Mbi një pikturë të Nexhmedin Zajmit


Nexhmedin Zajmi

Mbi një pikturë të Nexhmedin Zajmit


Nga Fatmir Terziu


Një grumbull i pistë

pirja e duhanit para një dere të një shtëpize,

tymi dredharak, cigaret nga bishti në bisht,

trisht,

hi i trullosur mbi një kanaçe katruve,

një qen i mbytur në fodullëkun e tij,

duke u kacafytur me një këpucë të vetmuar,

një glopatkë e thyer,

me buzët e saj të lakuara

noton not pate në një gavetë të rrahur nga shirrat,

gjerba e tromaksur prej llamarinës.

Saherë që era lëviz në sfond,

një enigmë të duket se ndez kallamin e kallamishteve,

një zhbiraq i mpirë, që dehet në shi,

një dele e damkosur dhe e zhgryer,

me sy të tretur,

duke udhëhequr një jetë të paqartë në mesin e zhurmave,

një palosje rrotullake dhe një ngastër toke,

me pesëmbëdhjetë kërcej lakre midis barërave të harlisura,

një rrugë e mbytur në merimanga dhe një portë e tjetërsuar,

shufrat e saj të prishura dhe të varura poshtë

si thonjtë e tejzgjatur të muzgut që bie pingul,

mbi një çatizë nën erë,

me një zhurmë të mistershme,

dhe mbi dy dritare të zbehta të vendosura si sytë ngjitës,

një derë e fryrë, me një ligështi të dehur,

dy fëmijë gjysmë lakuriq që luajnë me baltë,

duke kërkuar të zbulojnë enigmën e dheut të lagur,

një njeri krysëkurrizës në derën e hapur,

kapelen e tij të ngjeshur e përplas dihamë vetmie,

sapo ka përcjellur dashurinë në Lagjen e të Vdekurve,

pirja e duhanit është e kënaqur me shiun që bie.




#nexhmedin #zajmi #fatmir #terziu

15 views

Shkrimet e fundit