dështimet e të dyja qeverive, pra ato mbahen pasi nuk kanë se me cfarë të merrren qeveritë shqiptare si dhe në përpjekje për t’ia larguar vëmëndjen publikut nga problematikat e medha që kanë sot dy shtetet shqiptare; bëhen edhe sa për të kaluar dhe shtyrë kohë.

Mjeshtri i këtyre mashtrimeve është Edi Rama, pas të cilit u rreshtuan dhe binden edhe servilët kryeministra të Kosovës, të cilët pa përjashtim mezi presin që të vijnë në Shqipëri e të takohen me qeveritarët e Tiranës, por edhe me drejtorët e Shqipërisë me qëllim për t’i shitur ato në publikun kosovar si patriotizma, ashtu sikurse edhe që kanë mbushur thasët edhe me fleta lavdërimi e dekorata të “fituara” e të akorduara për ta nga shtetarët, qeveritarët, kryebashkiakët e kryekomunarët e Shqipërisë.

Mezi presin të gjithë pushtetarët e Kosovës që të dalin në fotografi në tavolinën e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive në Tiranë, dhe për t’ua paraqitur ato në Kosovë publikut si patriotizëm fotografik e mediatik pasi vetëm kaq janë rezultatet dështake të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të të dy shteteve shqiptare.

Të dy qeveritë shqiptare i quajnë për trofe të arritjeve të tyre vizitoret dhe pushuesit kosovarë që vijnë e kalojnë pushimet verore në Shqipëri, në plazhet shqiptare dhe kjo është e vetmja “arritje “e sukses dhe “rezultat patrioti” i dy qeverive shqiptare deri më sot.

Arritjet “më të mëdha” të këtyre takimeve janë taksa e Rrugës së Kombit, dështimi i të dy shteteve shqiptare për njohje të reja të Kosovës, madje disa shtete edhe i kanë tërhequr njohjet.

Rezultat tjetër i bashkëpunimit ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë janë mospranimi i Kosovës në INTERPOL dhe as në UNESKO, është aprovimi nga KiE i amendamenteve anti-Kosovë të Serbisë , dhe tani ndoshta edhe Minishengeni i drejtuar nga Serbia dhe dalja e Serbisë në Adriatik përmes Shqipërisë. Këto janë disa nga arritjet e mbledhjeve të dy qeverive shqiptare , të ideuara e të imponuara nga Edi Rama.

34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page