
Luan Xhuli
…kam ngelur si verë e prishur:
As musht,as uthull.
Ngjasoj si zgalem i lodhur,
ku s’më bën përshtypje kaltësia e detit.
Tantellat e valëve,
s’më ngjallin asnjë flirt….
Më tmerojnë lajmet në radio- television
dhe njerzve u thërras me ngjyrën e maskës që mbajnë.
Hutohem nga fjalët e kalimtarëve
dhe kam harruar të shijoj buzët e buzëqeshjeve.
Të gjitha ditët më duken të djela vdekjesh,
binjake të orëve mortore që heshtin.
Harroj të marr hapjet e tensionit në kohë
dhe për gjithë natën,
shoh endrra me buldozët që mbulojnë frymë…
Zgjohem nga ky ankth mortor, vetëm kur nipi
kthyer nga shkolla thërret me të madhe:
-Gjyshiiii, sot morra një dhjetë tjetër
dhe pse maskën e kisha deri tek sytë…
2020
Commentaires