top of page

Mbi tregimin “Yti, moj ti…”të autores Miranda Haxhia


Një tregim interesant


Mbi tregimin “Yti, moj ti…”të autores Miranda Haxhia


Dr Fatmir Terziu


Orteku i ardhur si një lëmsh i gatuar nga vitet shkakton plagë. Janë plagë të vrazhda, që herë tentojnë të shërrohen e herë lëndohen më shumë, teksa lexon tregimin “Yti, moj ti…”të autores Miranda Haxhia. Këto plagë që ridimensionohen në kohë, hapësirë dhe vend herë marrin forma të ngurta mes një ambienti të kushtëzuar nga pesëdhjetë vitet e jetës së personazhit kryesor në një barakë, ku rraskapitja dhe harresa janë një arsye për memorjen e strukur mes letrave të fshehura në një kuti këpucësh, por të gjitha me mall zemre e dashuri, kurrë të dërguara për Zenon. Janë plagë që fillojnë dhimbjet mes përskuqjes së diellit dhe të kuqërremtës së tij buzëmbrëmjeve. Janë ofshama që përshkulin leckat dhe pellgjet e shiut ndanë e midis barakës, por edhe përshpirtje mes luleve që rretthojnë atë barakë me një frymor në gjirin e saj. Me një frymor që gjen fuqi të copëtojë edhe bulat e rrëketë e shiut, edhe stuhitë e hitet e baltës me ato palë çizme gome që i qëndrojnë të gatshme në hyrjen e saj barake. Kështu duke na dhënë një dimension artistik tërheqës, Haxhia, udhëton ngeshëm në të tre aspektet filozofike dhe na jep jetën si arsye mes një situate që nuk ka si qëllim individin dhe individualen, por fatet e jetës së të tërës mes këtij individi në një periudhë kohe të tendosur të jetës së tij, në një rrethnajë të diktuar nga fate të shkruara e të pashkruara të jetës.

Është një lidhje artistike që vjen mes formash të mirëgjetura dhe figurash letrare për të bërë lidhjen mes rinisë dhe kohës në të cilën pasqyrohet personazhi, por edhe një këndvështrim real që kundrinohet mes të bukurës së mbrujtur në forma të ndryshme në shpirtin e njeriut. ‘E bukura e flokëve’ – thotë autorja ndodhet si një aspekt i harbuar i lidhur me praninë e flokëve të saj mes luleve. Dhe mes këtyre luleve është ajo lidhje që ‘dikton’ lidhjen e tij të hershme, lidhjen e karakterit Prengë me Zenon, vajzën së cilës ai i kërkoi të bëhej gruaja e tij e ardhshme. Dhe krejt natyrshëm. Krejt njerëzore, dialektike dhe mes normave të jetës duke parë se si autorja ngre fuqishëm: “Të lutem, ti do aq shumë lulet. Përse të mos duash edhe një njeri?” Udhëtimi i autores në vite duket origjinal për të shtjelluar këtë fat njerëzor. Është një udhëtim që rrjedh nga ‘postulati propagandë’ i ngushtimit të dallimit mes ‘fshatit të bukur socialist dhe qytetit’ dhe faktit të përbuzjes së fshatarit, injorimit të tij, refuzimit të identitetit të tij, riskimit të fatit të jetës…

Ai, pra Prenga i tregimit të Haxhisë, është një fshatar. Një fshatar që kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak në qytet. Dhe vetëm kaq. Vetëm kaq për të na dhënë një lidhje mes lulesh, për të zgjuar një dashuri të shprehur, por të vdekur që në shfaqje. Një dashuri që u mbyll në zarfa pa pullë e pa vulë postare. Një dashuri që jeton vetëm në mesin e luleve që Prenga mbjell, ujit e rrit mes kapërcimeve stinore të gjata, të largëta e të hirta për jetën e tij. Kështu nëpërmjet këtyre pak detajeve ‘të racionuara të autores’ ne gjejmë fatin e njeriut dhe pastaj shohim përbaltjen e jetës deri në strofkën e gatuar të gjysëmvarrit pesëdhjetëvjeçar, ku kjo përbaltje ende mbahet e dirsur në motivin e tregimit.

Tregim ka një motiv të thekun. Një motiv që gjen forcën e karakterit, por edhe mbytjen e ndjenjës mesa tij dallim tepër vrasës mes klasave, mes shtresave që fatet i lindnin në hapësira të ndryshme. Tregimi mes këtij motivi ndeshet me anë të tjera që e plotësojnë atë. Është nisja e punës në kooperativë, janë arsyet e humbjes së lidhjeve me vajzën, Zeno, mungesa e adresës, por edhe vendosmëria e tij për të mos dashuruar kurrë më. Ky është aspekti më tërheqës, aspekti që përcakton identitetin, memorjen dhe tërë lidhjen me qëndrueshmërinë e njeriut shqiptar, njeriut që pranon sfidën dhe sakrificën për hir të karakterit dhe jetikes në tërë aspektin e fortë e të qëndrueshëm të saj. Janë mjaft fjalë që përcaktojnë këtë mes gjetjeve të vetë autores. “Malli, largësia, brenga, mospasja, mungesa e deformojnë perceptimin dhe e shpërbëjnë imagjinatën sado e bukur të jetë ajo”- shkruan autorja e këtij tregimi duke plotësuar më pas lidhjen mes këtyre fjalëve ku faktor është vetë Zenoja që ‘u shpërnda si pollen lulesh’.

Autorja ka gjetur edhe një motiv tjetër, intimitetin dhe mostregimit të kësaj histori dashurinë askujt. Nëpërmjet gojëkyçjes që provokon autorja, natyrshëm nuk është thjesht qëllimi për të thënë se Prenga e mbajti sekretin, por një arsye më shumë për të kuptuar fuqinë e fatin e njeriut që përpos kyçjes së gojës kishte këtë fat dhe përpos hapjes e rrëfimit kishte fatin e një ‘moçali tjetër jetij’. Në këtë dilemë për jetën autorja ka ditur të kushtëzojë pa u zgjatur në rrëfimin e saj, duke pasqyruar dhe shfaqur një mesazh dhe një fabulë të prekshme e të dhimbshme. Jo më kot autorja gjen fjalët e pasqyrimit të vetmisë, mes mungësës dialektike të jetës, gruas: “Shtëpia do grua, moj ti! Pa gruan, më mirë të hyjë veriu dhe të përplasë katramanë furtuna. Rrebeshi më mirë të bëjë pellg shtratin tim kërcu. Pa grua. Pa ty, moj!”.


27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page