top of page

MBI ORIGJINËN E KËNGËS NGA VAJTIMI



Kur më 25 Nëntor 2005 u shpall vendimi i UNESCO për njohjen e iso-polifonisë shqiptare si kryevepër shpirtërore të njerëzimit dhe marrjen e saj në mbrojtje, ky lajm në popullin tonë u përjetua si çasti i daljes së nuses në valle. Nuk ishte nevoja që të shkreheshin pushkët në ajër, u shkrehën në këngë mijra shpirtëra artistësh popullorë dhe artdashësish.

Në këtë vorbull gëzimi të ligjshëm pakkush mendoi për rrugën e gjatë dhe të mundimëshme që kishte kaluar populli për rritjen e kësaj “nuseje”-këngë. Prindërit i harojnë mundimet e tyre ditën e bardhë të dasmës së bijave, por ne le ta hedhim shikimin qysh në fëmijërinë e kësaj “vajze”, teksa ajo hedh vallen e nusërisë në shesh të..artit.

I-Origjina dhe koha e lindjes e këngës sonë vënçe (polifonike me iso, iso-polifonike, shumëzërrëshe) nuk është provuar shkencërisht, por ndërsa për periudhën e lindjes së saj qysh në epokat parahomerike biem në një emërues të përbashkët, theksojmë se kënga jonë polifonike me iso është shqiptare, është me origjinë shqiptare (para-ilire), është vetëm shqiptare. Që kënga jonë është vetëm shqiptare dëshmohet nga fakti se asnjë popull nuk e ka këngën e tij polifonike me iso, madje as fqinjët tanë, tek të cilët kjo gjini kultivohet vetëm në trevat e banuara nga shqiptarët.

Kënga jonë polifonike me iso është element dallues i identitetit tonë në larminë e kombeve të botës, është pjesë e AND sonë, e cila trashëgohet nëpër breza dhe pavarësisht se mbajtësi i saj mund të emigrojë larg vendit: ajo zhvillohet në kushtet e qënies së familjes, qelizës shoqërore shqiptare. Kjo dëshmohet me ruajtjen dhe zhvillimin e këngës sonë polifonike me iso në vendet ku shqiptarët kanë emigruar familjarisht dhe kanë krijuar një komunitet, ndërsa shuhet në kushtet e emigrimit individual apo krijimit të familjes së përzzier me pjestarë të kombeve të tjera.

Origjina shqiptare e këngës sonë polifonike me iso dëshmohet dhe me faktin se kënga ka jetuar me të njëjtën strukture në gjithë krahinat e vendit tonë ku ajo lëvrohet, ka përhapje gjithë krahinat e Shqipërisë jugore, madje secila krahinë ka variantin e saj të këngës, që është “degë’ e të njëjtës “peme” kënge iso-polifonike. Ngjyrat e “mozaikut” të këngës polifonike me iso brenda një varianti janë të shumta, pasi çdo fshat ka stilin e vetë të të kënduarit, gjë që dëshmon se kënga është “produkt” i ambientit shoqëror shqiptar.

Tezat për kinse origjinën e jashtë-shqiptare të këngës, gjasme nga “sirenat greke” apo nga “muzika kishtare byzantine” provohen lehtësisht që janë të pa mbështetura shkencërisht, muzikalisht dhe kundërshtohern nga teoria e zhvillimit shoqëror. Veçse ne theksojmë se: sa të dëmëshme janë tezat e origjinës jo shqiptare të këngës “polifonike me iso”, po aq të dëmshme janë dhe përpjekjet për të mbajtur gjallë këto teza me kinse dëshminë se dikush “ka regjistruar në UNESCO këngën tonë vënçe si një këngë me origjinë nga “sirenat greke” apo “muzika kishtare bizantine ”, duke ndëshkuar padrejtësisht këngën tonë “polifonike me iso”.

Në lidhje me origjinën e lindjes së këngës sonë polifonike me iso, studiuesit etnomuzikologë ngurojnë të shprehen qartazi për arsyen e mungesës së provave që e dokumentojnë atë, prova që detyrimisht duhet ti përkasin një të kaluare të largët. Me këtë objektiv harrohen ose nuk “shihen” provat e gjalla që jeta na ve përpara çdo ditë, ashtu si një shëtitës nëpër pyll, ndërsa sodit i mahnitur lisat e lartë dhe të lashtë “harron” të shohë filizat e rinj, që të ndrojtur ngrenë shtatin përpjetë pranë këtyre lisave.

Në këtë drejtim, duke grumbulluar dhe studiuar një shumësi konkrete mënyre, arsyeje dhe rastesh të lindjes së këngëve të reja, të cilat fillimisht kanë qënë ligjërime mortore, vajtime nënash e motrash nëpër morte me grup vajtimor, ne guxojmë të ofrojmë tezën e origjinës së këngës sonë vënçe (polifonike me iso, iso-polifonike etj.) nga ritit mortor i vajtimit.

Teza e origjinës së këngës sonë piolifonike me iso nga ligjërimet mortore është pikërisht teza që i mbulon me një shpjegim llogjik të gjitha hapësirat e historisë së këngës sonë dhe nuk le shteg për hamendësime origjine të saj nga jashtë botës shpirtërore shqiptare. Është pikërisht kjo tezë që nuk le shteg për hamendësime origjine nga kinse “këngët e sirenave” apo “koret kishtare byzantine”, por gjithashtu nuk le shteg as për afrimin e kohë-lindjes dhe ngushtimin e hapësirë lindjes së saj në një trevë të vetme sa Labëria, tepër e ngushtë për këngën.

Sigurisht që dëshmi dokumentare nuk disponohen për arsye se kënga jonë polifonike me iso është art gojor që ka lindur në periudha që as mendohej egzistenca e shkrimit. Ajo nuk lindi si art, ajo lindi si nevojë për të përcjellë mesazhe në kohërat e mëpasme, dhe si e tillë ajo ka lënë disa gjurmë që duhet të dimë ti lexojmë.

Tezën e shndrimit të vajtimit në këngë e dëshmon më së miri kënga “Vajtimi i Ajkunës”, ku teksti i kësaj kënge, që është pjesë e eposit është në thelb një vajtim nëne në një epokë të caktuar, dhe që më kohët e mëvonëshme ky vajtim u shndrua e këndohej si këngë, madje si këngë erdhi dhe në kohën tonë.

Mendoj se përfshirja e këngës Vajtimi i Ajkunës (Ajkuna kjan Omerin) në ciklin “Këngët Kreshnike” më shumë se të kënduarit një këngë me tekst vajtimi i një nëne për të birin, pra shpalosja e dimensioneve të dhimbjes së një nëne për birin rënë në luftën për atdhe, kjo përfshirje e kësaj këngë në këtë cikël mbart mesazhin e shndrimit të vajtimit në këngë në artin gojor të popullit tonë. Me këtë rast, na duhet të zgjerojmë hapësirën gjeografike të trojeve ku ndodhi ky shndrim, pavarësisht se këngët e eposit njihen e trajtohen si këngë solo, pra një shkallë më e epërme e artit gojor. Kjo shpjegohet ( sipas meje) se kjo mënyrë e të kënduarit (solo e shoqëruar me lahutë) është më " moderne" në rraport me të kënduarit shumëzërësh, pavarësisht se te të kënduarit të eposit, në zgjatjen e zanoreve në fund të vargjeve dhe ajo thirrja "heeej " dëshmon për një atavizmë e iso-s.

Kënga e parë himariote polifonike me iso e dokumentuar është kënduar me valle në mbarimin e betejës së Torviollit të 29 qershorit 1444, ku luftëtarët himariotë pasi varrosën shokët e vrarë, kënduan me valle burrash këngën:’Demave të Shqipërisë/Su shpëton lop e Turqisë/ Ali pasha lopa plakë/ Po ta mbajti eja prapë”. Kjo këngë është publikuar te libri i Fane Veizit “Bregu i detit në këngë” ku janë shënuar dhe referencat.

II-Më sipër thamë që kënga polifonike me iso (iso-polifonia, kënga vençe) e ka origjinën nga ligjërimi vajtirmor. Natyrshëm lind pyetja:- ç’është ky ligjërim vajtimor, që lind perla të tilla artistike, të tilla që edhe frymëzimi i një muzikanti të talentuar, e ka shumë të vështirë t’i krijojë?

Në realitet kjo nuk është pyetja e vetme që bëhet me këtë rast. Shumë pyetje të tjera që e pasojnë, duan një përgjigje si:- Ç’janë vajtoret, autoret e kësaj kryevepre? Ç’janë zërat e vajtimit dhe si janë shndruar në zëra të këngës iso-polifonike... ? Pra, pyetjet janë të shumta dhe përgjigja për to nuk është kaq e lehtë, por për këtë besoj se do të na ndihmojë njohja dhe kontakti real gjatë jetës sonë me ligjërimet nëpër ksodhet, ku kemi marrë pjesë.

Kemi dëgjuar shumë të flitet për vajtoret, apo vajtojcat, për ligjërimet e tyre nëpër morte, aq të dhimbëshme dhe fine sa që shumë prej tyre kanë ngelur në kujtesën e popullit, jo vetëm të familjarëve. Madje jo vetëm vajtimet e tyre me ligje, ato vajtime që u dhanë fame, por për shkak të këtyre vajeve: edhe emrat e tyre kanë fituar një jetëgjatësi tej jetës njerëzore. Niveli i lartë artistik i këtyre ligjërimeve, qoftë si tekst, qoftë si linjë vajtimi si dhe prania e vajtoreve të njohura nëpër ksodhe në fshatra të ndryshme, ka krijuar legjendën e “vajtoreve profesioniste”. Këtë pseudo-legjendë e ka përforcuar edhe fakti i dhënies së ndonjë darove, dhuratë, këtyre vajtoreve, kur ato niseshin të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre pas mortit.

Teza mbi “profesionalizmin e vajtoreve”, sado e pafajëshme që të duket, jo vetëm që nuk i përgjigjet realitetit, por mbart në vetvete edhe rrezikun e shtrëmbërimit të origjinës së këngës sonë popullore shumëzërëshe, nga një këngë me burim ligjërimin mortor, në një këngë me burim profesionin e “vajtimit”, i cili në fakt nuk ka egzistuar dhe as që egziston. Duke e vlerësuar vajtimin si një “profesion”, i hiqet këngës kolektiviteti dhe anonimati me burim kolektivitetin dhe anonimatin e vajtimit, dhe i vihet këngës si autorësi një emër i përvetshëm njeriu me kinse “profesion vajtimi”.

Kënga jonë popullore nuk është produkt i një njeriu të vetëm apo i një grupi njerëzish të një epoke. Ajo, gjithashtu nuk është as produkt i një krahine, nuk është as produkt i një apo disa shekujve. Kënga jonë popullore iso-polifonike është produkt i një kombi, në të gjithë shtrirjen kohore të zhvillimit të tij shoqëror, madje laboratori krijues popullor vazhdon dhe sot, në kohët moderne funksionin e tij të përsosjes së këtij krijimi.

Ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se, kënga jonë vënçe (polifonike me iso, iso-polifopnike, shumëzërëshe) u bë pjesë e AND të etnitetit tonë kombëtar. Është i vetmi komb që krijoi një vlerë artistike nga një ceremonial mortor dhe ca më tepër, që vijon të përsosë këngën, këtë vlerë me burim arkaik.

III-Le të kthehemi te vajtoret, ato nuk janë profesioniste, sepse po të ishte kështu, numëri i tyre do ishte i kufizuar. Përkundër numërit të kufizuar të profesionistëve të çdo profesioni, vajtore nëpër morte janë gjithë gratë e pranishme, pavarësisht afërisë së tyre me të ndjerin apo aftësisë së tyre ligjëruese. Rolin e vajtores në mort e luan çdo grua, qoftë nëna e të ndjerit, motra, gruaja, tezja, halla, kushërira, etj, madje jo vetëm këto që kanë lidhje gjaku, por edhe fqinjët dhe bashkëfshataret bashkojnë vajin e tyre me atë të të afërmve, duke krijuar kështu një korr vajtoresh.

Askush nuk e qorton një vajtore pse s’i gjeti “mirë” fjalët për të ndjerin që iku, por ama të gjitha u hapin vend e rradhë vajtoreve të njohura, të cilat vijnë të shprehin dhimbjen e tyre nëpërmjet vajit. Nëse këto vajtore “të mira” dikush i quan profesioniste, gabohet. Askush s’i paguan ato për të vajtuar, askush si “mësoi“ ato të vajtojnë, askush s’i porosity: të “vajtojnë mirë”, se… “do shpërblehen”. Kjo dhe për faktin se, nqse një vajtore do ta ngrejë “la e më la” të ndjerin, do t’i veshë merita që s’i ka, s’ja përton vajtorja tjetër që të ja hedhë poshtë gjithë atë “kala” lëvdatash që i ngritën. “Mos e qaj la e më la / Po thuaj ato që ka/ Çoban me dhën e me dhi/ Nikoqir sa për shtëpi”, i ndërhyri në një vajtim një grua vajtores që po e “ngrinte” në qiell të vdekurin, me merita që s’i kishte.

Vajtimi mortor shqiptar është akt kolektiv, asnjëherë nënat shqiptare nuk vajtojnë vetëm. Nuk dihet si nisi akti i kolektivitetit në vajtim (arsye besoj se do jetë nevoja për tju ndodhur njeri-tjetrit pranë në fatkeqësi për të ndihmuar), por dëshmitë për këtë janë të herëshme , ato i gjejmë së pari te Plutarku në legjendën e Panit të Madh, lajmi i vdekjes së të cilit u dha në Butrint dhe menjëherë gjithë nimfat e liqenit nisën të vajtonin bashkë me zë të lartë. Po kështu edhe vajtimi i Ajkunës është vajtim kolektiv pasi me atë vajtuan edhe elementët e natyrës dhe zanat, vijojmë me vajtimin e Lekë Dukagjinit dhe gjithë ushtrisë shqiptare ditën e vdekjes së Gjergj Kastriotit, në Lezhë. Udhëtarët e huaj, nëpër Shqipëri kanë dokumentuar ceremonitë mortore të gjëmës, ku pjesmarrës aktivë janë, jo një por disa burra.

Këtu duhet të sqarojmë se rituali i vajtimit përfshin vajtimin me bot, me gjamë ku vajtimi i Skënderbeut ishte vajtim me gjamë. Vajtimi me gjamë kishte rregullat e tij ceremoniale, madje ai është përfshirë në Kanun me disa nene, gjë që tregon se ai ka egzistuar shumë kohë para hartimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe para vdekjes së Skënderbeut. Duke vajtuar Skënderbeun, Lekë Dukagjini nuk shpiku ndonjë rregull zakonor të ri, ai zbatoi kodin zakonor mortor të trashëguar nga të parët prej një kohe që nuk përcaktohet dot. Këtu përfshihet edhe vajtimi i burave, traditë egziston akoma në fshatrat e thella të Himarës, ku kemi qënë dhe vetë present, por për këtë temë do flasim më gjerë pak më von te ky shkrim.

Rituali mortor ka vajtimin me ligje të nënave dhe motrave, me tekst vajtimi (që ka formën e një vjershe), që kryhet me grup vajtoresh gra. Qysh në krye duhet të themi se tekstet vajtimore të grupeve të tilla mortore kanë një bukuri të zezë, të shndritëshme, rënqethëse që të mehin frymën. Lind pyetja: si i gjejnë vajtoret ato fjalë aqë të mrekullueshmë, aq fine dhe artistike sa që bëjnë dhe “gurin të dridhet” nga dhimbja që mbartin dhe bukuria e të shprehurit ? Në përgjigje ju themi: cila nënë nuk i gjen fjalët për birin apo bijën e saj, kur dihet që vaji del nga shpirti dhe jo nga goja. Nëna për të birin apo të bijën, motra për të vëllanë, për motrën apo vajza për babanë do t’i gjejë fjalët më të bukura që ka dëgjuar apo mësuar, sepse këto vargje burojnë nga shpirti dhe jo nga profesionalizmi. Shpirti i plagosur nga morti buron vargjet e famshme të ligjeve.

Pra, janë nënat e motrat ato që vajtojnë bijtë e bijat, vëllezërit e prindërit, qoftë në gjëma, qoftë në ligjërime, por dhe vajtimi ka disa rregulla, ka disa norma, nuk është një e qarë me ulërimë e me rrëmujë dhe aq e vate. Tonaliteti i vajtimit s’ka të bëjë shumë këtu, por edhe ai ngrihet e ulet sipas disa rregullave të pashkruara e gati të padukshme. Vajtorja kryesore, ato që ndërhyjnë apo ato që shoqërojnë vajtimin vetëm me rënkime, kanë një rradhë gati të caktuar ligjërimi, ndërhyrjeje apo shoqërimi.

Kjo ndoshta nuk dallohet nga kushdo, por po të jesh i pranishëm, psh. në të nëntat, në të dyzetat apo në ceremoninë mortore përkujtimore të vitit dhe ta krahasosh me vajtimet e ditëve të para dhe sidomos të ditës apo të momentit të varrimit, bie në sy dukshëm ndryshimi jo vetëm i tonalitetit. Ka më shumë “rregull”, respektim radhe, vëmendje ndaj të tjerëve, etj sa më e largët nga dita e vdekjes të jetë ligjërimi.

III-Nëpër ligjërime ka gjithmon një vajtore kryesore që udhëheq vajtimin. Ajo ligjëron tekstin dhe i jep tonalitetin vajtimit. Gratë e tjera e shoqërojnë me rënkime, pa i ndërhyrë në tekst apo në vaj.

E parë me vëmendje dhe në një kënd paralelizmi, vajtorja kryesore kryen një rol të ngjashëm me atë të marësit të këngës, ose më saktë duhet të themi se: këtu e ka origjinën e tij marësi i këngës. Ndryshimi është vetëm një: këtu kemi të bëjmë me vajtim, marësi ka të bëjë me të kënduar, veçse duhet të shtojmë se: të vajtuarit dhe të kënduarit janë nënë e bijë dhe jo dy kunata. Sigurisht që vajtorja e parë kryesore në një mort është nëna e të ndjerit, pastaj kur ajo lodhet e zvëndëson motra e tij e me radhë gratë e tjera, por gjithmon respektohet dhe u lihet vendi i ligjërueses së par “pa radhë” vajtoreve më me përvojë, ku përjashtim i bëhet gjithmon vetëm nënës së të ndjerit e cila “hyn” në vaj sa herë kur është në gjëndje psikologjike të vajtojë, gjithmon pasi mbaron një vajtore.

IV-Fillimisht ligjërimi mund të fillojë me disa rënkime dhe më pas nis vargëzimi i vajit nga vajtorja kryesore, i shoqëruar nga kori rënkues i vajoreve të tjera . Këto vajtore mundet që vetëm të rënkojnë me zë, me zanore të zgjatura ose zanore dhe bashkëtingëllore bashkë, të pëshpërisin vetëm një fjalë ritmikisht dhe melodikisht si, psh., “djalë, o djalë, o djalë” dhe mbi këtë det rënkimesh e lotësh ecën anija e tekstit të vajtimit.

Tonaliteti i rënkimeve gjithmonë është më i ulët se tonaliteti i vajtores kryesore, asaj që citon vargjet dhe që ne mendojmë se ajo përfaqëson marrësin e këngës.

Siç thamë, rënkimi mbahet nga gratë e tjera rreth vajtores kryesore dhe të ky rënkim është fillesa e origjinës së “iso-s” ku gratë rreth vajtores kryesore janë fillesa e grupit që mban iso.

V-Gjithmon vajtorja kryesore ka gjithnjë pranë një grua me përvojë, një vajtore të sprovuar nëpër situata të tilla, përvoja e të cilës është shumë e vlefshme. Ajo, duke qenë pranë vajtores kryesore, pret sa kjo mbaron ligjërimin e vargut të vajit dhe: sikur të jetë vazhdim i të parës, apo më saktë sikur ka dalë aty të presë vargjet e vajit, ndërhyn (pikërisht në momentin e mbarimit të vargut) me rënkimet e saj grykore, sikur e merr stafetën për ta përcjellë te rënkimet e grave. Ky rënkim i saj ka pak a shumë formën e një “hë-khë ë ë” ose fjalë si: “djalë, o djalë, o derëziu djalë”. Pikërisht, ndërhyrja e kësaj vajtoreje në ndihmë të vajtores kryesore me fjalët që përmendëm më lart ose me psherëtimat, pra kjo ndërhyrje si për ta marrë e për ta përcjellë dhimbjen te ’’rënkueset”, i jep kohë, qoftë edhe një fraksion sekonde, vajtores kryesore për “të marrë frymë”.

Te ky zë vajtimi e ka fillesën “kthyesi” i këngës sonë dhe realisht: kthyesi në këngën vënçe nuk bën asgjë më shumë se sa kjo grua pranë vajtores kryesore.

Ndaj në grupet folklorike kthyesi është gjithmonë një këngëtar me një përvojë të madhe, sepse duhet të llogarisë mirë momentin e ndërhyrjes së tij, tonalitetin e ndërhyrjes dhe zgjatjen e ndërhyrjes.

VI-Shpesh vajtorja kryesore, qoftë nga dhimbja, nga vajtimi i gjatë, madje edhe nga vetë teksti i vajit të saj, kalon në një gjendje ngashërimi të thellë dhe që mund të jetë me pasoja. Ajo detyrimisht ka nevojë për tu spostuar pak, për të bërë një “pushim të detyruar”, sado të vogël. Pavarësisht kësaj, ajo ka nevojë shpirtërore që të mos ulet ritmi dhe tonaliteti i vajit, të cilën do ta vazhdojë përsëri me ripërsëritje vargu. Vargu u ligjërua, “kthyesja” e përcolli te grupi i “isos”, grupi i “isos” e mbajti vargun.

Pikërisht në këtë moment një grua tjetër ndërhyn me tonalitet të lartë, që i bën të dridhen të tërë kur ulërin me fjalët: “korba djalo o o”, ose “ditëprera vashëzo o o o”, ose “Vu u u, ç’na bëre, djalo o o”, etj duke e zgjatur zanoren e fundit dhe ngritur tonalitetin. Atëherë të gjitha gratë ngrenë tonin e vajit, që nga vajtorja kryesore, e cila ripërsërit vargun ose vijon me një varg të ri ashtu dhe mbajtëset e “isos”, që janë të gjitha gratë e pranishme në vajtim.

Te ky zë vajtimi është fillesa e zërit të hedhësit të këngës, që në variante të ndryshme të këngës iso-polifonike si piluriote, himariote, “çamçe” myzeqarçe, skraparjotshe, etj., paraqitet me stilt ë ndryshëm, por gjithsesi është i pranishëm.

VII-Te këta zëra vajtimi e kanë origjinën zërat e këngës dhe vetë kënga është shndrimi i ligjërimit mortor në këngë. Duke parë me vëmëndje tekstet e vajtimeve të kohëve dhe fshatrave të ndryshme të Bregdetit dhe Labërisë (të cilat i kemi marrë në studim), gati 80% e tyre janë shndruar në këngë. Këngët e nizamëve dhe të kurbetit janë së pari tekste vajtimi, kënga “Moj e bukura More” është tekst dhe melodi që rrjedh në shtrat vajtimi. A e kini vënë re që tekstet e ligjërimeve të të vrarëve në vitin e mbrapshtë 1997, pas disa kohësh shumë prej tyre u shndruan në këngë? Kjo do të thotë se laboratori krijues (i shndrimit të vajit në këngë) i shpirtit të popullit funksionon akoma, dhe në kohët tona moderne.

Në Bibël tregohet se si Jezu Krishti e shndroi ujin në verë, por ai e bëri këtë me hirin e të qënit biri i perëndisë. Populli ynë, mori ligjërimin mortor, e përpunoi në laboratorin e tij shpirtëror dhe me to krijoi këngën tonë popullore iso-polifonike (vënçe, polifonike me iso, shumëzërrëshe) këtë kryevepër shpirtërore të njerëzimit. Jo për një ditë, as për një shekull, por gjatë gjithë kohës së egzistencës së tij.

..vijon…


Sarandë, më maj 2023

53 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page