top of page

MBI NJË GUR ANËS SË DETIIT SOT HIMARA QAN


Nga Timo Mërkuri

Sot është një ditë e trishtë në Himarë, era vjen si kuje e stërkalat mbi shkëmbinjtë e bregut bien si lotë. Zogjtë heshtën, kënga isopolifonike u rikthye në origjinën e saj vajtimore dhe: "mbi një gur anës së detit qan Himara, qan". Sot pushoi së rahuri zemra e Dhimitër Varfit, Zotit të vërtetë të këngës himariote dhe s'ka zemër bregasi që nuk u drodh nga kjo goditje e voltazhit të lartë. Sepse Himara ka "valëvitur" si flamur krenarie këngët e Dhimitër Varfit (me tekst të Neço Mukos) ato këngë që dhe Zoti vetë i dëgjonte me mahnitje. Askush si Dhimitër Varfi gjer më sot nuk e lëmoi këngën himariote gjer në shkëlqimin e dritës, askush gjer më sot nuk futi te zërrat e këngës himariote flladin dhe tramudanln e detit bashkë, përzier me erën dhe aromën e malit në prill në një paqe ungjillore ullinjsh. Askush si ai gjer më sot nuk e vuri zemrën himarjote si shenjë identiteti në flamurin e këngës, që rrihte në valëvitjen e isos së saj. Ai na bëri të ecnim me ballin lart te krenaria dhe të ishim të pranishëm dhe aty ku mungonim, mjaftonte të shkonte kënga jonë. Ai u bë pjesë e jetës sonë, rritëm i rrahjes së zemrave tona, ndaj sot ndjejmë një shtrëngim në gjoks, një dhimbje që më kot mundohemi t'a fshehim, por nuk e ndalim dot lotin, që me gjëmime të heshtura rrokulliset faqeve. Na ka hije loti për ty o Dhimitër Varfi, siç na kishte dje hije kënga bashkë me ty. Ishe i këngës dhe në parajsën e këngës do jesh . Këngë t'u bëftë në këtë përcjellje edhe vaji ynë.

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page