MBI DISA VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT


Anton Nikë Berisha

Me rastin e botimit të librit “VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT” nga Argeta LMG, Tiranë 2020


Letërsia për fëmijë mund të mos përfillet me kusht që të mos përfillet as bota, në të cilën një shpirt nacional formohet dhe ruhet[1].

PAUL HAZARD



1. Krijimtari e pasur dhe e bërë me përkushtim


Për ta krijuar veprën e vet letrare, Rifat Kukajt iu deshën, të thuash, mbi 50 vjet pune krijuese, që e dëshmojnë rreth njëqind vepra të botuara llojesh të ndryshme, të dala nga mendja dhe nga dora e tij, të cilat e pasuruan traditën tonë letrare në fushën e letërsisë për fëmijë, po edhe krijuan një traditë. Pak shkrimtarë shqiptarë deri më sot nxorën në dritë një numër kaq të madh veprash letrare (për fëmijë e për të rritur), duke ruajtur një rrafsh të lartë të shprehësisë poetike e kuptimore.

Pra, të merresh mirëfilli me këtë vepër dhe ta interpretosh atë në mënyrë meritore, nëse nuk lypset aq kohë sa iu desh autorit të saj ta përftojë atë, atëherë disa vjet janë të domosdoshëm. Për këtë arsye, këtu po kufizohem t’i përmend vetëm disa vlera e veçanti, të cilat i kam vërejtur gjatë leximit të një numri të mirë të veprave të tij. Për disa prej tyre, edhe sa qe gjallë autori, kam shkruar e për disa të tjera kam qenë recensent ose m’i ka dhënë t’i lexoj në dorëshkrim dhe t’ia them mendimin tim.

2. Rifati jetoi me letërsinë dhe jetoi për letërsinë

Vepra letrare për fëmijë e Rifat Kukajt është e rëndësishme dhe me vlera të mëdha e të pamohueshme (me këtë nuk dua ta zvogëloj ndihmesën që dha ai edhe në letërsinë për të rritur). Me romane, me përmbledhje tregimesh, me përmbledhje me poezi dhe me pjesë teatrale, që i krijoi, ai e pasuroi dhe e ngriti letërsinë tonë për fëmijë në rrafshin më të lartë, që ajo e mbërriti deri më sot. Së këndejmi, vetë cilësia e veprave poetike të tij e radhiti atë për së gjalli në rrethin më të ngushtë të shkrimtarëve tanë më të mirë për fëmijë të të gjitha kohëve. Është tjetër gjë që kritika jonë letrare, përkatësisht studiuesit tanë të letërsisë, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, nuk e theksuan këtë në mënyrë të qartë e meritore.

Ky veprim, natyrisht, nuk është mungesë, as e Rifatit si krijues, as e veprave të tij. Është mungesë e jona

dhe e atyre që janë marrë e merren me letërsinë tonë dhe me studimin e veprave të shkrimtarëve tanë

për fëmijë që nuk i kushtuan vëmendje të mirëfilltë veprimtarisë së tij letrare për fëmijë dhe nuk i ndriçuan vlerat e njëmendta dhe qenësore të saj. Ç’është e vërteta, në disa punime janë theksuar vlerat e veprës së Rifatit, por në krahasim me veprat e shkrimtarëve të tjerë, që janë më pak të rëndësishëm, është bërë njëmend pak për ndriçimin e mirëfilltë të cilësive dhe të vlerave të vërteta të veprës së tij.

Nuk i them këto fjalë dhe nuk e bëj këtë cilësim duke u nisur nga rrethana konkrete, kur vdekja e poetit,

përkatësisht dhembja dhe pikëllimi më tundin dhe më rëndojnë ashpër në shpirt. Rëndësinë dhe vlerën e veprës së Rifatit i kam theksuar shumë vjet më parë.

Për ta dëshmuar këtë po sjell vetëm dy mendime.


Rifat Kukaj

Duke interpretuar romanin e tij “Dita e xhufkave” (1972), pata shkruar: “Me cilësitë që i zumë në gojë më sipër […] romani ‘Dita e xhufkave’, që në mënyrë të denjë dëshmon për rritjen dhe cilësinë e prozës romaneske për fëmijë në gjuhën shqipe, është një vepër artistike, të cilën do ta dëshironin edhe letërsitë për fëmijë të traditave edhe më të mëdha shkrimi e kulture sesa kjo jona[2]”. Për përmbledhjen me tregime “Ujku me kamerë” (1988) të Rifatit, theksoja: “Niveli i lartë i arritur pikërisht në mënyrën e perceptimit dhe të transponimit të çështjeve e të dukurive të ndryshme nga jeta e fëmijës dhe e njeriut në përgjithësi si dhe e shtjellimit të tekstit letrar si strukturë gjuhësore, si mesazh poetik, e bëjnë këtë vepër për shumëçka të vlefshme, përkatësisht na bën të nxjerrim përfundimin se kjo është ndër përmbledhjet më të rëndësishme të prozës tregimtare shqipe për fëmijë[3]”.

Vlera e veprës letrare të Kukajt lidhet me dukurinë e qenësishme: një gjysmë qindvjetshi jete ky autor ia kushtoi letërsisë. Pra, ai hyn në rrethin e ngushtë të shkrimtarëve tanë që jetoi me letërsinë dhe jetoi për letërsinë. Thënë ndryshe: ai e lexoi letërsinë dhe e krijoi letërsinë. Leximi ia përsosi dhe ia pasuroi prirjet dhe aftësitë natyrore; i ndihmoi në përcaktimin e qasjes së dukurive, mënyrën e trajtimit dhe sidomos krijimin e sistemit të të shprehurit poetik.

Dinte pse shkruante, si dhe çka shkruante, që në një mënyrë ose tjetër del dhe nga kjo pjesë e poezisë “Duartrokitje” dhe nga poezia “Mes vargjeve”:

Perëndi!

Ti që talentin m’dhurove,

frymëzimet më të thella,

më të reja, më të ndritura

m’i hedh këndej…

Këta engjëj ëndërrimtarë

Kurrë të mos i zhgënjej![4]

(Duartrokitje)

2

Mes vargjeve të mia

Mund t’u futen në gji

Ndonjë kokërr e qershisë

Pak gugatje të kumrisë,

Dhe cicërimat

E mijëra zogjve të tjerë,

Mund të ndehen shumë ylberë:

Britha kërmijsh,

Buzëqeshje fëmijësh,

Gjëegjëza, shpresa, ëndërralla

Legjenda edhe përralla…

Lule si nëpër fushë e pyje,