
Sevdai Kastrati
Mbi autorësinë e romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”
Romanet që janë konsideruar gabimisht të Faik Konicës
6. Citatet
F. Andrea për të qenë bindës në përcaktimin e autorësisë se romanet Martesa e Leilës dhe Sotiri e Mitka i takojnë Faik Konicës, e pajisë studimin hyrës Lojnia – kush qëndron prapa pseudonimit Gjoni i Krujës? me aparatin e duhur shkencor në citate. Ai është munduar t’i shtrojë hipotezat e veta me ‘fuqi bindëse’ edhe pse citimi shpeshherë nuk përket me përmbajtjen e shkrimit.
Ndërkaq, pas një shqyrtimi të kujdesshëm të citimeve të F. Andreas e kemi vënë re se kemi të bëjmë me një pështiellim të vërtetë:
1. F. Andrea përpiqet të zbërthejë pseudonimin Jean de Kroia. Po këtu krijohet një ngatërrim: emrin Jean e bën Gjon duke u nisur nga anglishtja, ndërsa është i vetëdijshëm se në frëngjishte është Gjin. Ai ka parasysh se emri i skelës së Shëngjinit në italisht është përkthyer San Giovanni di Medua apo në frëngjisht Saint Jean de Medua. Ai gabon kur jep një trajtë të tretë të emrit Jean për Jan si emër personi në Shqipërinë e Jugut “nisur nga emri i dikurshëm i Janinës, Joannina”.
Siç e kemi të njohur nga gjuhëtari i madh Shaban Demiraj¹ emri Gjin ka qenë mjaft i përhapur në viset e Shqipërisë Jugore dhe “ky emër ka qenë i përdorur edhe ndër arbëreshët e Greqisë, ku ndeshet ende, megjithëse rrallë, sepse është zëvendësuar me trajta të tjera gjegjëse, si Janj-i, Jano-a, Janko-a etj.”
Sa i përket mbiemrit Kroia Andrea shprehet se ‘Konica e ka parapëlqyer ta shkruaj frëngjisht Kroïa, me K dhe ï me dy pika’.
Në të vërtetë është e kundërta: e ka ngatërruar për emrin e Leilës, ku i-ja ka dy pika.
Po le të kthehemi tek pseudonimi Jean de Kroia. Gjashtë vjet më vonë² F. Andrea e korrigjon gabimin e mëparshëm Jean de Kroïa me një gabim të ri Jean de Croya. Po këtu ngatërron vitin e botimit të romaneve “Martesa e Leilës” dhe Sotiri e Mitka” me vitin 1910, ndonëse, si dihet, viti i botimit të romaneve në frëngjisht është 1911. Ky është vetëm një shembull se si F. Andrea është i paqëndrueshëm në hipotezat e tij.
2. F. Andrea citon Jup Kastratin lidhur mbi pseudonimet e Konicës në përmbledhjen e sesionit shkencor “Faik Konica: jeta dhe vepra” të botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 1997. Ai citon faqet 203-204 të përmbledhjes në fjalë, por nuk e jep titullin e punimit të J. Kastratit. Ai mëton se ka ‘zbuluar’ pseudonimin e parë të Konicës dhe nuk ngurron ta shtojë në listen e pseudonimeve të përmendura nga J. Kastrati edhe ‘zbulimin’ e tij. Është fjala për pseudonimin Tepeleni i përdorur për herë të parë në artikullin L’Albanie et les Turcs. Në fakt Jup Kastrati në punimin Bibliografia e botimeve të Faik Konicës (1895-1942) flet për pseudonimet në faqen 204 dhe për artikullin L’Albanie et les Turcs në faqen 205.
3. Me interes janë përpjekjet që bën F. Andrea të sqarojë vështirësitë që kishin intelektualët e kolonive shqiptare në mbarëvajtjen e punëve letrare dhe kombëtare. F. Andrea përpiqet në këtë rast të saktësojë se ata intelektualë që kërkonin ndihmë shkelnin ‘në drrasë të kalbët, duke komprementuar keq veten, deri dhe parimet’.
Sikundër është e njohur shumë nga ata do t’i drejtohen për ndihmë Aladro Kastriotit: dikush do t’i kërkojë ndihmë për të botuar gazetën, ndonjë tjetër për t’i botuar librin, ndërsa ata të Sofjes do t’i kërkojnë një shtypshkronjë. Dhe kështu me radhë.
Vetëm shpjegimi i F. Andreas bie ndesh me citatin nr. 39. Ai citon një letër të F. Konicës dërguar Asdrenit në pranëverën e vitit 1902, ku Faiku na del si ‘kujdestar’ i parave të Aladro Kastrioit. Megjithatë interes paraqesin në këtë drejtim letërkëmbimi që mbajti Faiku me Asdrenin, ku na tregon se si Faiku i ka vënë mbrapa për sekretar Viskë Babatasin me qëllim që t’i kontrollojë parat e Aladros. E kur V. Babatasi është bërë i padëgjueshëm, i ka vënë mbrapa Nuri Vilën t’i pengojë ata që ‘s’ duan punë po intriga para s’marin’.
4. F. Andrea kur shkruan për piktorin Theohar Gjini ka si burim kryesor studimin e Ferid Hudhrit “Piktori mëmëdhetar Theohar Gjini”.
Përpos Leilës që është kryepersonazhi kryesor për të cilën është shkruar romani “Martesa e Leilës” dhe nuk ka qenë shkas si për rrëfime të tjera imagjinare, po kështu është edhe Th. Gjini (edhe pse nuk kanë lidhje njëra me tjetrën): një martesë që ka ndodhur tre vjet më parë se të shkruhej romani, hapja e një ekspozite në Paris më 1909 dhe formimi i një shoqate me kryetar protogonistin në fjalë e bën Faik Konicën – thotë Fotaqi – të ulej e të shkruante romanet më 1909.
F. Andrea është i paqëndrueshëm dhe nuk i përmbahet gjithmonë teorisë së tij.
Pavarësisht se është mbështetur në studimin e F. Hudhrit për piktorin Th. Gjini ai nuk ngurron t’i përvetësojë citimet: citatet nr. 97 dhe 99 i ka marrë nga studimi në fjalë. E kjo është një tjetër dëshmi e F. Andres për ta paraqur suksesin e studimit dhe zbulimit me manipulime të këtilla.
5. Nuk ka dyshim se F. Andrea do të kujdeset që t’i sjellë lexuesit shpjegime me shembuj e dëshmi çështjen e duelit. Ai nuk ngurron të pohojë se Faik Konica është ftuar në duel (dyluftim i parealizuar - sipas tij - sigurisht e ka parasysh largësinë: njëri në Bruksel e tjetri në Romë) nga një bashkëkombas për çështjen “gasparina”. Ec e merre vesh se çfarë do të thotë për një lexues të rëndomtë “çështja gasparina”?!
Me sa di, në këtë rast kemi të bëjmë me polemikën Gaspariana si përgjigjie ndaj artikullit të Gaspër Jakovës Faik-derri. Po kështu ai do të pohojë në citimin nr. 166 se Faik Konica “u kërcënua me duel” nga Gaspër Jakova për shkak të një shkrimi. Ai ka parasysh polemikën Përgigjje një Sërbi (botuar në revistën Albania më 1904) si përgjigjie ndaj artikullit të G. Jakovës Begu i Konicës (botuar në Laimtari i Shqypëniës më 1904). Është për të vënë re se edhe gjatë leximit më të sipërfaqshëm bie fjala citimi s’ka të bëjë me përmbajtjen:
“Ky Srp, i vetëthënë prift katolik, më bënte të njohura dy dëshira: 1˚ Se donte të dilte në dyel (dylëftim) me një Shqipëtar qi kish shkruar një artikull te Albania. 2˚ Se donte t’ i çante barkun e t’ i nxirte zorët (sic) një tjatëri bashkëpunëtori t’ Albanisë, i cili ndodhej t’ish prift.³”
Nuk është e çuditshme, prandaj, pse F. Andrea e shtrembëron citimin (edhe pse asgjë nuk ndryshon) se ky problem i autorësisë nuk gjen zgjidhje as me çështjen e duelit:
“Ky sërp (serb) i vet-thënë prift katolik – shkruan Faiku – më bënte të njohur dy dëshira: 1. se donte të dilte në dyel me një shqiptar që i kish shkruar nji artikull te Albania; 2. Se donte t’i çante barkun e t’i nxirrte zorrët një tjatëri po të Albania-s”. (Vepra 3, f. 126).
Për dallim nga përshkrimi i duelit të Faik Konicës me Nikollë Ivanajn, zbulimin e armës që do përdorte Konica në duel katër vjet më vonë (edhe pse ia ngatërron emrin duke e quajtur Nikolin) F. Andrea është më i kursyer në shpjegime lidhur me ‘duelin’ e F. Konicës me G. Jakovën.
Megjithëse F. Andrea është i kursyer në shpjegime lidhur mbi duelin imagjinar po jap një dëshmi nga ana e Gaspër Jakovës lidhur me polemikën Përgigjje një Sërbi, i cili thotë: me qillue me na e thanë nër sy, di ai s’dahet!
6. F. Andrea është i mendimit se romani “Martesa e Leilës” nuk është korrigjuar ‘nga ndonjë redaktor apo botues francez’. Ai supozon se Aladroja para se t’i botonte romanet ia ka dhënë bocat për t’i korrigjuar F. Konicës dhe ‘ka dashur t’i thotë: “Ja si do të dalë libri me dy romane: thjesht me pseudonimin Jean de Kroïa!”
Pyetjet që mund të shtrohen në këtë rast janë: Ç’përfundim mund të nxirret nga kjo hipotezë? A kemi të bëjmë me fall apo me shkencë? A mund të besojmë në autoritetin shkencor të 28 e më shumë “të tërë profesorë titullarë e intelektualë të nderuar” si garanci për besushmërinë e hipotezave të F. Andreas?
7. Prej F. Andreas mësojmë se personazhi Ekrem bej në romanin Sotiri e Mitka nuk është tjetër veçse Eqrem bej Vlora. Ai ka dhënë shpjegime dhe sqarime pothuajse për të gjithë personazhet në romanet Martesa e Leilës dhe Sotiri e Mitka. Ai ka hulumtuar anë të veçanta të tipareve të personazheve si për shembull: Leila, sipas tij, ka të bëjë me emrin e nënës (mbesës) së vetë Konicës; Vangjeli vetë Faiku, Dominiku emri kinse i pagëzimit të Faikut në katolik; Ernestina kunata e Faikut; Matilda motra e Leon Cahun-it. Dhe kështu me radhë e pa radhë.
Por sa janë të besueshme shpjegimet dhe sqarimet e F. Andreas?
Në saje të këtyre shpjegimeve dhe sqarimeve mund të pohet se ai do të përpiqet, dhe do t’ia dalë mbanë që t’i bindë studiuesit (veçanërisht Th. Gjikën) se kush fshihet pas personazheve.
Po le të shohim si na paraqitet personazhi Ekrem bej. F. Andrea është i mendimit se F. Konica e ka njohur Eqrem bej Vlorën nëpermjet letërkëmbimit ose për ta bërë të mirëqenë mendon se janë takuar në Vjenë gjatë viteve 1900-1909. Në anën tjetër është kategorik për Aladron që ta ketë njohur Eqremin në Vjenë sa ishte diplomat. I japim të drejtë F. Andreas për Aladron (Eqremi nuk kishte lindur ende kur Aladroja qe diplomat), ndërkaq nuk mund të pajtohemi për F. Konicën për shkak se mungon letërkëmbimi i supozuar deri më sot. Për sa i përket takimit të F. Konicës me Eqremin gjatë viteve 1900-1909 në Vjenë, mbetet një pohim i pavërtetuar i F. Andreas. Sepse ai nuk shtoi as një të dhënë në mbështetje të këtij pohimi. Në citatin nr. 136 ai jep një sërë të dhënash, ku do të veçoj njërën prej tyre se “është Konica dhe jo Aladroja ai që i njihte mirë nxënësit shqiptarë të këtij kolegji në zë”. E ka fjalën për shkollën Marie Theresianum të Vjenës. Ç’ lidhje ka Konica me nxënësit e kësaj shkolle? Përgjigjien që e marrim nga sqarimet e mëtejshme të F. Andrea i shërbejnë fushës së hamendësimeve.
A është personazh Ekrem bej në romonin Sotiri e Mitka?
Në studimin e tij Lojnia thotë se Ekrem bej është personazh në romanin Sotiri e Mitka. Po të njëjtën gjë argumenton edhe në shkrimin e tij Zbulim i rrallë në Letrat koniciane kur thotë se Ekrem bej është personazh në romanin Sotiri e Mitka.
Në fakt është e kundërta: Ekrem bej është personazh në romanin Martesa e Leilës.
Ky është një gabim trashanik i Fotaq Andreas. Nuk është vetëm ky gabim, ai gabon edhe me Matildën (motra dhe nëna e filan-fistekut) kur e vendos si personazh në romanin Sotiri e Mitka.
Pavarësisht prej qëllimit të F. Andreas për të shtrembëruar të vërtetën lidhur me miqësinë e Eqrem Vlorës me Aladron Kastriotin do të ndalëm me dy fjalë për të dëshmuar se marrëdhënia e tyre del krejt ndryshe. Gjithsesi për mbi miqësinë e tyre gjenden të dhëna në kujtimet e Eqremit, pra, janë të dhëna që i përgënjeshtrojnë pohimet e Andreas.
Prej kujtimeve mund të shihet se Eqremi do të jetë mysafir i Aladros në Paris, më 1907. Sipas të dhënave që nxjerrim nga kujtimet mësojmë se Aladro “ka qenë një burrë fisnik, i ngashëm dhe i pasur, i cili me maninë e tij jo vetëm nuk e dëmtoi askënd, por përkundrazi i bërë një shërbim të madh popullit shqiptar, sepse propaganda e tij (që i kushtoi jo pak para) zgjoi interes për Shqipërinë në shumë rrethe politike e gazetareske”4.
Po kështu në kujtime do të përmendet biblioteka e pasur albanologjike, koleksioni i madh gravurave si dhe prejardhja e tij.
8. Mungesa e romaneve “Martesa e Leilës dhe “Sotiri e Mitka” në Bibliotekën Kombëtare të Francës i jep shkas F. Andrea të pohojë se romanet janë botuar me një tirazh të vogël. Si element bazë për ta mbështetur hipotezën e tij merr tirazhin 20 kopje. Por ai nuk shton asgjë të re përveç se bën përpjekje të minimizojë rolin e shtypshkronjës. Edhe citati nr. 8 nuk është i qartë dhe nuk kam pasur mundësinë që ta gjej një kopje të librit që F. Andrea e citon.
9. Fotaq Andrea hedh një hipotezë lidhur me një citim të Faik Konicës që ka të bëjë me Aladro Kastriotin në numrin e fundit të revistës Albania. Bëhet fjalë për rubrikën Notes [Shënime] në frëngjishte ku Faiku flet lidhur me një intervistë që kishte dhënë gazetës Il Momento, që dilte në Torino, markezi i Auletës, princi Giovanni Castriota Scanderbeg më 22 tetor 1908. Në intervistë pikëpamjet e markezit të Auletës për politikën e jashme që Shqipëria duhet të ndjekë shëmbëllejnë me mendimet e Konicës. Faiku e paraqet markezin e Auletës si njeri me karekter të lartë si dhe pasardhës i provuar5 i Skënderbeut.
Por Fotaqi e lakon nderimin e Konicës për markezin e Auletës ndryshe “si të dojë ta joshë” dhe më pas pa kurrfarë mbështetje konkrete pohon: “kur dihet që ai nuk e kish kursyer penën e tij për ta goditur edhe këtë figurë”.
Duke vazhduar më pas:
«Mos kërkon joshje në një fare mënyre tek të dy pretenduesit e frontit, duke qenë vetë Konica, të themi, në një pozicion udhëkryqi për të ardhmen, pas përfundimit të misionit Albania? Mos kërkon që Auletën t’ia kundërëvërë Aladros6 si të donte t’i bënte karshillëk këtij të fundit?»
Pastaj krijon dialogje imagjinare:
«Apo kërkon ta joshë edhe këtë duke i thënë: “Eja, në dorën time je, mund t’i them edhe ndoca fjalë të bukura për ty!... Eja, se mund të bëjë edhe më shumë për ty!...” »
Duke vazhduar më tej:
« njërit (markezit të Auletës) ia “pranon” prejardhjen nga një prej familjeve më të lashta të fisnikërisë së Napolit në aleancë me Kastriotët, tjetrit (“markezit” të Kadiksit), jo vetëm që nuk ia pranon, por saktëson tashmë se rrjedh nga një familje tregtari të Ksereksit. »
Këtu na del në pah një shtrëmbrim i të dhënave që na shfaqen në citimin e Konicës lidhur me markezin e Auletës. F. Konica e thotë pikërisht të kundërtën: Shtëpia e markazit të Auletës është një nga më të vjetrat në Itali; stërgjyshi i tij Pier Antonio Sanseverio, princi i Bisinjanos qe i martuar me Irenën, të bijën e Ferrantit I, djali i djalit të Gjergj Kastriotit. Sipas Konicës, mbreti Umberto duke u nisur nga faktet e Këshillës Heraldike të Italisë me një dekret mbretëror që mban datën 4 prill 1897 i dha leje markezit të Auletës të përdorë emrin, titujt dhe armët e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.
Në fakt Konica në rubrikën Faqja e dreqtorit (në të njëjtin numër të revistës Albania që mban datën 15 shkurt 1909) pohon se puna e markezit të Auletës “ndryshon fare nga fantasit’ e ca shakaxhive” duke aluduar për Aladron.
Faik Konica sa i përket Aladro Kastrioit i rikujton nderin që i kishte bërë në revistën “Albania” duke i besuar pa asnjë provë se ishte kastriotas. Aladro në vend që të siguronte një çertifikatë martese ndërmjet gjyshit të tij dhe një princeshë nga dera e Kastriotit ( i kishte premtuar F. Konicës se do ta siguronte brenda 5-6muajve) nuk ngurroi të shkruajë një artikull në të përkohshmen La Nazione Albanese e të thoshte se është një “mënyrë ‘bizantine’ të folurit përmi një punë7 me rëndësië aqë të vogël...”
Nuk është e tepërt të japim edhe rastin e mëposhtëm që po e marrin për shembull se si F. Andrea synon ta vërtetojë ‘shitjen’ e romaneve si një ngjarje fantastike:
«Më 1909, para se të ikte përfundimisht në Amerikë, Konica iu “afrua” Aladros8, për t’i “shitur” dy romanet e tij “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka”, duke ia lënë kështu “dobiçin në derë”, për t’i rënë kokës me anë letrash që u dërgonte bashkatdhetrëve.»
Një konstatim i këtillë mund të pranohet si i vërtetë nëse ka të bëjë vetëm me fakte të dëshmuara nga burimet dokumentare. Për hir të së vërtetës ky vit, i bie ndesh hapur, nuk përkon as me një të dhënë bibliografike. Është fakt se miqësia me Aladro Kastriotin nuk vazhdon pas vitit 1902.
Po në këtë hulli F. Andrea shpërthen përpara një fakti të papritur duke hamendësuar se ka ‘zbuluar’enigmën e autorësisë së romaneve “pa thirrur në ndihmë” askënd, pa e shtjelluar qoftë edhe me një argument të vetëm, pra duke u mbështetur në ‘shkencën analitike’ d.m.th. metodën e fallit. Në citimin e Konicës ndër të tjera thuhet:
«Car s’il est un prince9 pour rire, M. de Aladro est anasi un pince-sans-rire, et l’on sait qu’avec ce genre d’humour on peat aller loin».
Më poshtë po sjellim përkthimin e F. Andreas:
«Sepse në është një princ për t’u vënë buza në gaz është edhe një pincë shtrënguese pa gaz, dhe dihet se me këtë lloj humori mund të shkohet shumë larg…»
F. Andrea në frazën ‘mund të shkohet shumë larg’ zbulon edhe këtë margaritar:
«Ja një paralajmërim i bukur i Konicës në mbyllje përfundimtare të mrekullisë së tij Albania që çel një dritare të re mrekullie, dy romanet e tij me pseudonimin Jean de Kroï. »
Tani shtrohet pyetja: si ka mundësi që kjo hipotezë e mbetur pezull ka marrë miratimin e ‘Komisionit të posaçëm letrar të Fondacionit “Vatra” gjatë Vitit Faik Konica – 2016’?!
7. Dokumentet dhe ilustrimet
F. Andrea për ta përmbyllur këtë problem të vështirë, që i ka mbetur ende i pasqaruar, çështjen e autorsisë së romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka” jep burimet arkivore. Kështu për shembull e boton për herë të parë vlerësimin për romanet nga Edmond de Gabory i gazetës L’Avenir d’Arcachon. Përveç këtij vlerësimi që është një prurje e re, ai i ka kushtuar vëmendje të veçantë të dhënave nga letërkëmbimi i G. C. Camet me Jeronim De Radën.
Këtu dua të theksoj se G. C. Camet nuk është i panjohur për studiuesit e letërsisë shqipe10. Ai do të çmojë veprën e parë poetike të De Radës Këngët e Millosaut, për të cilën do të shkruajë se ajo shquhet me bukurinë e Amnitës së T. Tasos. Me sa di, Alberto Straticò11 është i pari që përmend në Manuale di letteratura albanese, që u botua në Milano më 1896. Më vonë, një letër e G. C. Camet drejtuar De Radës më 4 maj 1878 u botua shqip në shkrimin e Ahmet Kondos “Jeronim De Rada - propagandues i flaktë i të drejtave të shqiptarëve”. Në këtë letër (sipas dëshmisë së Camet) A. Dumas i Riu ishte shprehur se De Rada është krijuesi i gjuhës kombëtare dhe historia do ta quajë Dantja i Shqipërisë.12
F. Andrea riboton dy letra nga tre se kishte botuar13 më parë prej G. C. Camet drejtuar De Radës me qëllim që të ndihmojnë në çështjen e autorsisë së romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”.
Po kështu mund të thuhet edhe për letrën e F. Konicës, që mban datën 20 tetor 1902, dërguar N. Naços në Bukuresht. Letra e lartpërmendur që ruhet në AQSH u përfshi nga F. Andrea në shtojcën e dokumenteve, edhe pse nuk është e panjohur për lexuesit. Pikërisht kjo letër u botua për herë të parë në revistën “Brezi 9”14 të Tetovës më 1995 nga Baki Ymeri, të cilit ia kishte dhuruar në Bukursht Dhimitër Polena në vitet ’90.
Libri në fund është pajisur me ilustrime: tablo, portrete, fotografi, kartolina, dokumente, faksimile etj.
Me këtë rast do të veçoj një portet dhe një fotografi.
Me interes të veçantë është portreti i Lejla Konicës me veshje shkodrane, i porositur nga Fotaq Andrea tek Lazar Taçi. Ka porositur Aladro romane, ka porositur Aladro tablo e portrete, pse të mos porosit edhe Fotaqi. Jo vetëm kaq: ka bërë edhe një porosi tjetër (të drejtpërdrejtë) për një portret të Faik Konicës tek i njëjtë piktor.
Më në fund do të ndalëm në fotografinë që Fotaqi gabimisht e ka quajtur autoportret i Theohar Gjinit15. Ai është kujdesur që të mos i referohet asnjëherë. Nuk e zë në gojë as për të mirë e as për të keq. Edhe pse ai është sekretar i Aladro Kastriotit. Ikën nga ai sikurse djalli nga temjani. Ndonëse nuk ka dyshim se gjatë hartimit të studimit hyrës “Lojnia” do ta ketë ndeshur emrin e tij. Është NIKOLLA LAKO, autori i romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri dhe Mitka” që gabimisht janë konsideruar në autorsinë e Faik Konicës.
¹Shaban Demiraj, Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Botimet INFBOTUES, Tiranë, 2008, f. 135.
²Shih Fotaq Andrea, Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës, “Illyria”on-line 15 gusht 2022.
³Faik Konica, Përgigjje një Sërbi, “Albania”, Londër, 1904, nr. 6, f. 111-112.
4Eqrem bej Vlora, Kujtime (1885-1925). Përktheu nga gjermanishtja Afrim Koçi. Shtëpia botuese IDK, Tiranë, 2009, f. 215.
5Ylli Polovina i drejtohet për një mendim Fotaq Andreas lidhur me Aladro Kastriotin. Ai konsideron F. Andrean si “njohësi më i mirë shqiptar jo vetëm i Faik Konicës, por dhe i Aladro Kastriotit”. Dhe nuk gabohet: merr një letër helm e vrer nga F. Andrea ku përpiqet ta varrosë Aladron me shpjegime të njëanshme, trillime dhe shpifje. Në letrën që mban datën 22 tetor 2017 nuk mungojnë epitete të sajuara nga Fotaqi kinse janë të Konicës: “prandaj ai qen - term i Konicës – duhet të paguaj dhe ta paguajë shtrenjtë bile që mori... të cilin Konica e quante pa rezervë një copë gomari...” Në këtë letër gjejmë edhe “fakte” nga bota imagjinare e Fotaqit si për shembull: “Konica u tregua si përherë fillimisht pragmatik me personin e Aladros, i rropi ca para për “Albaninë” dhe më pas e goditi egër, duke e diskreditur në publikun shqiptar e të huaj... “Konica, pra, dinte që në fillim me kë kish të bënte, dhe ca para ia mori me të hedhur...” Në fund i jep një këshillë Y. Polovinës: “nuk ia vlen të merresh me Aladron – apo Ladron - siç e quante Apoiliner i madh, sepse nuk ka asgjë positive, asgjë patriotike, dhe ai vdiq nga zemra apo damllaja pikërisht atë ditë kur u emërua në Shqipëri princ Vidi, verdiktin e të cilit e kishte dhënë ndër të tjerë edhe vetë Faiku”, në: Ylli Polovina, Të merresh apo të mos merresh me Aladro Kastriotin, “Illyria”, 21 shkurt 2018.
6Faik Konica, Fleta e dreqtorit, “Albania”, Londër, 1909, nr. 1, f. 7.
7Faik Konica, Përgigjje një Sërbi, “Albania”, Londër, 1904, nr. 6, f. 114.
8Ylli Polovina, po aty
9Shih “Albania”, Londër, 1909, nr. 1, f. 39.
10Shih Klara Kodra, Fillimet poetike të De Radës dhe poema ”Këngët e Milosaos”, në ”Studime filologjike”, Tiranë, 1978, nr. 2, f. 86; Rexhep Qosja, Historia e letërsisë shqipe (Romantizmi II), ”Rilindja”, Prishtinë, 1984, f. 173.
11“Votre jeune Milosao a tute la fraicheur e toutes les beautés de l’Aminta du Tasse”, në Alberto Straticò, Manuale di letteratura albanese, U. Hoepli, Milano më 1896. f. 247.
12Ahmet Kondo, Jeronim De Rada – propagandues i flaktë i të drejtave të shqiptarëve, në ”Me pushkë dhe me penë për liri e pavarësi”, Shtëpia botuese ”8 Nëntori”, Tiranë, 1977, f. 272.
13Shih Vepra e juaj, një monument i bukur i jetës, gjuhës dhe traditës së shqiptarëve, në Fotaq Andrea, “Arbëreshët e Italisë 1413-2007”, Shtëpia botuese ”Via Egnatia”, 2012, f. 189-192.
14Shih Letër e pabotuar e Faik Konicës dërguar Nikolla Naços në Bukuresht, ”Brezi 9”, Tetovë, 9 maj 1995, nr. 5, f. 8.
15Është e njëjta fotografi që Edi Rama e përkujton Nikolla Lakon në Amarcord më 6 mars 2017. Ai ngatërron vitin e botimit të gazetës ”Shqipëria” që është 1907 e jo 1897
Comments