MATANË DETIT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 30, 2020
- 6 min read

(Ky tregim së bashku me të tjerë (shkruar kohë më parë) të konceptuar që secili ta "heqë vallen" edhe vetëm edhe në grup formojnë një unitet letrarë. Meqënëse në të përfshihen dhe elementë jashtë letrarë e krijimi nuk iu përmbahet rigorozisht kërkesave të gjinisë (në kuptimin klasik) e kam quajtur "Afresk letrar". Kam shkëputur për botim vetëm disa prej tyre për të mos ia lodhur durimin lexuesit.)
NË VEND TË PARATHËNIES
Nuk kam takuar ende një njeri, i cili të mos jetë gabuar në ëndrrat e tij të lumturisë…
Fransua Shatobrian
E vërteta është, Lucil, se rrallë skllevërit janë viktima të skllavërisë, shumica janë skllevër vullnetarë. Seneka
Sa më e vogël hardhuca, aq më e madhe është shpresa e saj për t'u bërë krokodil.
Proverbë etiopiane
Në dështimin e vet besimtari gjen ngadhënjimin e tij. Kierkegardi
MISIONARËT
***
Nga trageti "Atlantia" i sapoardhur zbarkon edhe një grup misionarësh katolikë. Pasi marrin shërbimin në portineri preferojnë ta përshkojn në këmbë rrugën drejt qytetit.
Ende pa dalë nga porti vështrimin ua tërheq një turmë e zemëruar njerzish, që shtyhen të kalojnë për të rrëmbyer ndonjë nga anijet të emigrojnë.
Përballë kundërshtimit të fortë ata ndërrojnë taktikë: Formësohen në tre grushte gjigante dhe sulmojnë në tre drejtime, gjersa arrijnë ta çajn murin e policëve dhe të futen në një nga tragetet. Pjesa që s'mundi dot, tërhiqet e dëshpëruar për t'u rigrupuar me ardhës të tjerë.
Misionarët vijojnë të çapiten mbi trotuarin përgjatë rrugës. Trotuar i thënçin, se duar vjedhëse e të pacipa ia kanë grabitur pllakat. Anash radhiten pallate uniformë, si ca vagona të ndryshkur e harruar aty kushedi prej sa kohe.
Njëtrajtësinë monotone të tyre e ndërpret gërmadha e shkollës, skeleti i së cilës ngjan me pikëpyetje e pikëçuditëse të stërmëdha. Por, si për ta zbutur mbresën e rrënimit të verbër, në territorin e saj kanë ndërtuar bare e taverna, që e mbushin mjedisin shkollor me aroma mezesh e lloj-lloj muzike dhe dialogje grindavec të frekuentuesve.
Të huajt bëhen kureshtarë të dinë për ç’farë bisedojnë me aq pasion përpirës ata njerëz. Shoqëruesit iu përcjellin drejtpërdrejt disa nga shprehjet që mundin të kapin si, "Regjim muti! Me triska e nisi, me tolona e bitisi… Kush e besonte se do qërohej kaq papritur!…. Shpëtuam! Qoftë e bekuar demokracia!… T'ëmën! Kërkon edhe bytha të drejtat e saj!…. Hajde -hajde: Dje gardian i diktaturës, sot çakall partiak!… Ç'të thuash: Nga biznesmenë i bixhozit e drogës dhe sahanlëpirës në deputet!... Nuk jam asnjëherë në anën e gjahtarit… Ç'të mira mund të presësh nga një shërbetor i përulur i urrejtjes e shtypjes!?… Gjarpri edhe pasi ndërron lëkurën, prapë gjarpër është… Bëjnë kaos larot që ta urrejmë demokracinë… Premtimet me kuintalë, realizimet me gramë… Shkretohet vendi, shtohen milionerët… Rriten bizneset dhe ekonomia, shumohen të pastrehët… Ne këtu poshtë merremi me llogje politike, ata lartë me grabitje… E arritëm shpejtë standartin: Bëmë hajdutët me imunitet, të cilët po e "mbrojnë trimërisht " popullin nga hajdutët… Kryetari juaj është prostitutokrat i ndershëm, kurse shefi ynë me diplomë matrapazi… Gomarin vishe në daç me flori, në daç me lëkur luani gomar mbetet… Ç'vampirë e përbindësh paskemi patur brenda vetes!… "
Në krahun tjetër të rrugës, grupin katolikë e intrigon pamja e militarizuar e fushës me bunkerë, transhe, qendra zjarri, kulla vrojtimi, strehimore… Qëndrojnë ende aty trimërisht, por, nëse do përdornim gjuhën e Shvejkut, me një madhështi të dhjer, sepse i kanë shndërruar në nevojtore pa pagesë.
Prej këtu nis menjëherë tregu kilometrik i qytetit. Mysafirët të interesuar kthejnë menjëherë për atje. Surprizohen nga bollëku e llojshmëria e mallrave. Ka plot të vjedhur në ish ndërmarrjet e repartet ushtarake, kurse shumica janë importuar rishtas nga vende të ndryshme. Nëpër tërë atë larushi artikujsh deri tek punime artizanati e artistike me pamje të natyrës e simboleve kombëtare, parakalon Shqipëria e djeshme dhe e sotme.
Misionarëve iu bën përshtypje dhe diçka: Secili tregtues mban veshur si relike apo shënjë të vaçantë xhaketën, kapelen ose pantallonin ushtarak. Ua shpjegojnë që janë ish-oficer të nxjerrë në lirim para kohe. Preferojnë ta bëjnë biznesin në këtë pjesë të tregut, ish zonë ushtarake, se ndihen si në pronën e vet.
Katolikët vërejnë që hera-herë e kthejnë kokën andej nga ato fortesa tmerri për armikun. Mbase kujtojnë, ashtu, vetëtimthi, vitet përplot alarme, vigjilime, stërvitje, luftëra imagjinare dhe aq e aq ëndrra për lavdi e karrier… Dhe tani ja, tek përfunduan, si ca raketa të djegura e gëzhoja fishekësh të harxhuar kot, vetëm për kaposhllëkun dhe zbavitjen e të mëdhenjëve.
Shumë blerës ndiejnë keqardhje e një farë revolte, teksa shikojn sesi bashkë me ta është katandisur edhe ajo krenari e atdheut, që dikur iu shkrepëtinte në ballë, në vështrime, tek armët, spaletat, kopsat. Përkundrazi, për plotë të tjerë ky ndëshkim është mëse i merituar, sepse ata kanë qenë veç ca rripa të kapardisur e pisqolla qorre të diktaturës.
Një breshëri sharjesh në kor ndaj një shitësi i tërheq miqtë për atje. Mësojn që ai reagim, sesa për dhënien mangut të mallit, është më tepër shprehje zemërimi për rolin prej zagari që ai ka lujatur në regjimin e shkuar.
E gjitha ndërpritet si me komandë, kur një stërhell thatanik i hedh atij vrazhdësisht mallkimin e rëndë: "Po ti, more të qifshin tërë qentë dhe gomarët e Kinës, ne të papunët na gjete për të vjedhur?! ", dhe me një grusht e vërvit pa frymë mbi pirgun e mallrave. Përreth askush s'do t'ja dijë. Tërë vëmendja është vetëm tek shitja e blerja.
Katolikët ecin përpara, duke e bredhur vështrimin sa nëpër tezga te njerëzit. Kanë ndjesinë se gjenden në një galeri arti stërmadhe, ku spikasin lloj-lloj portrete interesante, nëpër të cilët shpërfaqet një lakmi krokodili e nënshtrim zvarraniku, një besnikëri qeni e verbëri lakuriqi nate, një durim qukapiku e urtësi iriqi, një dinakëri kameleoni e ngërdheshje maçoku, një pafajësi qengji e agresivitet ujku, një ngrefosje cjapi e çapkënllëk kërriçi, një zell milingone e kënaqësi derrkuci…
Të huajt largohen nga tregu për tek hoteli kryesorë. Sistemohen. Në mbrëmje mblidhen te salla e vën në dispozicion. Ndjekin televizorin. Rrënqethen nga lajmet e kronikës së zezë, nëpër të cilën lëviz një shpirt satanik e tepër mizor. Ky të jetë vallë ai njeriu i ri socialist?! Don Mateos, kryemisionarit i ndermendet që dikur këtë krijesë e quanin një lloj neanderthali ideologjik. Atij i qe hapur rruga qysh në vitet njëzetë-tridhjetë të shekullit të kaluar në ish Bashkimin Sovjetik. Qeveria bolshevike dhe vetë Stalini projektuan me financime astronomike të krijonin edhe racën e njeriut-majmun, homo-sovjetikus, qytetarin e një modeli të vaçantë dhe superluftëtar i pathyeshëm.
Realizimi iu besua biologut të shquar Ilia Ivanov. Ai ia nisi me shumë përkushtim. Dhe kur gjithçka po dukej mbarë, befas ndërpritet, sepse shimpazetë femra të fekonduar artificialisht me spermatozoid njeriu ngordhën nga turbekulozi e dizanteria.
Shkencëtari e vijoi eksperimentin, duke fekonduar disa gra me farën e majmunëve. Në pritje të rezultatit, habitshëm atë e arrestojnë si spiun e bashkëpunëtor të borgjezisë ndërkombëtare. Në burg, ku vuante dënimin, vdes pas dy vjetësh në moshën gjashtëdhjetë e dy vjeçare.
Prifti-misionar rikthehet tek lajmet e kronikës së zezë. I duken tamam si episode filmash horror. Bie në mendime. Ja, pra, qysh degradohet njeriu kur i ndalohet me ligj feja dhe vendin e saj e zë shteti, atë të Zotit diktatori, të ëngjëjve djajtë.
Nuk e shpjegon dot sesi ky reductio ad absurdum (Latinisht - të çuarit deri në absurd, deri në marrëzi), i ka ndodhur këtij populli, i cili ndër të parët përqafoi krishterimin dhe nxori Konstandinin e Madh, dhjetë papë, Shën Jeronimin, Shënjtoren Nënë Tereza, mbrojtësin legjendar të civilizimit Gjergj Kastriot Skënderbeun…
Ai beson shumë se e keqja do të mundet shpejtë dhe kaloi. E krahason shoqërinë e këtushme me natyrën e sapoçliruar nga robërimi i gjatë i një dimri të egër: Shkrijnë akujt, vërshojn ujërat, dalin lumenjtë nga shtrati, përmbytet gjithçka; pastaj vjen qetësimi, kthiellimi, rrjedha normale…
Misionarët nisin menjëherë nga detyra: shkojnë lagje më lagje dhe shpërndajnë Biblën, Ungjillin, broshura fetare; organizojnë veprimtari kulturore gërshetuar me ndihma e bamirësi, deri dërgimin jashtë shtetit të të sëmurëve për shërim.
Përmes këtyre gjesteve njerëzit ndiejnë t'i prekë nga afër dora e Shpëtimtarit. Shumë duan t'i bëjnë miq. Edhe ata iu përgjigjen po me miqësi.
Duke parë frekuentimin e gjerë edhe të myslimanëve, imami nxjerrë menjëherë dy altoparlant në dritaret e godinës të përshtatur provizorisht në xhami dhe me tërë frekuencën e zërit ia nis transmetimit të Kuranit për gjatë çdo dite. Ndërkohë mbërrijn nga qielli grupi i klerikëve islamikë, kurse nga toka ai ortodoks. Edhe këta me misionin t'iu rikthejn Zotin njerëzve e ndihmojnë për ringritjen e faltoreve dhe vendeve të shënjta.
Shpejt u pa që prapa velit hyjnor e human të tyre rivalizojnë nëndheshëm Roma, Meka, Kostandinopoja.
Katolikët përpiqen të zgjerojnë hartën e influencës e të ngrenë kisha edhe atje ku s'ka asnjë banor të atij besimi, duke shfrytëzuar lidhjet e hershme, kujtimet e mira dhe dëshirën mbarëkombëtare për t'u integruar në Perëndim.
Ortodoksët nëpërmjet ndihmash pa kursim duan të fashitin krimet e paraardhësve e shtetit të tyre, të hedhin në dorë drejtimin e kishës dhe greqizojnë shpirtin e besimtarëve për të dalë tek referendumi për bashkimin e jugut të Shqipërisë me Greqinë.
Myslimanët e largët synojnë të krijojnë Kalifatin Ballkanik dhe ndërkohë me emigracionin arab e të shpërngulurit nga luftrat ta përmbytin Europën me valë cunamesh njerëzore islamike. Fillimisht ta shndërrojnë si lakuriqi i natës, gjysmë myslimane e gjysmë të krishterë dhe hap pas hapi ta futin të tërën në ferexhe e xhami.
Banorët e rraskapitur nga mjerimi komunist as duan t'ia dinë për këto plane e fantazira. Gjithë preokupimin e kanë për ndonjë vizë a përfitim tjetër. Vetëm pushtetarëve u intereson ky rivalitet. Thuhet se kanë marrë ryshfete të majme për dhënien e lejes së ndërtimit të xhamisë në qendër të qytetit dhe për ngritjen e kambanores së kishës edhe dy metra më lart se kulla e xhamisë.
Kozma Gjergji.
E lexova me kënaqësi. Në të vërtetë, tek lexoja, më dukej sikur nuk po lexoj por po flet autori rrjedhëshëm, spontanisht në një takim me kërshëritarë, në një fjalor ,,popullor" i cili, filosofinë e vertetë e shpërfaqë më tepër me fakte se dhe më fjalë. Ka mbërthyer për mrrekulli dy faza të zhvillimit kombëtarë-shtetror, tek ua nxjerrë ,,të palarat" me një kontrast mrrekullisht të qëlluar e të mprehtë për ta përfunduar me një realitet që në faza zhvillimi të mëherëshëm, struket i drojtur nën rogozë, për të shpërthyer në demokraci, e në të për të ngritë koken një ogur përherë kërcnues i kombit shqiptarë: tre religjionet. Secili objektivin e vetë të shtrirjes e secili në mënyren e vetë, secili pa…
Kolegë e miq të çmuar z.Myslim, z.Sotir, znj. Anabel! Ju falënderoj nga zemra për opinionet tuaja prej krijuesish me shije të hollë e mendime të larta!
Janë "pagesa" të mrekullueshme që të ngrohin shpirtin.
Me shumë respekt Kozma Gjergji.
Xing.
Një tregim midis Eses dhe rrëfimit filozofik. Autorin e shqetësojnë ngjarje dhe fenomene të ndodhura në shoqërinë tonë fill post diktature. Por, atij nuk I pëlqen të ndërtojë tipa dhe karaktere . . ., klasik, të cilët në shumicën e rasteve nuk janë të tillë. Kjo sepse, siç pohon vetë në hyrje, do të ketë mbase një Kolanë tregimesh. Ja dhe gjetja: AFRESKU LETRAR.
Po, afresku. Huazon nga arti I pikturës termin dhe hedh jo bojërat, por "ngjyrat e kohës" ku spikasin tipat dhe karakteret që nxorri si dallga e detit leshterikun. Dhe ne I thërrasim kujtesës duke tundur kryet për të pohuar të vërtetat e tyre. Madje, në një farë mënyre jemi të përgatitur për të lëçitur të…
Afresku letrar me pelqen. I shkruar bukur, me mencuri e finese. Sentencat, aforizmat,
citatet, shprehjet e goditura popullore, i japin tension dhe ngarkese emocionale. Te
gjitha konvergjojne tek plaga e madhe e popullit tone martir.Ne nje kohe ku eshte turp
qe njeriu te vuaj per buke, cibanet e te gjitha kategorive shtohen e shtohen...
Me shume mall, Myslimi.